KOMRA rrjeti i pajtimit

Markale
Përkujtimorja të premten. Foto: BIRN.

06.02.2021.

Boshnjakët vajtojnë viktimat e tregut Markale në Sarajevë në vitin 1994

Markale, Sarajevo

Lule u vendosën për të përkujtuar viktimat e bombardimeve të tregut Markale në kryeqytetin e Bosnjës në shkurt 1994, kur 68 njerëz u vranë dhe 142 u plagosën.

 

Familjet e të vdekurve, të mbijetuarit e bombardimeve, politikanë boshnjakë dhe përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës vendosën kurora me lule të premten në vendin e masakrës në tregun Markale për të shënuar 27-vjetorin e saj.

“Unë duhet ta bëj këtë, jam i detyruar ta bëj, sepse kjo nuk mund të harrohet”, tha një nga pjesëmarrëset, Vahida Tvico, e cila ishte dëshmitare e masakrës më 5 shkurt 1994.

Tvico u fsheh nën disa tezga në treg dhe arriti t’i mbijetojë shpërthimit, në të cilin 68 njerëz u vranë dhe 142 të tjerë u plagosën.

Vendimet e gjykatës kanë vërtetuar se predha është gjuajtur nga pozicionet e Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Dyzet e tre njerëz të tjerë u vranë dhe 84 u plagosën në një sulm të dytë në tregun Markale nga forcat serbe të Bosnjës në gusht 1995.

Komandanti i kohës së luftës i Korpusit Sarajevo-Romanija të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Stanislav Galiç, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për terrorizimin e popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit. Pasardhësi i tij si komandant i Korpusit Sarajevë-Romanija, Dragomir Milosheviç, u dënua me 29 vjet burg.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç u dënua gjithashtu për terrorizimin e popullsisë së Sarajevës përmes një fushate të gjatë bombardimi dhe sulmesh me snajper gjatë rrethimit. Karaxhiç u dënua me burgim të përjetshëm për këto dhe krime të tjera.

Ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiç u dënua për të njëjtën akuzë. Ai aktualisht është në apel dhe vendimi përfundimtar do të merret në maj të këtij viti.

 

Nejra Džaferagić


Teksti Boshnjakët vajtojnë viktimat e tregut Markale në Sarajevë në vitin 1994 u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice