KOMRA rrjeti i pajtimit

Përkujtimore për viktimat e masakrës së Grabovicës. Foto: Denis Kapetanovic
BIRN_Grabovica_Komemoracija_Denis-Kapetanovic

09.09.2020.

BIRN – Masakra e Grabovicës në Bosnje: Ushtarët që nuk mund të harronin

BIRN, Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Grabovicë 1993, Haris Rajkić, HVO, Ivica Čavlović, Këshillit Kroat të Mbrojtjes, Kombeve të Bashkuara, Neretva ’93, Nihad Vlahovljak, Sead Karagić, Sefer Halilović, Ushtria Boshnjaka, Viktimat e Luftës, War Crimes

Dy ushtarë ishin në anët e kundërta kur 33 kroatë të Bosnjës u masakruan nga trupat e Ushtrisë Boshnjake 27 vjet më parë, por tani ata të dy po punojnë për të garantuar që ky krim të mos harrohet.

 

 

“Një ninullë për Mladenkën”

„Uspavanka za Mladenku“ – Mostarski teatar mladih (Foto: MTM/File)
Shfaqja “Një ninullë pë Mladenkën” („Uspavanka za Mladenku“). Foto: Tetari Rinor Mostar.

Sead Djuliç tha se masakra në Grabovica ende e përndjek –  sidomos për shkak se ajo ishte kryer nga trupat e ushtrisë së tij. “Dikush erdhi nga diku tjetër, kreu krimin dhe la një njollë të përgjakshme mbi të gjithë ne”, tha ai.

Rreth 25 vjet pas vrasjeve, Djuliç ishte menaxher i MTM (Teatri Rinor i Mostarit) kur vuri në skenë një shfaqje tepër të njohur për të cilën po flisnin të gjithë në qytet.

Me regji të Djuliçit, shfaqja kishte të bënte me masakrën e Grabovicës dhe titulli iu vu sipas vajzës katërvjeçare që u vra.

“Uspavanka za Mladenku” (“Një ninullë për Mladenkën”) ishte një produksion i vogël, amator, me një grup adoleshentësh që lindën shumë kohë pas vitit 1993 kur ndodhi masakra, por u bë më popullor sesa të gjitha premierat e tjera atë sezon.

Aktorët adoleshentë që luajtën në “Një ninullë për Mladenkën” nuk kishin dëgjuar për masakrën kur Djuliç sugjeroi se ata mund të bënin një shfaqje për atë ngjarje.

“Njëri prej tyre madje më pyeti se ku bie ai vend, edhe pse është shumë afër Mostarit. Në atë kohë askush prej tyre nuk dinte se çfarë ndodhi atje”, tha ai.

Në vitin 1993, pak njerëz ishin në dijeni të asaj që kishte ndodhur. Grabovica ishte izoluar totalisht pas masakrës; hyrja në zonë ishte e ndaluar edhe për shtypin ndërkombëtar dhe forcat paqeruajtëse.

Por edhe pse Tribunali i Hagës nuk arriti ta dënonte Sefer Haliloviçin, gjatë gjyqit dolën shumë fakte dhe detaje të reja.

Disa ushtarë të rangut të ulët u dënuan nga gjykata shtetërore e Bosnjës. Njëri prej tyre, Enes Sakrak, një anëtar i Brigadës së 9-të të Ushtrisë Boshnjake, u dënua për vrasjet e anëtarëve të familjes Zadro, përfshirë Mladenkën katërvjeçare, dhe u dënua me dhjetë vjet burg sepse shfaqi pendim dhe vendosi të bashkëpunonte.

Sakrak dëshmoi se mëngjesin e 9 shtatorit në Grabovica, komandanti i trupës Nihad Vlahovljak e urdhëroi në njësinë e tij “të vriste të gjithë vendasit”. Vlahovljak nuk tregoi kurrë se nga e mori urdhrin, sipas Sakrak, por ai dëshmoi se mendonte se urdhri kishte ardhur nga dikur nga lart.

Një ushtar tjetër, Mustafa Hota, u dënua për vrasjen e familjes Mariç. Ai mori të njëjtën dënim si Sakrak – dhjetë vjet burg. Ushtarët Nihad Vlahovljak, Sead Karagiç dhe Haris Rajkiç u dënuan gjithashtu me nga 13 vjet burg secili.

Këto pesë dënime individuale janë e gjithë drejtësia që është vënë për familjet e viktimave të Grabovicës. Asnjëherë nuk u vërtetua se kush dha urdhër për vrasjen e civilëve, shumica e tyre gra dhe pleq.

 

Prokurorët heshtin rreth provave të reja

Josip Drežnjak, Udruženje hrvatskih stradalnika ’Grabovica 93’ (Foto: BIRN/Nikola Bačić)
Josip Drežnjak, presidenti i shoqatës së familjeve të viktimave ’Grabovica 93’ (Photo: BIRN/Nikola Bačić)

Josip Dreznjak është presidenti i shoqatës së familjeve të viktimave. Në kohën e vrasjeve në Grabovica, ai ishte një ushtar i Këshillit Kroat të Mbrojtjes në Mostar. Ai tha se çdo vit që kalon, pritshmëritë e familjeve janë gjithnjë e më të pakta. E vetmja gjë që ata dëshirojnë tani është të gjejnë eshtrat e njerëzve të tyre të dashur që të mund t’i varrosin si duhet.

“Më lëndon më shumë kur di se për ato krime janë dënuar njerëz dhe ne nuk kemi informacione të reja në lidhje me vendndodhjen e trupave që nga viti 1994. Atëherë u identifikuan njëmbëdhjetë persona, pas kësaj nuk kemi gjetur as edhe një eshtër tjetër, për fat të keq”, tha Dreznjak.

“Mladenka dhe nëna e saj, për shembull. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe vrasësi e rrëfeu krimin. Ai tashmë është i lirë sepse mori një dënim qesharak prej dhjetë vjet burg”, shtoi ai.

Qëllimi tjetër i tij është të paraqesë në gjykata të gjitha provat e reja që ai ka gjetur kundër personave që ai beson se janë përgjegjës për masakrën e Grabovicës. Ai pretendon se shumë dosje dhe dokumente të rëndësishme nuk ishin në dispozicion të prokurorit në çështjen Haliloviç.

“Erdha për të dorëzuar provat e reja personalisht në zyrën e prokurorit në gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kam gjetur dy urdhra autentikë nga viti 1993 që tregojnë se Sefer Haliloviç kishte komandën e plotë të operacionit Neretva ’93”, tha ai.

BIRN kontaktoi me djalin e Haliloviçit, i cili tani është zëdhënësi i tij, por ai nuk pranoi të jepte ndonjë koment për këtë artikull.

Një provë e rëndësishme që Dreznjak i dorëzoi prokurorëve ishte një seri dokumentarësh e realizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shoqata e Gjeneralëve të Ushtrisë Boshnjake dhe Aleanca për Mbrojtjen e Emrit dhe Akteve të Mbrojtjes Territoriale të Bosnjës dhe Hercegovinës. Seria me pesë pjesë, e disponueshme në YouTube, paraqet prova të reja, të cilat s’janë treguar kurrë më parë, thotë Haliloviçi ishte udhëheqësi i operacionit Neretva ’93. Autorët e dokumentarit, të gjithë ish-ushtarë të Ushtrisë Boshnjake, nuk e mohojnë zhvillimin e operacionit.

Një provë tjetër e cituar nga Dreznjak është një vendim i dhënë nga gjykata shtetërore e Bosnjës, që e liron atë nga akuzat për shpifje.

Haliloviç ngriti një padi për shpifje kundër Dreznjakut për pretendimin se gjenerali ishte në krye të operacionit Neretva ’93 gjatë masakrës në Grabovicë.

Haliloviç këmbënguli se Tribunali i Hagës tashmë kishte provuar pafajësinë e tij. Por Dreznjak paraqiti dokumente të titulluara “Direktiva Neretva ’93” të cilat kishin si provë firmën e Haliloviçit.

Direktiva Neretva ’93 komandon Korpusin e 3-të, të 4-të dhe të 6-të të Ushtrisë Boshnjake të kryejnë operacione ushtarake sulmuese në zonën ku ndodhën krimet e luftës në Grabovica. Gjykata i pranoi dokumentet si legjitime dhe Dreznjak fitoi betejën ligjore.

Por edhe pse ai ofroi prova të reja në zyrën e prokurorit, Dreznjak nuk mori kurrë asnjë reagim për këtë. Prokuroria nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për një koment.

 

“Një luftë që nuk e kërkuam”

Ratni general Armije BiH Sefer Halilović u Hagu (Foto: EPA/Olaf Krak/File)
Gjenerali boshnjak i kohës së luftës Sefer Haliloviç (Foto: EPA/Olaf Krak/File)

Sefer Haliloviç botoi një libër në vitin 1997 me titull “Lukava Strategija” (“Një Strategji Dinake”), në të cilin ai implikonte se disa ushtarë të Ushtrisë Boshnjake, disa prej të cilëve ishin mbi të në zinxhirin e komandës, ishin në të vërtetë përgjegjës për komandimin jo vetëm të masakrës së Grabovicës, por edhe për një masakër tjetër të kroatëve që u krye menjëherë pas kësaj, në fshatin Uzdol.

Përmbajtja e librit të tij dhe e filmit dokumentar të djalit të tij Semirit “Kako je izdana Hercegovina” (“Si u tradhtua Hercegovina”) i zemëroi shumë shokët e tij ushtarë.

Ndërkohë vënia në skenë e “Ninullë për Mladenkën” në Mostar e riktheu historinë e masakrës në ndërgjegjen e publikut dhe i kujtoi shoqërisë se një krim i tmerrshëm lufte ishte kryer jo shumë larg nga vendi ku ata jetonin dhe se organizatori i këtij krimi nuk ishte ndëshkuar kurrë.

“Njëzet e pesë vjet pas luftës, kjo është shfaqja e parë që flet qartë për krimin e luftës dhe mendoj se është e papranueshme. Ne, si shoqëri, jemi akoma në fazën ku besojmë se djemtë tanë janë njerëz të mirë dhe se ishin të tjerët që i kryen të gjitha krimet”, tha Djuliç.

“Kjo është arsyeja pse ne u ulëm, kryem investigimin tonë artistik dhe ramë dakord se do ta realizojmë vetë shfaqjen. Nëse ne flasim hapur, atëherë ndoshta edhe të tjerë do të ndihen të detyruar të bëjnë të njëjtën gjë. Vetëm në këtë mënyrë do të pastrohemi dhe unë besoj kjo është ajo që ka rëndësi në përballjen me të kaluarën”, shtoi ai.

Pika e lartë emocionale për Djuliçin dhe aktorët e tij të rinj, të cilët kishin prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare, ishte nata kur ata performuan shfaqjen për familjet e viktimave.

Dreznjak ishte në publik. “Po e ndiqja shfaqjen dhe më dridhej mishi. Ishte jashtëzakonisht e dhimbshme dhe emocionuese. Fatkeqësisht, çdo gjë që u shfaq në shfaqje ishte e vërtetë”, tha ai.

Dreznjak dhe Djuliç ishin në anët e kundërta gjatë luftës në vitet 1990, por sot ata janë miq. Djuliç sjell veteranë nga të gjitha fraksionet ndërluftuese çdo vit në Grabovicë që të bëjnë homazhet e tyre për viktimat dhe t’u shprehin ngushëllimet familjeve të tyre.

“Ishte shumë e çuditshme, jemi 30 të tillë, të gjithë ish-ushtarë që luftuan me njëri-tjetrin sepse na futën në një luftë të cilën nuk e kërkuam”,  tha ai për një nga këto vizita. “Ne u bashkuam për të vendosur një kurorë me lule për viktimat e ushtrive tona. Madje, morëm pjesë edhe në meshë”, tha ai.

 

Misteri i viktimës së 33-të

Shumica e viktimave të Grabovicës kujtohet të paktën një herë në vit, në përkujtimoren e përvitshme të vrasjeve, por një prej tyre, viktima e 33-të, pothuajse harrohet.

Ai quhej Ivica Cavloviç dhe u vra nga shokët e tij. Gjetja e fakteve për njeriun që, sipas disa tregimeve, u përpoq të ndalonte masakrën, që ,ë ças të përfundonte edhe vetë i vrarë, qe e vështirë.

Disa burime e thërrasin atë Karloviç në vend të Cavloviç dhe askush nga anëtarët e familjes Cavloviç nuk është më në Sarajevë, nga ishte ai.

Cavloviç, i cili lindi në vitin 1961, ishte një kroat nga Sarajeva i cili u bashkua me Ushtrinë Boshnjake për të mbrojtur qytetin e tij të lindjes dhe tokën në të cilën ai lindi. Disa burime, të tilla si një dëshmitar i Tribunalit të Hagës, i quajtur Ramiz ‘Celo’ Delaliç, thonë se ai ishte në Skuadrën Zulfikar të Ushtrisë Boshnjake. Të tjerë, si autori Ivica Mlivonciç në librin e tij “Zlocini s pecatom” (“Krimet me vulë zyrtare”) pretendojnë se ai ishte pjesë e Brigadës 109 Malore, të cilët njiheshin si Igmanski Vukovi (Ujqërit e Igmanit).

Në libër, Mlivonciç citon disa anëtarë të Igmanski Vukovi dhe dëshmitë e tyre zbulojnë brutalitetin e asaj që ndodhi atë natë në Grabovica. Therje, përdhunim, prerje koke, njerëz që kryqëzoheshin… Rezultatet e autopsisë nga 1994 konfirmojnë këto pretendime.

Cavloviç dëgjoi të shtëna armësh në fshat dhe u përpoq të zbulonte se çfarë po ndodhte. Sipas Delaliçit, ai ishte pjesë e Skuadrës Zulfikar dhe një ushtar anonim i preu fytin mbi një urë për shkak se ai i përkiste një grupi etnik të gabuar.

Mlivonciç pretendon se Cavloviç u qëllua për vdekje sepse ai mund të kishte  dëshmuar për atë që ndodhi me të vërtetë në fshat.

Emri i Cavloviçit nuk do të shkruhet kurrë në monumentin e madh prej guri me emrat e viktimave të tjera në pjesën qendrore të fshatit.

Elitat politike kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë të udhëhequra nga Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, nuk ka gjasa ta lejojnë këtë, sepse për ta, ai ishte anëtar i ‘ushtrisë së gabuar’.

Rrethanat në të cilat ai u vra gjithashtu nuk do të zbardhen kurrë, që do të thotë se vrasësi i tij nuk ka gjasa të ndëshkohet kurrë.

 

Nikola Bacic është një gazetar dhe reporter televiziv për Radion dhe Televizionin e Bosnjes dhe Herzegovinës. Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Evropian. 

 


 

Teksti Masakra e Grabovicës në Bosnje: Ushtarët që nuk mund të harronin u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice.