KOMRA rrjeti i pajtimit

Drejtësinë Tranzicionale

28.12.2020.

Është mbajtur Forumi i XIII-të për Drejtësinë Tranzicionale në vendet post-jugosllave – shoqëria civile e mbledhur rreth rrjetit të pajtimit KOMRA nuk dorëzohet

Drejtësia Tranzicionale, Forumi për Drejtësinë Tranzicionale, VIDEO

Të hënën dhe të martën, 21 dhe 22 dhjetor të vitit 2020, për herë të parë në formatin onlajn, në organizim të rrjetit të pajtimit KOMRA dhe Fondit për të Drejtën Humanitare, është mbajtur Forumi i XIII-të për Drejtësinë Tranzicionale në vendet post-jugosllave.

Në Forum, si panelist/e, dhe moderator/e, kanë marrë pjesë ekspertët e KB-së, Manfred Nowak, Thomas Osorio dhe Ivan Jovanoviq, eksperti i KE-së, David Hudson, anëtarët/et e bashkësisë akademike, Sabina Çehajiq, Vjollca Krasniqi, Slagjana Llaziq, Lejla Gaçanica, Sven Milekiq, Jelena Gjureinoviq, Stephanie Schwandner-Sievers dhe Lea David, kryetari i Komisionit për të burgosurit dhe personat e zhdukur i Republikës së Kroacisë 1993-2016, Ivan Grujiq dhe anëtarët/et e rrjetit të pajtimit KOMRA, Zharko Puhovski, Tea Gorjanc Preleviq dhe Natasha Kandiq. Janë mbajtur tri panele – „Rishikim i drejtësisë tranzicionale – sfidat si rrugëdalje“,  „ Politikat e përkujtimit dhe komemoracioni i viktimave “ dhe „Çështja e personave të zhdukur – përparësi e bashkëpunimit rajonal “.

Përfundimi i panelit të parë përmblidhet në porosinë  se, pavarësisht krizës së drejtësisë tranzicionale, e cila reflektohet në mungesën e vullnetit politik dhe dekadat e mospranimit të përgjegjësisë për krimet e kryera, si dhe në ndikimin negativ të ndryshimeve shoqërore dhe politike në proceset e ndërtimit të paqes, shoqëria civile nga hapësira e ish Jugosllavisë nuk guxon të heqë dorë nga nevoja shoqërore për të vendosur drejtësinë tranzicionale.

Është bërë fjalë edhe për rëndësinë dhe fushëveprimin e kërkimfaljeve dhe të reparacioneve në lidhje me procesin e pajtimit dhe aspekte të ndryshme, deri tash në mënyrë të pamjaftueshme të tematizuara të drejtësisë retributive dhe për kufizimet e qasjeve të zakonshme ndaj këtyre problemeve si dhe për nevojën për perspektivat e reja. Panelistët kanë rënë dakord që shoqëria civile duhet të vazhdojë të këmbëngulë në atë që zbatimi i drejtësisë tranzicionale tashmë është njohur si një përparësi dhe një nga kushtet kryesore për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Paneli i dytë e ka trajtuar temën e përkujtimit. Në prezantimet e tyre, panelistët kanë paraqitur pikat kryesore të politikës dhe të kulturave të përkujtimit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci, në Serbi dhe në Kosovë, me përqendrim të veçantë në përkujtimin e viktimave të disa krimeve të luftës të kryera gjatë luftërave në vitet 1990-të  në këto hapësira. Ata kanë biseduar rreth çështjes së kulturës së mosndëshkimit, industrisë së përkujtimit dhe mundësive për të rishikuar dhe ndryshuar narrativat në dukje tashmë të vendosura nacionaliste dominuese. Një nga përfundimet e panelit është se përkujtimi pluralist dhe kapërcimi i ndarjes etnike dhe fetare të viktimave janë thelbësore për kontributin e memorializimit në proceset e pajtimit.

Paneli për personat e zhdukur ka filluar me një pasqyrë kronologjike të procesit të kërkimit të varrezave masive dhe mbetjeve mortore nga vitet 1990-të e deri më sot, dhe ka përfunduar me një përfundim mbi nevojën për vullnet të fortë politik, bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar me qëllim që, me anë të  verifikimit të lokacioneve të zhvarrimeve masive dhe të informatave mbi varrezat e reja masive si dhe vendet e veçanta të varrezave, të mund të zgjidhet fati edhe i 10.170 personave të tjerë të zhdukur në luftërat e viteve 1990-të.

Koordinatorja e Rrjetit të Pajtimit KOMRA ka theksuar se dokumentimi i zhdukjeve në Kosovë, i kryer nga dy anëtare të rrjetit rajonal, tregon se numri më i madh i personave të zhdukur është gjetur në varreza masive të zhvarrosura, por që ka arsye serioze për verifikime të përsëritura të atyre varrezave, se një numër i madh i personave të zhdukur është në zonat e përgjegjësisë të formacioneve, prezenca dhe veprimi i të cilave është konfirmuar në procedurat para GJNPJ dhe që të dhënat mbi vendndodhjet e këtyre varreve masive i kanë institucionet kombëtare, dhe se nuk është i vogël numri i personave të zhdukur, mbetjet mortore të të cilëve në masë të madhe janë shkatërruar me anë të djegies ose me veprime të tjera të fshehjes së provave mbi krimet e kryera.

Secili nga panelet e Forumit të sivjetmë onllajn i ka pasur rreth 80 përcjellës, prej të cilëve disa edhe janë përfshirë në diskutime. Edhe ata kanë vlerësuar se është e papranueshme që temat e krimeve të luftës, të drejtësisë, të fatit të personave të zhdukur dhe kulturës së përkujtimit plotësisht janë të margjinalizuara edhe në nivel politik e edhe në medie.