Procesi i KOMRA-s filloi me debat mbi instrumentet për zbulimin dhe gjetjen e të vërtetës për të kaluarën në maj të vitit 2006 në Forumin e Parë Rajonal për drejtësi tranzicionale, organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (Serbi), Qendra për Hulumtim dhe Dokumentim (BdheH) dhe Documenta (Kroaci) . Pjesëmarrësit, përfaqësues të OJQ-ve dhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur dhe viktimave nga vendet post-jugosllave i dhanë përparësi qasjes rajonale për ballafaqimin me të kaluarën.
Koalicioni për KOMRA në periudhën nga maji i vitit 2006 deri më 26 Mars të vitit 2011 ka organizuar debate gjithëpërfshirëse shoqërore (procesi i konsultimit) në lidhje me mandatin e KOMRA-s. Në debat ishin të përfshirë 6.700 përfaqësues të shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat që merren me të drejtat e njeriut, viktimat, familjet e viktimave dhe të personave të zhdukur, refugjatët, veteranët / ushtarët, të burgosurit, avokatët, artistët, shkrimtarët, gazetarët dhe individë të tjerë të shquar. U mbajtën 128 takime lokale dhe rajonale dhe tetë forume ndërkombëtare për drejtësinë tranzicionale. Përmbledhja e qëndrimeve të propozuara janë paraqitur në Draft Statutin e KOMRA-s e cili me 26 mars të vitit 2011 është miratuar nga Kuvendi i Koalicionit për KOMRA.
Pas procesit konsultativ filloi faza e dytë e procesit – institucionalizimi i Nismës për KOMRA. Kjo fazë është transferimi i Nismës për KOMRA nga niveli i shoqërisë civile në nivel politik – në domen institucional. Për të marrë mbështetjen publike për formimin e KOMRA-s, Koalicioni ne maj dhe qershor të vitit 2011 organizoi peticionin për formimin e KOMRA-s , i cili u nënshkrua nga 555.000 qytetarë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Është formuar ekipi i avokuesve publik dhe iniciuar aksioni Koalicioni për KOMRA . Avokimi rezultoi me vendim te presidentit më saktësisht Presidencës së BdheH që të emërojnë të dërguarit personal për KOMRA. Të dërguarit personal kishin për detyrë të analizojnë Statutin e KOMRA-s të propozuar nga Koalicioni për KOMRA dhe të kontrollojnë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për themelimin e KOMRA-s në secilin vend.
Të dërguarit personal për KOMRA të shteteve të ish-Jugosllavisë me datë 28 tetor të vitit 2014 ia dorëzuan Koalicionit për KOMRA ndryshimet e statutit të KOMRA-s, si dokument përfundimtar i cili është në përputhje me kornizat ligjore për themelimin e KOMRA-s.
Këto ndryshime të Koalicionit për KOMRA pa rezerva janë mbështetur nga Kuvendi, më 14. 11. 2014. Megjithatë, në ndërkohë, në Bosnje dhe Hercegovinë u mbajtën zgjedhjet në të cilat u zgjodhën anëtarët e rinj të Presidencës, po ashtu edhe në Kroaci u zgjodh presidenti i ri, si rezultat i këtyre ndryshimeve në gjysmën e parë të vitit 2015, koalicioni për KOMRA u gjet në një situatë duke kërkuar përsëri mbështetjen për themelimin e KOMRA-s. Mbështetja u konfirmua nga presidentët e Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë dhe anëtari boshnjak i Presidencës së BdheH. Ata gjithashtu mbështetën strategjinë e Koalicionit për KOMRA që çështja e themelimit të KOMRA-s të konsiderohet në kuadër të Procesit të Berlinit. Për vetëm disa ditë në maj të vitit 2017, 50.000 qytetarë të Sarajevës, Banja Llukës, Prishtinës, Zagrebit dhe Beogradit nënshkruan një peticion për marrëveshjen e liderëve të vendeve post-jugosllave për themelimin e KOMRA-s, në kuadër të procesit të Berlinit. Në deklaratën e tij, kryesuesi i Samitit në Trieste, të mbajtur më 12 korrik 2017, theksoi rekomandimet e Forumit të Shoqërisë Civile për KOMRA, si një qëndrim i përbashkët i pjesëmarrësve të samitit. Në Samitin e Londrës, që do të mbahet 10 korrik 2018, Koalicioni për KOMRA ka ftuar kryeministrin e Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë që të nënshkruajnë Deklaratën për themelimin e KOMRA-s dhe të ftojnë vendet e tjera post-jugosllave që të kyçen në bashkëpunim në krijimin e listës së humbjeve njerëzore gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta.