Lajme

Aktivistët marshojnë drejt varrit masiv me shqiptarë të Kosovës në Beograd

Me rastin e 17 vjetorit të vrasjeve të 48 shqiptarëve të Kosovës në Suharekë, aktivistë marshuan nga qendra e Beogradit drejt rrethinës së Batajnicës, ku trupat e tyre u gjetën në vitin 2001.

 

Ivana Nikolić, BIRN, Beograd

Aktivistët duke mbajtur një banderolë me sloganin: “Tepër të rinj për të kujtuar, të vendosur për të mos harruar.” Foto: BIRN.

 

Rreth 30 aktivistë të udhëhequr nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, YIHR, dhe lëvizja Nisma Ime, u mblodhën në qendër të Beogradit të shtunën dhe marshuan drejt vendit të një varri masiv në Batajnicë për të shënuar përvjetorin e masakrës nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

Qëllimi ishte të tregonin se varri masiv në qendrën stërvitore policore në Batajnica ku ndodheshin trupat e rreth 700 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë edhe viktimat e Suharekës, ishte “shumë pranë Sheshit Republika të Beogradit”, tha për BIRN Jovana Prusina nga YIHR.

“Kjo është diçka që njerëzit nuk e dinë dhe diçka për të cilën në Serbi nuk flitet,” tha Prusina.

Dyzetë e tetë banorë të qytetit kosovar të Suharekës u vranë më 26 mars 1999 nga forcat serbe.

Dyzetë e gjashtë prej tyre ishin anëtarë të familjes Berisha: 14 prej tyre nën 15 vjeç, përfshirë dy foshnja, si edhe një grua shtatzënë dhe një e moshuar.

Dy gra dhe një fëmijë i mbijetuan masakrës.

Disa prej burrave u vranë ndërsa të mbijetuarit i futën me dhunë në një piceri, u mbyllën atje, dhe më pas u hodhën granata dore.

Ata që tregonin shenja jete, u qëlluan në kokë dhe u transportuan në një varr masiv në Kosovë, ku u hodhën fillimisht.

Trupat u rivarrosën më vonë në qendrën stërvitore policore në Batajnica, pasi u transportuan nga Kosova në përpjekje nga ana e forcave serbe për të mbuluar vrasjet.

Policia ofroi masa sigurie gjatë përkujtimores. Foto: BIRN.

 

Prusina tha se një tjetër arsye për marshimin përkujtimor të ditës së shtunë ishte “rehabilitimi i kriminelëve të luftës, gjë e cila po ndodh tani në Serbi”.

“Kriminelë lufte tani po shpallen heronj. Kemi rastin e ish-oficerit të Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazareviç, i cili është një kriminel i dënuar lufte dhe që u prit si hero pasi kreu dënimin e tij për krime lufte në Kosovë,” tha ajo.

Shefi i policisë në Suharekë Radojko Repanoviç dhe oficeri i policisë Sladjan Curakiç u dënuan me nga 20 vjet burg për përfshirjen e tyre. Oficeri Miroslav Petkoviç dhe oficeri i sigurimit të shtetit Milorad Nisaviç u dënuan respektivisht me 13 dhe 15 vjet burg.

Gjykata e Hagës ka dënuar gjithashtu gjashtë oficerë të lartë nga Beogradi për vrasjet në Suharekë.

Një total prej 744 trupa viktimash shqiptarësh nga Kosova janë zhvarrosur nga varret masive në Batajnica.

Varre masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës janë gjetur edhe në lokacione të tjera në Serbi – në liqenin Perucac, në qendrën policore në Petrovo Selo dhe në guroren Rudnica pranë qytetit të Rashkës.

Megjithatë, deri tani asnjë nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionin e zhvendosjes së trupave.

Vetëm ish-ndihmësi i Ministrit të Brendshëm Vlastimir Djordjeviç është dënuar nga Gjykata e Hagës për transportimin e trupave nga Kosova në Serbi, ndër krime të tjera gjatë luftës së viteve 1990.