KOMRA rrjeti i pajtimit

20150808232410952646

18.08.2015.

Kandiq: Gjykata Speciale, përgjigje amerikane ndaj mossuksesit të UNMIK-ut dhe EULEX-it

20150808232410952646

Intervistë

Vendimin për krijimin e Gjykatës Speciale, Natasha Kandiq e interpreton në kontekstin e përgjegjësisë që ka marrë SHBA-ja përballë Kosovës – krijimit të një shteti të së drejtës në të cilin respektohet ligji

Agron Bajrami

PRISHTINË/BEOGRAD, GUSHT – Gjykata Speciale nuk është kundër Kosovës, por është përgjigjja amerikane ndaj mossuksesit të UNMIK-ut dhe EULEX-it që të krijojnë kushte në të cilat gjyqësia kosovare do të mund të merrte përgjegjësinë për procesimin e krimeve të luftës dhe vrasjeve të pasluftës, të motivuara etnikisht dhe politikisht. Kështu thotë Natasha Kandiq, aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, për ndjekjen e krimeve të luftës dhe pajtimin mes popujve në Ballkan.
Kandiq, që është e njohur si themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ndërsa tani është edhe koordinatore e procesit të krijimit të një komisioni rajonal për përcaktimin e fakteve rreth krimeve të luftës, REKOM, në një intervistë për “Kohën Ditore“ ka analizuar arsyet pse është dashur të krijohet Gjykata Speciale për Kosovën, ndërsa ka folur edhe për procesin e ndjekjes së krimeve të luftës të kryera në Kosovë, në përgjithësi.

Koha Ditore: Parlamenti i Kosovës ka miratuar amendamentin kushtetues dhe ligjet me të cilat mundësohet krijimi i Gjykatës Speciale para së cilës do të procesohen rastet që dalin nga hetimi i Ekipit special hetues, që ka kryer hetimet bazuar në gjetjet e raportit të raportuesit të posaçëm të Këshillit të Evropës, Dick Martty. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim të ngjarjeve? Pse Kosova duhet të krijojë këtë lloj Gjykate Speciale, që në fakt duket të jetë një tribunal ndërkombëtar, që do të funksionojë në kuadër të ligjeve kosovare?

Natasha Kandiq: Mendimi im personal është se krijimi i Gjykatës Speciale për krime të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së është përgjigjja amerikane ndaj mossuksesit të UNMIK-ut dhe EULEX-it që të krijojnë kushte në të cilat gjyqësia kosovare do të mund të merrte përgjegjësinë për procesimin e krimeve të luftës dhe vrasjeve të pasluftës, të motivuara etnikisht dhe politikisht. Unë atë vendim e interpretoj në kontekstin e përgjegjësisë që ka marrë Amerika përballë Kosovës – krijimit të një shteti të së drejtës në të cilin respektohet ligji. Besoj se Departamenti i Shtetit e ka pasur parasysh edhe rezistencën e opinionit publik politik, pjesës së shoqërisë civile dhe disa gjykatësve lokalë ndaj vendimeve të trupave gjykues ndërkombëtarë, kur bëhej fjalë për komandantë të UÇK-së të pozicionuar lart, qoftë kur flitej për krime lufte apo për korrupsion, sikur edhe për frikën e dëshmitarëve, para së gjithash, anëtarëve të familjeve të viktimave shqiptare, si dhe njerëzve të tjerë të rëndomtë, që të dëshmojnë në gjyqe kundër të akuzuarve pjesëtarë të UÇK-së. Nuk duhet harruar faktin se Tribunali i Hagës ka pasur mandat vetëm për shkeljet e së drejtës humanitare gjatë konfliktit të armatosur, ndërsa Gjykata Speciale do të merret me vrasjet e pasluftës, por që ishin në lidhje me konfliktin e armatosur në Kosovë. Zgjidhja që Gjykata Speciale të aplikojë ligjet e Kosovës është shumë e mirë – kjo është një mundësi unike për prokurorët, gjyqtarët dhe juristët e tjerë kosovarë që të mësojnë nga juristët elitë ndërkombëtarë, por edhe të fitojnë qasje në dokumentet dhe dëshmitë të cilat, pa këtë gjykatë, nuk do të ishin në dispozicion. Dëm që Tribunali i Hagës nuk ka aplikuar, së paku pjesërisht, ligjet e ishRSFJ-së, sepse ka mundur të siguronte transfer më të shpejtë të dijes dhe të standardeve të Hagës tek niveli juridik nacional në vendet e dala nga ish-Jugosllavia.
Konkludimi im është se Gjykata Speciale nuk është kundër Kosovës, por ajo gjykatë ka potencial që të eliminojë mangësitë e Tribunalit të Hagës, si dhe problemet që shfaqen në praktikën e gjyqësisë kosovare. Kjo para së gjithash shihet në kontekstin e hetimit të ekipit të Clint Williamsonit – asnjë informatë, asnjë emër i të dyshuarit, nuk ka rrjedhur në publik, gjë që jep garanci se Gjykata Speciale do të ketë sukses në garantimin e sigurisë së dëshmitarëve.

K.D.: Si e vlerësoni përgjithësisht situatën me krimet e luftës të kryera në Kosovë? Sa është drejtësia për krimet e luftës të kryera në Kosovë në të vërtetë e arritshme?

Kandiq: Tribunali i Hagës është meritor që viktimat shqiptare janë njohur juridikisht dhe që ka vërtetuar faktet, të cilat askush më nuk mund t’i ndryshojë. Themelimi i Gjykatës Speciale, sado që të ketë rezistencë në Kosovë, është forcim i së drejtës penale. Por njerëzit e rëndomtë kanë nevojë edhe për drejtësi lokale, që të dinë se kush e kreu një të keqe në një vend të vogël, ose nëse e dinë se kush e ka kryer krimin, për ta drejtësi është nëse ai person nxirret para gjyqit. Do të thosha se koha për drejtësinë po ikën, por ende ka kohë për më shumë drejtësi.

Specialja hap çështjen çka duhet bërë me minimizimin e krimeve të kryera nga ushtria dhe policia serbe

K.D.: Në Kosovë ka pasur shumë polemika rreth asaj nëse duhet të ekzistojë Gjykata Speciale vetëm për rastet e caktuara në të cilat të dyshuar janë vetëm pjesëtarë të UÇKsë, derisa krimet e forcave serbe të kryera ndaj shqiptarëve procesohen para gjyqeve nacionale në Serbi, ose shumica madje edhe i lihen harresës. Marrë parasysh funksionimin e deritanishëm të gjyqësisë serbe, kur bëhet fjalë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, mendoni se drejtësia do të ishte më efikase nëse Gjykata Speciale do të kishte mandat edhe për ato krime?

Kandiq: Tribunali i Hagës ka dënuar pothuaj të gjithë kreun shtetëror të Serbisë nga koha e luftës, kështu që një dimension i drejtësisë për viktimat është arritur. Janë dënuar, përveç Slobodan Milosheviqit, përfaqësuesit më të rëndë- sishëm ushtarakë, policorë dhe civilë të shtetit të Serbisë.
Por, marrë parasysh se për vrasjen apo zhdukjen e së paku 8 000 civilëve shqiptarë, në periudhën janar 1998-qershor 1999, përgjegjëse janë njësitet e Ushtrisë së Jugosllavisë / Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe komandantët e tyre, dhe se para gjykatave në Serbi nuk ka pasur gjykime të komandantëve, por vetëm të ekzekutorëve direkt (në rastin e Suharekës ishte i akuzuar edhe gjenerali policor Radoslav Mitroviq, por gjykata e shkallës së parë e liroi atë nga përgjegjësia penale), ndërsa ka pak gjykime dhe ato zgjasin me vite, dhe Gjykata e Apelit sipas rregullit i përmbys aktgjykimet me dënime nga instanca e parë, nuk ka vend për optimizëm për arritjen e drejtësisë për viktimat shqiptare.
Mendimi im është se krijimi i Gjykatës Speciale për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së hap çështjen se çka duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare që Serbia të ndalë minimizimin e krimeve të kryera nga ushtria dhe MPB-ja serbe dhe të mbrojë gjeneralët sikur që është shefi i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, apo Momir Stojanoviq, shef në kohën e luftës për siguri në korparmatën e Prishtinës, apo Bozhidar Gjeliq, komandant i Brigadës 549 të ushtrisë jugosllave, dhe Goran Radosavleviq – Guri, komandant i njësiteve operative – ndjekëse në kohën e luftës. Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar lidhjen mes veprimit të pjesëtarëve të brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave në Komunën e Drenasit, vrasjeve dhe zhdukjeve të fshatarëve shqiptarë dhe varrezës masive në Rudnicë afër Rashkës, prej ku, më 2014, janë ekshumuar dhe identifikuar mbetjet mortore të 52 shqiptarëve nga Rrezalla, Çikatova e Vjetër, Zebeli i Poshtëm dhe Gllamnasella. Në vend se të shkarkohet nga pozita e shefit të Shtabit të ushtrisë, dhe të hapet një hetim kundër tij, presidenti i Serbisë e mori në mbrojtje Dikobiqin, ndërsa vetë ai e nisi një padi kundër meje për gjoja prishje të imazhit të tij. Fakti që një gjeneral ka zgjedhur që pafajësinë e tij ta dëshmojë përmes një padie private flet se ai është në një panik dhe ka frikë. Ajo padi në seancën e parë ka treguar se gjykatësi ka marrë për detyrë që gjeneralit “t’ia lëshojë një vërtetim“ se jam përgjegjëse për nxjerrje të të pavërtetave dhe prishje të imazhit, gjë të cilën ai do ta paraqesë si dëshmi për pafajësinë e tij përballë vrasjeve të fshatarëve dhe varrezës masive në Rudnicë.
Të përkujtoj se për gjeneralin Momir Stojanoviq, kryetarin e Komisionit të Kuvendit të Serbisë për kontroll të shërbimeve të sigurisë, në shkurt të këtij viti Interpoli ka lëshuar fletarrestim për shkak të përfshirjes në krimet e luftës të kryera ndaj civilëve në Komunën e Gjakovës, por ai lirshëm shëtit nëpër Serbi, derisa Prokuroria (serbe) për Krime Lufte hesht.
Të konkludoj, tek Serbia më askush, përveç organizatave joqeveritare, nuk bën presion që të procedojë krimet e luftës. Komisioni Evropian më nuk kushtëzon integrimet evropiane me bashkëpunimin e vendeve të rajonit të ish-Jugosllavisë me Tribunalin e Hagës, sepse ajo gjykatë më nuk ngre akuza të reja dhe nuk ka kërkesa për dorëzim të dokumenteve. Problemi qëndron në atë se Komisioni Evropian nuk ka strategji të re për vendosjen e drejtësisë transicionale në vendet e Ballkanit Perëndimor, ose, thënë ndryshe, nuk ka politikë të kushtëzimit për anëtarësim në BE, kur bëhet fjalë për përballjen me të kaluarën dhe sundimin e ligjit.
Mendimi im është se Komisioni Evropian duhet t’i kthehet politikës së kushtëzimit dhe që procesimi i krimeve të luftës dhe bashkëpunimi rajonal në themel të regjistrit të viktimave dhe rrethanave të vuajtjeve duhet të fitojnë prioritet në mesin e kushteve për anë- tarësim në BE. Vetëm ashtu mund të arrihet drejtësia për viktimat, por, duke pasur kujdes për atë se sa është përgjegjëse secila palë për krimet e luftës, përndryshe do të kemi një situatë vërtet absurde që nga njëra anë të krijohet gjykata penale ad hoc me detyrë që të sjellë drejtësi për viktimat serbe, ndërsa nga ana tjetër të kemi një përkrahje evropiane dhe ndërkombëtare për mosndëshkimin e gjeneralëve të Ushtrisë së Serbisë për krimet ndaj viktimave shqiptare.

K.D.: Menjëherë pas luftës ka mbizotëruar bindja se Tribunali i Hagës është instrument i cili do të mundësojë dënimin e krimeve të luftës. Sa mendoni se ka qenë efektiv Tribunali i Hagës?

Kandiq: Tribunali i Hagës ka arritur të mbledhë dëshmi të vlefshme dhe të vërtetojë faktet të cilat nuk ka mundur t’i siguronte asnjë gjykatë nacionale. Në fillim kjo ishte një gjykatë pa fuqi, ndërsa me kohë ka arritur që të gjitha vendet pas-jugosllave t’i obligojë për bashkëpunim. Viteve të fundit në punën e trupave gjyqësore ka ardhur deri te ndryshimi i standardeve ashtu që disa gjeneralë janë liruar në procedurat ankimore, edhe pse nuk kishte fakte të reja. Kanë mbizotëruar arsyet politike në kualifikimin e vendimeve në rastet e gjeneralit kroat Gotovina dhe gjeneralit serb Perishiq. Në rastin “gjashtëshja e Kosovës” gjykatësit e Hagës u janë kthyer standardeve të vjetra, andaj rasti është përmbyllur në pajtim me peshën e krimeve të kryera, por vendimet liruese kanë lënë njolla të zeza në faqet e disa prej gjykatësve të Hagës. Edhe në rastin Haradinaj, edhe pse ai u lirua, para së gjithash sepse Prokuroria nuk arriti të dëshmonte aktakuzën, fakte shumë të rëndë- sishme për krimet ndaj serbëve dhe gjoja kolaboracionistëve janë vërtetuar dhe ato mbeten përgjithmonë në nivel të të vërtetave juridike.

K.D.: Një pjesë e madhe e krimeve të luftës të kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë i janë lënë gjykatave nacionale. Sa ka ndikuar kjo në efektshmërinë e arritjes së drejtësisë për krimet e luftës?

Kandiq: Në praktikën e gjykatave nacionale është treguar se prokurorët janë pika më e dobët e secilit sistem gjyqësor nacional. Prokurorët po tregohen si servis i pushtetit dhe jo si organe të pavarura shtetërore. Me një fjalë, gjykatat nacionale kanë rënë në provimin e sundimit të ligjit – të gjithë ishin të gatshëm t’i gjykojnë të tjerët, gjë që nuk kontribuon në forcimin e sundimit të ligjit. Kohët e fundit në rajon vërehet, posaçërisht në Serbi, një lloj flirtimi i prokurorive me viktimat e shtetit të vet, edhe pse detyra e këtyre institucioneve është, para së gjithash, të akuzojë kryerësit e krimeve nga shteti i vet.

Si UNMIK-u, edhe EULEX-i ka dështuar

K.D.: Në Kosovë, në shtatë vjetët e fundit, për krime lufte ishte përgjegjës edhe misioni i Bashkimit Evropian, EULEX. Sa mendoni se EULEX-i ishte i suksesshëm në trajtimin e kë- tyre rasteve?

Kandiq: Për fat të keq, BE-ja, sikur edhe UNMIK-u, nuk i ka aftësuar institucionet kosovare që të mund t’u rezistojnë presioneve politike. EULEX-i është një mision dembel, shumë i larguar nga popullata. Është turp i madh që një prokuror, i cili konsiderohej si prokuror udhëheqës ndërkombëtar në Kosovë, pas përfundimit të mandatit vjen në Beograd dhe bëhet konsultant në një organizatë ndërkombëtare. Zgjedhja e prokurorëve dhe gjykatësve ka qenë një pikë shumë e dobët e misionit të EULEX-it. Dhe storiet për të holla të mëdha që janë paguar për aktgjykime liruese nuk janë hetuar, por janë heshtur.

K.D.: Fondi për të Drejtën Humanitare ka vite që punon në ndriçimin e krimeve të kryera në Kosovë, por edhe në krijimin e rrethanave për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, respektivisht mes shqiptarëve dhe serbëve. Sa është me rëndësi dënimi i të gjitha krimeve për një pajtim të tillë?

Kandiq: Nëse një gjykim profesional kërkon së paku dy vjet, atëherë duhet të pajtohemi me faktin se gjykatat nuk kanë kapacitet që t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit dhe që ata të dënohen në mënyrë të drejtë. Qëndrimi im është se gjykimet janë të rëndë- sishme, madje edhe ato të cilat publiku ekspert i vlerëson si gjykime me arsye politike, sepse vërtetimi i fakteve para gjykatës bëhet sipas procedurës së fortë, pa politikë, derisa në sjelljen e aktgjykimit për individë konkretë ka politikë.
Për pajtim është e nevojshme që të dimë se kush janë viktimat, me emër dhe mbiemër, t’i dimë rrethanat e vdekjes, t’i njohim viktimat e tjera, dhe që jetët e të gjitha viktimave janë njëjtë të vlefshme, porse është një gjë nëse je ushtar dhe vritesh duke kryer shërbimin, ndërsa është gjë tjetër nëse je viktimë e një krimi lufte. Për pajtim është me rëndësi të pranojmë të vërtetat individuale e jo të kërkojmë nga nënat që t’i ndërrojnë të vërtetat e veta, të përcaktojmë faktet, dhe që historianëve e analistëve t’ua lëmë interpretimin e tyre. Për pajtim nuk mjaftojnë faktet gjyqësore. Janë të nevojshme faktet për të gjitha viktimat, ndërsa një gjë e tillë është e mundur vetëm përmes komisionit rajonal, sikur që është REKOM. Për themelimin e REKOM-it ekziston një përkrahje politike në parim, por në këtë moment është e nevojshme që ajo përkrahje të bëhet konkrete, që punët rreth themelimit të REKOM-it t’i marrin përsipër shtetet. Qeveria e Serbisë ka dhënë përkrahjen, kryeministri i Serbisë ka premtuar se do të angazhohet personalisht që të formohet REKOM-i.

K.D.: A është reale të pritet që të gjithë përgjegjësit për krime lufte të nxirren para drejtësisë?

Kandiq: Koha po ikën, dëshmitarët po mplaken, disa po vdesin, gjykimet duhet intensifikuar dhe duhet pasur pritje reale – që një numër sa më i madh i kriminelëve të nxirret në gjyq. Më rëndësi është të vërtetohen emrat e viktimave, ashtu që të sigurojmë kujtimin e përhershëm për secilën viktimë individualisht.

© KOHA Ditore, 9 Gusht 2015

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.