KOMRA rrjeti i pajtimit

Rahovec
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, duke bërë homazhe në Pastasel. Foto: Smajl Latifi/Facebook.

01.04.2021.

Fshati kosovar përkujton 106 civilët e vrarë gjatë luftës në Kosovë

Kosovë 1999, Pastasel, Rahovecit

Presidenti në detyrë Glauk Konjufca i përshkroi vrasjet e civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatin Pastasel 22 vjet më parë si një krim “monstruoz” nga forcat e Sllobodan Millosheviçit.

 

Zyrtarët dhe banorët lokalë në Pastasel, një fshat në komunën e Rahovecit, përkujtuan të mërkurën 22-vjetorin e një masakre të 106 civilëve gjatë luftës së Kosovës në 1999.

“Kjo masakër, dhe shumë të tjera që ne po përkujtojmë këto ditë në të gjithë Kosovën, na kujton çmimin që kemi paguar për lirinë e Kosovës, por kjo na bën më të vendosur për të mos bërë asnjë kompromis me lirinë, pavarësinë dhe shtetin tonë”, tha ushtruesi i detyrës presidenti Glauk Konjufca, i cili bëri homazhe në memorialin e fshatit.

“Shteti serb nuk i kurseu as fëmijët në këtë masakër. Kjo tregon se sa monstruoz ishte presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç”, shtoi Konjufca.

Pasditen e 31 marsit 1999, forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe rrethuan fshatin me rreth 100 shtëpi, i cili në javët e mëparshme e kishte dyfishuar popullsinë e tij pasi shumë njerëz që ishin zhvendosur nga fshatrat e tjerë nga lufta kishin mbërritur aty për të kërkuar strehim.

Dëshmitarët okularë thonë se pasi hodhën granata për një orë, forcat serbe mblodhën vendasit në një fushë, ndanë burrat nga gratë dhe filluan të qëllonin me armë zjarri.

“Ata i ndanë njerëzit në grupe me nga 30 vetë, në varësi të moshës së tyre. Askush nuk mbijetoi nga grupi i parë. Pati gjithsej katër grupe. Unë isha në grupin e tretë”, tha të mërkurën mbijetuari 77-vjeçar Tahir Krasniqi.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, gjithashtu bëri homazhe për viktimat.

“Ata që u vranë u varrosën fillimisht nga banorët lokalë, por forcat serbe i zhvarrosën ata ditë më pas dhe dogjën disa prej kufomave në një përpjekje për të fshehur krimin”, tha Latifi.

“Për fat të keq, ky krim mbetet ende i pandëshkuar”. shtoi ai, duke bërë thirrje gjyqësorit të Kosovës që të hetojë krimet.

 

Perparim Isufi

 


Teksti Fshati kosovar përkujton 106 civilët e vrarë gjatë luftës në Kosovë u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice