Lajme

Bllokada e drejtësisë tranzicionale në vendet post-jugosllave

t_rekom-znak

 

 

REKOM Memo

 

Bllokada e drejtësisë tranzicionale në vendet post-jugosllave

28. 02. 2017.

Në shtetet e krijuara në hapësirën e ish Jugosllavisë, procesi i vendosjes së drejtësisë tranzicionale është në krizë të thellë. Arsyet kryesore janë mosekzistimi i vullnetit politik të qeverive të reja për ndjekjen penale të kryerësve të krimeve të luftës, institucionet e dobëta shtetërore, të cilat as pas 17 vitesh nga përfundimi i luftës, nuk janë bërë efikase dhe të pavarura, forcimi i nacionalizmit ekstrem, ndërprerja e dialogut me shoqërinë civile në të kaluarën, bllokada e qasjes ndaj materialit arkivor dhe mungesa e përkrahjes konsistente të BE-së për drejtësinë tranzicionale.

Gjykimet për krimet e luftës janë në ngecje në tërë rajonin. Trashëgimia e Tribunalit të Hagës pothuajse nuk shfrytëzohet për hapjen e rasteve të reja. Në Serbi dhe në Kroaci nuk ka përkrahje politike për gjykimet në bazën e përgjegjësisë komanduese, e posaçërisht kur është fjala për “tanët”. Është i vërejtshëm forcimi i mosbesimit të viktimave në institucionet gjyqësore. Serbia deri në vitin 2010 ka pri në organizimin e gjykimeve, në të cilat drejtpërdrejt marrin pjesë dëshmitarët dhe viktimat nga Kroacia, B dhe H dhe nga Kosova. Megjithëkëtë, për shkak të ndryshimit të aktgjykimeve të shkallës të parë për krime masive (Ovçara (Ovčara), Lovas, dhe Qyshku (Ćuška)), që e kanë pasur përkrahjen e anëtarëve të familjeve të viktimave dhe zvarritjeve të shpeshta të gjykimeve të tjera, familjet më nuk janë të gatshme për të dyshuar para gjykatave në Serbi.

Serbia, më shumë se një vit nuk ka prokuror për krime të luftës. Në dy vitet e fundit, Prokuroria i është ekspozuar sulmeve politike të Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën dhe të kryetarit të Serbisë. Kryetari i Këshillit të cekur, Millovan Drecun, në muajin nëntor të vitit 2014 e ka organizuar një mbledhje, në të cilën e ka akuzuar Prokurorinë se nuk ka rezultate në ndjekjen penale të krimeve ndaj serbëve, por që në mënyrë efikase i akuzon serbët për krimet e luftës ndaj shqiptarëve. Nën trysninë e madhe të anëtarëve të Këshillit, në mesin e të cilëve është edhe Momir Stojanoviqi, kundër të cilit gjykata në Kosovë e ka ngritur akuzën për krime të luftës, përfaqësuesit e PKL janë arsyetuar me pamundësinë e mbledhjes së të dhënave në Kosovë dhe pamundësinë e qasjes ndaj të dyshuarve, duke mos e shpjeguar faktin se detyra themelore e PKL është që t’i kontribuojë vendosjes së sundimit të ligjit në Serbi me anë të ndjekjes penale të qytetarëve të Serbisë.

Me rastin e zhvarrosjes së 52 trupave të shqiptarëve të Kosovës nga varreza masive e Rudnicës në Serbi në muajin shkurt të vitit, kryetari i Serbisë,  Tomisllav Nikoliqi e ka kërcënuar prokurorin për krime të luftës me fjalët se duhet „të mendoj pak se çfarë po gërmon në Serbi “.

Qeveria e Republikës së Kroacisë në mënyrë shumë të ashpër ka reaguar kur në muajin nëntor të vitit 2016 në B dhe H janë burgosur dhjetë ish pjesëtarë të Këshillit Kroat të Mbrojtjes për krimet e pretenduara ndaj të burgosurve serb të luftës të kryera në vitet 1992 dhe 1993 në qytetin boshnjak Orashje (Orašje), duke u thirrur me këtë rast në anëtarësinë e tyre në NATO.

Një lëvizje pozitive në drejtësinë penale përbënë themelimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës, të cilat i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së. Gjykata është themeluar nën trysninë e SHBA-ve dhe BE-së, pa mbështetjen e opozitës dhe të një pjese të rëndësishme të shoqërisë civile në Kosovë, por, kur vështrohet në plan afatgjatë, ajo përbënë një kontribut të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë.

Reaksionet në inicimin e kërkesës për revidim të aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me padinë e B dhe H kundër Serbisë për shkak të gjenocidit kanë vërtetuar se qeveritë aktuale i mbrojnë shtetet e veta, të cilat në të kaluarën kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe janë bërë përgjegjëse për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut. Duke vlerësuar se procedura e re gjyqësore „do të çonte në një përkeqësim të marrëdhënieve aktuale ndërnacionale dhe ndërshtetërore “, se kjo është një akt i urrejtjes së boshnjakëve ndaj serbëve, përulje e Serbisë e kthim 22 vite mbrapa, liderët e Serbisë dhe të Republika Srpska në mënyrë të padyshimtë kanë treguar, si edhe në rastin e aktgjykimeve dënuese ndërkombëtare për heronjtë e vet kombëtar, se ata nuk e mbështesin pikëpamjen e BE-së se instrumentet gjyqësore dhe ato të tjera të drejtësisë tradicionale janë „pjesë integrale e procesit të ndërtimit të paqes dhe të kapaciteteve shtetërore“ (Korniza politike e BE-së për përkrahje të drejtësisë tranzicionale, 2015–2019).

E drejta në të vërtetën është rrezikuar seriozisht. Të gjitha shtetet e rajonit e pengojnë qasjen publike në dokumentacionin e forcave të tyre armatosura të luftës dhe pushtetit civil. Ministri i mbrojtjes i Republikës së Serbisë në muajin janar të vitit 2015, në lidhje me kërkesën e Fondit për të Drejtën Humanitare për marrjen e dokumentacionit të ish brigadës së motorizuar 37 të UJ të periudhës prill – qershor të vitit 1999, ka sjellë vendimin me të cilin arkivi i gjithmbarshëm i asaj brigade shpallet fshehtësi zyrtare në një periudhë prej 30 vitesh.

Çështja e varrezave masive, fshehja dhe zhvendosja e trupave si dhe e personave për një kohë të gjatë të zhdukur vihet në lidhje me të drejtën e viktimave dhe të shoqërisë në të vërtetën. Zvarriten zhvarrosjet e lokacioneve të njohura të varrezave masive si dhe identifikimi i trupave tashmë të gjetur; fshihen me këmbëngulje të dhënat mbi varrezat e fshehta dhe ato për fatin e edhe 12.000 personave të zhdukur dhe nuk ka asnjë gjykim për fshehjen e trupave. Në Serbi, gjykata civile ka gjykuar një kompensim monetar për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë për shkak të fyerjes së autoritetit të tij, të cilin, siç pretendohet, ia kanë shkaktuar Natasha Kandiqi dhe Fondi për të Drejtën Humanitare që publikisht janë shprehur se gjenerali, në zonën e përgjegjësisë së të cilit në një afat prej dy muajsh janë vrarë mbi 1.000 civil shqiptarë, kurse trupat e 52 personave janë fshehur 15 vite në një varrezë masive në Serbi, nuk është i denjë për të kryer asnjë funksion shtetëror, por se organet kompetente duhet të hetojnë përgjegjësinë e tij personale dhe komanduese.

Historiku i nismës për themelimin e KOMRA-s (Komisioni Rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut në hapësirën e ish RSFJ-së) e tregon mungesën e vullnetit politik të shteteve që bashkërisht të përmbushin obligimin ndërkombëtar në lidhje me të drejtën e viktimave dhe të shoqërisë për të ditur se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Nisma për themelimin e KOMRA-s është e vetmja nismë për ballafaqim me të kaluarën, e cila ka fituar një përkrahje të fuqishme publike në rajon (580.000 nënshkrime). Është ndërtuar në procesin konsultativ dhe në dialog me qeveritë dhe kryetarët e shteteve në rajon. Aktin e  themelimit, Ndryshimet e statutit të KOMRA-s, të cilin e kanë hartuar të dërguarit zyrtarë për KOMRA-n, Koalicioni për KOMRA-n e ka pranuar në tërësi në Kuvendin e Dhjetë të datës 14 nëntor të vitit 2014. Është pritur që të arrihet marrëveshja politike mbi themelimin e KOMRA-s. Megjithëkëtë, në praktikë është treguar se përkrahja e dhënë njëherë nuk i obligon as dhënësit e përkrahjes e lëre më trashëgimtarët e tij politik. Kryetari i Serbisë në muajin korrik të vitit 2013 e ka emëruar të dërguarin e tij personal për KOMRA-n, duke e përshëndetur regjistrimin rajonal të viktimave, kurse një vit e gjysmë më vonë e ka akuzuar Koalicionin për KOMRA-n se po i rrënon institucionet shtetërore në Serbi dhe e ka refuzuar çfarëdo mbështetje të mëtejme.

Me ndryshimin e qeverisë në Republikën e Kroacisë, në muajin janar të vitit 2015, kur  Kolinda Grabar Kitaroviq e ka zëvendësuar ish kryetarin Ivo Josipoviq, ka humbur përkrahja për themelimin e KOMRA-s, gjë që ka ndikuar edhe në humbjen e përkrahjes së anëtarit kroat të Presidencës së B dhe H. Në muajin janar të vitit 2015, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq e ka paralajmëruar themelimin e „Komisionit për ballafaqim me të kaluarën“ me qëllim që „Kroacia të përcaktohet lidhur me çështjen e së kaluarës, regjimet totalitare të shekullit 20, qartë të gjykojë regjimin midis viteve 1941 dhe 1945, pra regjimin ustash gjatë të cilit janë kryer krime të shumta, por që po ashtu në mënyrë të kthjelltë të analizojë gjithë atë që ka ndodhur pas vitit 1945“. Shkas i drejtpërdrejtë i themelimit të këtij komisioni është vendosja e pllakës përkujtimore „të gatshëm për atdheun “ dhe qëndrimi i një pjese të publikut politik se kjo nuk është përshëndetje ustashe dhe se nuk duhet të fyejë viktimat.

Edhe pse Qeveria e Republikës së Serbisë në muajin korrik të vitit 2015 publikisht e ka përkrahur themelimin e KOMRA-s dhe me atë rast kryeministri Vuçiq iu ka premtuar avokuesve publik se në takimet bilaterale me kryeministrat e vendeve fqinje do të flas mbi procedurën e marrjes së procesit KOMRA, Koalicioni për KOMRA-n ende nuk ia ka dalë që me te të dakordohet për një takim të ri.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, me rastin e takimit me avokuesit publik të KOMRA-s të datës 8 korrik të vitit 2016, e ka vërtetuar përkrahjen e tij të dhënë në vitet e mëhershme dhe ka premtuar se gjatë takimit të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit në takimet bilaterale do të bisedoj mbi themelimin e KOMRA-s. Megjithëkëtë, në muajin dhjetor të vitit 2016, presidenti i Kosovës ka paralajmëruar themelimin e Komisionit kosovar për të vërtetën dhe pajtimin, edhe pse në vitin 2010 në mënyrë të fuqishme e ka përkrahur themelimin e KOMRA-s.

Përkrahja e Malit të Zi është e qëndrueshme, pavarësisht nga ndryshimet e pushtetit, derisa në Maqedoni bashkëpunimi rajonal dhe ballafaqimi me të kaluarën është në plan të dytë, para së gjithash për shkak të problemeve në lidhje me formimin e qeverisë.

Një nga arsyet e përparimit të dobët të instrumenteve për zbulimin dhe paraqitjen e së vërtetës është gjithsesi edhe nxitja dhe përkrahja pamjaftueshëm e qartë dhe nxitëse e BE-së. Burgosja dhe dorëzimi i i të akuzuarve të Hagës Ante Gotovinës, Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit është arritur falë politikës së kushtëzimit të cilën BE e ka zbatuar në negociatat me vendet kandidate për anëtarësim në BE. Megjithëkëtë, në lidhje me të drejtën në të vërtetën, BE-ja ka vendosur që në mënyrë financiare të përkrahë projektet e shoqërisë civile në të cilin marrin pjesë edhe qeveritë, por pa pjesëmarrje në komunikimin midis organizatave joqeveritare dhe qeverive dhe lidhjen e negociatave mbi anëtarësimin dhe të drejtën në të vërtetën. Në rastin e Nismës KOMRA, pjesëmarrja e të dërguarve të institucioneve më të larta shtetërore në hartimin e dokumenteve për themelimin e Komisionit (Ndryshimet e statutit të KOMRA-s), që ka shënuar fillimin e bartjes së procesit nga niveli civil në atë shtetëror, nuk i ka obliguar liderët e rinj që të vazhdojnë me marrjen formale të pronësisë mbi procesin KOMRA. Në praktikë është treguar se pa pjesëmarrjen e BE-së dhe obligimeve qartazi të përkufizuara të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, shoqëria civile nuk ka kapacitete si dhe as instrumente me të cilat do të mund të ndikonte në liderët e vendeve trashëgimtaret të RSFJ-së, që t’i marrin obligimet e tyre ndërkombëtare në lidhje me zbulimin dhe paraqitjen e së vërtetës mbi atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Është i mirëseardhur ftesa e komisarit të Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, i  cili në raportin „Personat e zhdukur dhe viktimat e zhdukjeve të dhunshme në Evropë“ i publikuar në datën 22 shkurt të vitit 2017, i ka ftuar shtetet trashëgimtare të ish Jugosllavisë që ta marrin pronësinë mbi Nismën për KOMRA-n dhe që të garantojnë se informacionet, të cilat ndodhen në arkivat shtetërore dhe të sigurisë të jenë të qasshme për publikun. Megjithëkëtë, apeli nuk e ka fuqinë e nevojshme për të zhbllokuar pjesën politike të procesit të KOMRA-s. Inkuadrimi i procesit KOMRA në programin e procesit të Berlinit mund të largojë pengesat e krijuara me largimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor nga obligimi i ballafaqimit me të kaluarën.

Rezultatet, të cilat obligojnë

Një nga detyrat themelore të KOMRA-s, e vërtetuar me anë Ndryshimeve të statutit të KOMRA-s, është regjistrimi i civilëve dhe i ushtarëve, të cilët e kanë humbur jetën në lidhje me luftën si dhe dokumentimi i vendit të ndalimit gjatë luftës.

Koalicioni për KOMRA-n, krahas me negocimin për themelimin e KOMRA-s, ka filluar edhe me realizimin e hulumtimit empirik të humbjeve njerëzore në luftërat e viteve nëntëdhjetë dhe të vendeve të ndalimit në B dhe H, me qëllim që të përkrah mandatin e KOMRA-s dhe që t’i ndihmojë Komisionit në dokumentimin e fateve të personave të caktuar të zhdukur si dhe vendeve të ndalimit.

Deri në fund të vitit 2016, Koalicioni për KOMRA-n ka vërtetuar identitetin dhe rrethanat e vdekjes së rreth 23.000 njerëzve, të cilët e kanë humbur jetën në luftë në Kroaci dhe në Kosovë, kurse në bazë të 56.000 dokumenteve, në mesin e të cilave janë rreth 17.000 deklarata të dëshmitarëve dhe të anëtarëve të familjeve. Janë dokumentuar 630 kampe të përqendrimit dhe vende të ndalimit në B dhe H, në të cilat janë ndaluar mbi 170.000 njerëz, prej tyre më së shumti civil.

Koalicioni për KOMRA-n e ka krijuar bazën e të dhënave mbi humbjet njerëzore, të cilën ekipi i ekspertëve për shkeljen e të drejtave të njeriut në kohën e konflikteve të armatosura, pas analizës dyvjeçare, në muajin shkurt të vitit 2015, e  ka vlerësuar si bazën më të besueshme të të dhënave mbi krimet e luftës.

Koalicioni për KOMRA-n e ka filluar krijimin e bazës së të dhënave mbi vendet e ndalimit në B dhe H. Koalicioni do t’ia dorëzojë KOMRA-s të dhënat e përmbajtura në të dyja bazat dhe do të vazhdojë të ndihmojë Komisionin në dokumentimin e viktimave të tjera të mbetura (gjithsejtë 130.000) dhe në realizimin e aktiviteteve të tjera.

Qendra hulumtuese dokumentuese, në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare, e ka botuar Librin e të vdekurve të Bosnjës me emrat e 96.000 viktimave në luftë në B, kurse Trbunali i Hagë e ka vërtetuar identitetin e së paku 12.000 viktimave të krimeve të luftës – këto të dhëna në mënyrë të padyshimtë tregojnë se në ndërkohë është kryer një pjesë e rëndësishme e punës në dokumentimin e viktimave, si dhe që regjistrimi i viktimave të tjera të mbetura dhe të dhënat e tjera të KOMRA-s duhet t’i marrin mbi vete shtetet trashëgimtare të ish RSFJ-së, sepse dokumentimi i viktimave nuk guxon të ndërpritet.

Koalicioni për KOMRA-n konsideron se nuk guxon të lëshohet shansi historik që me sa të jetë e mundur më pak vonesa ta bëjë regjistrimin e viktimave të luftës. Publikimi i emrave të viktimave të luftës është e pakta një garanci e pjesshme të mospërsëritjes së krimeve dhe themel i ndërtimit të paqes dhe të pajtimit.

Procesi i Berlinit e ka kornizën e duhur për sjelljen e marrëveshjes politike mbi themelimin e KOMRA-s, kurse roli i BE-së është vendimtar për të ardhmen e saj.