KOMRA rrjeti i pajtimit

Gjykata Speciale e Kosovës

20.05.2021.

Gjykata Speciale e Kosovës dhe Drejtësia Tranzicionale:Përceptimet mbi GJSK-në në Kosovë dhe nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse të DT-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës, Integra PAX, Kathelijne Schenkel, Kosovë

Integra PAX:

Gjykata Speciale e Kosovës dhe Drejtësia Tranzicionale:Përceptimet mbi GJSK-në në Kosovë dhe nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse të DT-së

 

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special (‘Gjykata Speciale e Kosovës’), e krijuar në vitin 2015, është mekanizmi më i fundit për t’i gjykuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në lidhje me Luftën në Kosovë të viteve 1998-1999. Shumica e përpjekjeve për t›u ballafaquar me të kaluarën e luftës në Kosovë janë përqendruar në ndjekjen penale të krimeve të luftës, pa investuar shumë në mekanizmat e tjerë të drejtësisë tranzicionale për ta mbështetur shoqërinë për të shkuar drejt një të ardhmeje më paqësore. Gjykatat e mëparshme ndërkombëtare, dhe gjykatat e brendshme në Kosovë dhe Serbi, kanë arritur ta ndjekin penalisht një numër relativisht të vogël të krimeve të rënda. Si rezultat, ato nuk i përmbushën pritjet e shumë viktimave dhe nuk bënë shumë për ta rivendosur besimin e qytetarëve në proceset e drejtësisë. Për më keq, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi të dyshuarit e pafajshëm ose autorët e dënuar konsiderohen si heronj dhe shumë prej tyre arritën të qëndrojnë ose të kthehen në pozitat e pushtetit politik. Nga të dyja palët, diskursi politik nacionalist është brumosur në një masë të madhe nga kjo e kaluar e luftës, e cila i përcakton narrativat përjashtuese të viktimave dhe autorëve të krimeve.

 

Gjykata Speciale e Kosovës u krijua si përgjigje ndaj pretendimeve serioze se udhëheqja e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shumica e të cilëve u bënë politikanë pas luftës, ishin përfshirë në krime të rënda kundër serbëve, minoriteteve tjera dhe kundërshtarëve shqiptarë. GJSK-ja funksionon brenda sistemit gjyqësor të Kosovës por e inkorporon ligjin ndërkombëtar humanitar dhe funksionon si plotësisht e pavarur. Vendimi për krijimin e këtij entiteti gjyqësor hibrid të veçantë ka qenë subjekt i shumë kritikave dhe kjo nuk ishte vetëm një shqyrtim ligjor ose i të drejtave të njeriut por edhe politik: me Kosovën në listën e anëtarësimit të BE-së, BE-ja u desh ta mbështeste hetimin e këtyre akuzave serioze, pasi mekanizmat e mëparshëm të mbështetur nga sundimi i ligjit në Kosovë e kishin shmangur ndjekjen e ‹peshkut të madh›. Krimet e pretenduara meritojnë të hetohen penalisht dhe të ndiqen penalisht në mënyrë që drejtësia të vendoset për viktimat. Sidoqoftë, projekti i GJSK-së dështoi në një aspekt të rëndësishëm: ajo i shqyrton vetëm krimet e pretenduara të kryera nga njëra palë në konflikt. Mandati i saj i kufizuar për t’i ndjekur penalisht vetëm krimet në lidhje me UÇK-në, është çështja kryesore në pranimin e GJSK-së nga një pjesë e gjerë e shoqërisë së Kosovës.

Pas disa viteve relativisht të qeta që nga viti 2015, një fazë e re për GJSK-në filloi në vitin 2020 kur u njoftua për ngritjen e aktakuzave të para. Për ta testuar opinionin publik të Kosovës mbi GJSK-në, PAX dhe Integra e filluan një studim të përceptimit publik në shtator të vitit 2020 dhe i krahasuan të gjeturat e tij me studimin e përceptimit të vitit 2017, i cili kishte hasur në pak kuptim të publikut për GJSK-në. Të dhënat e vitit 2020 tregojnë se në Kosovë ende ka kuptim të kufizuar për mandatin e GJSK-së. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës, ka rënë besimi se GJSK-ja do të vendosë drejtësi, ndërsa te serbët e Kosovës ai është rritur pak. Kjo mund të ketë të bëjë me ndikimin e diskursit etno-nacionalist rreth thirrjes së GJSK-së në vitin 2019 dhe 2020, me shumicën e shqiptarëve të Kosovës që mendojnë se mandati i GJSK-së është i padrejtë, përderisa shumë serbë të Kosovës dhe të tjerë të Kosovës, e konsiderojnë atë të drejtë. Dallimet në besimin e shprehur, tregojnë për gjasat që grupe të ndryshme etnike t’i shohin ndryshe rezultatet e gjykimeve të GJSK-së.Argumenti kryesor i këtij raporti është se përqendrimi dominues në gjykimet e krimeve të luftës që e trajtojnë të kaluarën e dhunshme në Kosovë, ka bërë pak për ballafaqimin me të kaluarën në një nivel shoqëror për të përparuar si një shoqëri paqësore, gjithëpërfshirëse dhe që shikon përpara. Ka pasur mungesë të investimit në aspekte tjera të rëndësishme, si: kërkimi i së vërtetës dhe dokumentimi, përkujtimi, dëmshpërblimet dhe kompensimi, si dhe njohja dhe mbështetja për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e konfliktit, pavarësisht identitetit dhe statusit të tyre. Të gjitha këto dimensione të drejtësisë tranzicionale duhet të adresohen në vetvete për ta ndihmuar shoqërinë kosovare të shkojë drejt një të ardhmeje më paqësore. Me mandatin e saj të pjesshëm, GJSK-ja nuk do të kontribuojë shumë për këtë qëllim, përveç për heqjen e mundshme nga sistemi të disa liderëve politik. A do të mundet GJSK-ja të kontribuojë pozitivisht në një kuptim më të gjerë, krahas vendosjes deri në një masë të drejtësisë për viktimat, do të varet nga mënyra se si ajo është në gjendje ta shpjegojë mandatin e saj dhe procedurat gjyqësore në një kontekst të politikës së polarizuar rreth saj. Në dritën e procedurave aktuale të GJSK-së, është koha që qeveria e Kosovës dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë të investojnë në një qasje gjithëpërfshirëse për t›u ballafaquar me të kaluarën. Kapitulli i fundit i këtij raporti ofron rekomandime për aktorë të ndryshëm, nga të cilat më të rëndësishmet janë:

GJYKATA SPECIALE E KOSOVËS duhet ta intensifikoj programin për shtrirjen e komunikimit dhe dialogut publik në Kosovë, Serbi dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor; ta rishqyrtojë krijimin e një pranie të përhershme të Dhomave të Specializuara në Kosovë; të sigurojë aktakuza dhe gjykime me kohë dhe efektive, në përputhje të plotë me ligjet në fuqi; dhe të shmangë çdo dyshim për ndikim politik ose paragjykim mbi vendimet dhe procedurat e GJSK-së.

QEVERIA E KOSOVËS duhet të marrë përgjegjësi për GJSK-në si pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe të bashkëpunojë plotësisht për të siguruar që të vendoset drejtësia për viktimat; të tregojë zotim të sinqertë në kërkesën e Komisionit Evropian për të zhvilluar një strategji gjithëpërfshirëse si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, duke investuar në një infrastrukturë për ballafaqimin me të kaluarën (IPBmK) në Kosovë, që e ka primatin në qasjet e përqendruara te viktimat dhe te të mbijetuarit, barazinë dhe ndjeshmërinë më të madhe gjinore, dhe de-etnizimin, de-politizimin, dhe de-personalizimin e iniciativave të BmK-së; Po ashtu duhet ta krijojë një komision parlamentar për ballafaqimin me të kaluarën që e ka për detyrë monitorimin dhe raportimin mbi progresin e qeverisë. BE-ja

DHE AKTORËT KYÇ NDËRKOMBËTARË NË KOSOVË duhet ta mbështesin një përpjekje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse për BmK-në në Kosovë duke investuar resurse politike, burokratike dhe financiare në promovimin e një kornize nacionale për ballafaqimin me të kaluarën; në mënyrë që Kosova t’i përmbushë kërkesat e Komisionit Evropian; ta monitorojnë progresin e Kosovës dhe të Serbisë në ballafaqimin me të kaluarën dhe në praktikat përfshirëse të drejtësisë tranzicionale, në mënyrë eksplicite, si pjesë e procesit të tyre të anëtarësimit në BE. Po ashtu, dialogu i udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i adresojë çështjet e ngutshme dhe të pazgjidhura për ballafaqimin me të kaluarën.

SHOQËRIA CIVILE NË KOSOVË duhet të vazhdojë të punojë me ekipin e shtrirjes së komunikimit të GJSK-së për të arritur komunikim transparent dhe korrekt dhe shpërndarje të informacionit në shoqërinë e gjerë të Kosovës; dhe të punojnë së bashku në një koalicion për avancimin e një strategjie nacionale gjithëpërfshirëse për drejtësinë tranzicionale në Kosovë, përmes angazhimit me komunitete të ndryshme të viktimave, lob të përbashkët drejt qeverisë dhe aktorëve ndërkombëtarë, si dhe të investojë në fushata efektive dhe të qëndrueshme të komunikimit që i luftojnë narrativat nacionaliste dhe përjashtuese.

 

Autore: Kathelijne Schenkel

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.