Lajme

Prokurorët e OKB-së: Mlladiç ishte një figurë kryesore në mizoritë e Bosnjës

06.12.2016

Related image

Në ditën e parë të deklaratave mbyllëse në gjyqin e Ratko Mlladiç, prokurorët thanë se ish-komandanti serb i Bosnjës luajti një rol tepër të rëndësishëm në një plan brutal “për të spastruar zonat e Bosnjës nga jo-serbët”.

Prokurorët filluan argumentet e tyre mbyllëse në gjyqin e Ratko Mlladiç të hënën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, duke këmbëngulur se ish-kreu ushtarak i Ushtrisë Serbe të Bosnjës kishte komandë të fortë mbi forcat që kryen gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Ndërkohë që avokatët e Mlladiçit janë shprehur se ai kishte një qëndrim relativisht të largët dhe jo gjithmonë ishte nën kontroll ndërsa forcat serbe të Bosnjës u përpoqën të kryenin një fushatë spastruese në të gjithë Bosnjën, prokurori Alan Tieger tha se kjo ishte “absurde” dhe se provat tregonin “absurditetin e caktimit të Mlladiçit si një figurë dytësore”.

Duke refuzuar pretendimet e mbrojtjes se Mlladiç ishte një mbrojtës i myslimanëve boshnjakë, Tieger tregoi një video ku ai takohej me gjeneralë të tjerë, në të cilën Tieger tha se “prania e tij dominuese” mund të ndihej ndërsa ai kërcënon përfaqësuesit boshnjakë: “Ose do të mbijetoni ose do të zhdukeni.”

Gjykatës iu treguar gjithashtu një video ku Mlladiç flet me një serbo-kanadez në vitin 1944, duke thënë: “Sa herë që vij në Sarajevë, vras ndonjë gjatë rrugës.”

Në video, Mlladiç vazhdoi duke thënë se kishte ardhur koha të hakmerrej ndaj “turqve” –një term ofendues për boshnjakët- dhe u mburr se fshatrat e tyre “ishin shndërruar në plehra”.

Këto fjalë, tha Tieger, tregonin “krenarinë dhe kënaqësinë” e Mlladiçit në fushatën e spastrimit etnik të kryer nga forcat nën komandën e tij, si edhe “përbuzjen e tij për viktimat”.

Image result for prosecutor alan tiger pictures

Duke përdorur deklarata nga zyrtarët nga Ushtria Serbe e Bosnjës, të cilën Mlladiçi e komandonte, si edhe nga personeli i OKB-së, Tieger u shpreh se zinxhiri i komandës ishte i qartë dhe se Mlladiç gëzonte një nivel të lartë autoriteti dhe ishte në dijeni të veprimeve të forcave të tij.

Prokuroria shprehet se synimi kryesor i zyrtarëve të lartë serbë të Bosnjës, përfshirë ai i Karaxhiçit dhe Mlladiçit – krijimi i një shteti serb të pastër etnikisht – kishte filluar në kohën që nisi lufta në vitin 1992.

Ata më pas kërkuan të përdornin spastrimin etnik për të sfiduar “gjendjen faktike” të përbërjes etnike të rajoneve që ata donin të kishin nën kontroll për të ushtruar presion në negociatat me qeverinë boshnjake, tha Tieger.

E kërcënuar me forcë ushtarake në të cilën Mlladiç ishte një lojtar kryesor, qeverisë boshnjake iu tha të pranonte ose të përballej me një “rrugë ferri dhe vuajtjeje”, shtoi ai.

Mlladiç, i cili udhëhoqi Ushtrinë Serbe të Bosnjës nga maji 1992, akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Masakra e Srebrenicës pa vrasjen e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa rreth 10,000 persona vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës për shkak të sulmeve me snajper, bombardimeve dhe privimeve të tjera.

74 vjeçari është shprehur se është i pafajshëm për këto akuza.

Prokuroria do të mbajë deklaratat e saj mbyllëse deri të mërkurën, ndërsa mbrojtja nga data 9 deri më 13 dhjetor.

Të dyja palët do të kenë mundësi të komentojnë deklaratat mbyllëse të secilës më 15 dhjetor në gjykatën e OKB-së.

Gjyqi filloi në maj 2012 dhe vendimi pritet të jepet në vitin 2017.

 

(Publikuar në Balkaninsight 5. 12. 2016.)