Lajme

Përdorimi i fakteve në veprat artistike :: Teatrit

06.03.2015Uncategorized

Bojan Munjin

Të jesh i pranishëm

IMG_9079

Kur shikohet nga një distancë e mjaftueshme kohore (Nisma) KOMRA – ajo e diel paradite, kur është diskutuar për temën e luftërave të kaluara, artin dhe faktet (brenda Forumit të X-të Ndërkombëtar për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave), atëherë nuk mund të thuhet se ai takim në vete ka përmbajtur ndonjë moment të ngritjes katarzike, por edhe fijet e një drame të rëndë. Në një vend, si edhe në aktin e katërt të Hamletit, janë gjetur protagonistët e tragjedisë jugosllave, të cilën as pas 25 vitesh nuk mund ta harrojmë; viktimat e saj, dëshmitarët, luftëtarët e mobilizuar, artistët (filmik) teatror, aktivistët të cilët kanë numëruar të vdekurit dhe iu kanë ndihmuar të gjallëve dhe edhe ata, sot njerëz të rritur, të cilët aso kohe akoma kanë qenë shumë të vegjël dhe të cilët me tmerr në sytë e fëmijëve kanë parë katastrofën njerëzore. Në të vërtetë, shumë prej atyre njerëzve që kanë qenë të pranishëm atë të diele paradite, në fatin e tyre jetësor iu janë shkruar role të shumëfishta, në të cilat janë përzier biografitë profesionale dhe vuajtjet njerëzore, arti i bukur dhe realiteti i shëmtuar, kampet e refugjatëve dhe reflektorët e teatrove, vragat në shpirt dhe vuajtja në fytyrë: ai peizazh i mbytur i brendshëm mund të ndjehej në mesin e të pranishmëve ende sa ishin duke e pirë kafen e mëngjesit dhe po përgatiteshin për konferencën e cila – sipas shenjave të jashtme – ka ngjarë me cilëndo konferencë tjetër të kësaj bote. Atë mëngjes, megjithëkëtë, diçka mungonte e këtë do ta hetonte me gjasë ndonjë terapeut pos-traumatik: njerëzit bisedonin në grupe të vogla, por qeshje të zëshme dhe të shlirshme nuk kishte. Vetëm vdekja e dhunshme si edhe shumë fakte të tjera të pamoralshme dhe ndërgjegjja si refleks i mbetur njerëzor, i kanë bashkuar të gjithë këta njerëz që të jenë së bashku, duke krijuar, në shikim të parë, një takim rutinor në vendin e humanitetit potencial dhe ndoshta të pazakonshëm. Shikojmë me padurim dhe në gjerësi, arti këtu është dukur një dekor i tepërt sepse – thuajse të gjithë tmerrin jugosllav të luftës e kemi mësuar përmendësh – ne tashmë dy dhjetëvjetësha e gjysmë në ethe i shqiptojmë me qindra emra edhe të viktimave e edhe të kriminelëve; se si kush ka rënë e nuk është dashur, dhe se si e gjithë ajo ka qenë dhe nuk është e thënë të ketë qenë. Grindemi dhe ulërijmë edhe ndaj miqve dhe në ata që nuk mendojnë si ne, jemi verbuar nga ritregimi i përsëritur i tmerreve në Vukovar dhe në Sarajevë, nga “Stuhia”, dhe nga kolona e refugjatëve të Mitrovicës në Kosovë, kështu që jemi gati për të rënë edhe njëherë nëse duhet, duke dëshmuar me këtë vetëm atë se thellësisht jemi të palumtur për shkak të asaj që ka ndodhur, të cilën nuk kemi mundur ose nuk kemi dëshiruar për ta parandaluar, si dhe që krejt këtë nuk mund t’ia falim as vetvetes e as të tjerëve. Së këndejmi, para njerëzve, të cilët gjatë atyre shumë viteve janë gëlltitur nga frika dhe dëshpërimi, sesioni Përdorimi i fakteve në veprat me artistike ka mundur për t’iu tingëlluar si një incident i paturp ose si një shtirje intelektuale, por ky do të ishte rasti sikur atë mëngjes të bisedonim për komedinë, pjesët shakatare ose sikur të teorizonim për teatrin. Atë mëngjes jemi marrë me shfaqjet, të cilat kanë folur për luftërat e kaluara dhe ajo që ndoshta ka qenë “gazmore” ka qenë vetëm humori i zi; ende e quajnë e “qeshura para trekëmbëshit”, me të cilën shërbehen njerëzit që të mos çmenden nga tmerri, njësoj si edhe artistët për ta treguar ironinë dhe urrejtjen ndaj fakteve, të cilat neve në kohët e luftërave, kanë qenë të gatshme për të na gëlltitur.

Është shfaqur videoja hyrëse me pjesët e gjashtë shfaqjeve, të cilat trajtojnë luftën në Jugosllavi dhe faktet rreth saj; një pjesë, nga shfaqja Hipermnezioni në regji të regjisorit sarajevas Selma Spahiqit posaçërisht është “qesharake”, sepse i paraqet banorët e çmendur të një rrokaqielli sarajevas, të cilët ushtari në vijën kufitare i ndan sipas kombësisë dhe kërkon që të shkruajnë që me vullnet po e braktisin pronën e tyre….

Kur shikohet e tërë videoja, për shembull, mund të shihen të rinjtë, të cilët luajnë rolet e vetvetes, (Gjenerata 91-95, Makina e montazhit Zagreb, në regji të Borut Sheparoviqit), të cilët prindërit ose shoqëria, me ideologjitë e tyre helmuese të urrejtjes ,kanë dëshiruar t’i shtyjnë në luftë ose, megjithëkëtë, mund të shihet shoqëria kosovare (Patriotic Hipermarket- Hipermarketi patriotik, në produksion të Novi Sadit, Prishtinës dhe Beogradit, në regji të Dino Mustafiqit), në të cilin serbët dhe shqiptarët e pranojnë se janë “mut edhe njëri e edhe tjetri” dhe se shumë fatkeqësi janë bërë për shkak të marrisë, korrupsionit dhe primitivizmit. Shihet edhe pjesa nga shfaqja Aleksandra Zec (HKD Rijekë, në regji të Oliver Frljiqit), e cila e përshkruan ngjarjen autentike të vrasjes së adoleshentes Aleksandra Zec, të babait dhe të nënës së saj, si dhe gjithë barrën e fajit dhe të përgjegjësisë, të cilat e kanë ngarkuar ndërgjegjen e shoqërisë kroate… e kemi parë edhe raportin teatror të të mbijetuarve nga Srebrenica (Potoçari Party, në regji të Stevan Bodrozhës, produksion i Teatrit Nestroyhof Vjenë) si dhe vdekjen e Personave të fshirë në Slloveni… Në të vërtetë, gjithë ai udhë përshkrim teatror, skenë pas skene, ka lënë përshtypje të errët të irealitetit, si një ëndërr e keqe, që zgjon pyetjen a thua është e mundur? Thuajse kjo nuk ka ndodhur dhe është shndërruar në një festival të ngërdheshjes në të cilin qeniet njerëzore vihen në pozita në të cilat kurrë nuk do të dëshironin të ishin, kurse disa njerëz të tjerë bëjnë gjëra për të cilat vetëm një moment përpara do të përbetoheshin se nuk do t’i bëjnë kurrë. Mendoj se atë mëngjes të së dielës kemi qenë të ndërgjegjshëm, pos për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë njerëzore, edhe për veprimin spiralesk të së keqes dhe përmasat e saj metafizike.

Panelistë kanë qenë regjisori Dino Mustafiq, Andrej Nosov dhe Stevan Bodrozha, aktorët Alban Ukaj dhe Maja Izetbegoviq, drejtori i teatrit popullor boshnjak në Zenicë Hazim Begagiq dhe dramaturgu Amir Bashoviq: natyrisht se të gjithë ata kanë folur për përvojat në krijimin e shfaqjeve të përmendura dhe të ngjashme, mbi përjetimet trishtuese të luftës dhe mbi faktet e vdekjes dhe të shkatërrimit, por disi në ajër ndjehej se më e rëndësishmja është që janë të pranishëm, që dëshmojnë para viktimave dhe njerëzve të përfshirë nga dhembja dhe ndjenjat e këqija. Në këtë mënyrë, atë paradite është kristalizuar edhe ndërgjegjja mbi dinjitetin dhe guximin e një gjenerate të artistëve, e cila është krijuar në vuajtjet dhe frustrimet e luftës dhe të shkatërrimit të një vendi të bukur dhe në gjakun dhe klithmat e të rënëve dhe të të shpërngulurve. Ka pasur gjenerata gjatë 25 viteve të fundit, të cilat nuk kanë reaguar ose iu kanë fryrë ideologjive shoviniste dhe e kanë përndezë zjarrin e luftës; shtatë panelistët nuk kanë folur nga pozicioni i cilësdo ideologji, por me nervin e thjeshtë njerëzor të dorës së zgjatur, të ngushëllimit dhe të mirëkuptimit. Me këtë rast ka pasur njerëz në sallë dhe në karrige, të cilët në luftë kanë qenë në “pozita të kundërta”: prej fillimit ka qenë e qartë se nuk do të jetë e lehtë as për njërën palë e as për tjetrën, por ndershmëria e ballafaqimit edhe këtu është treguar me efekte shëruese – luftërat e viteve nëntëdhjetë me një pjesë të tyre janë pasojë e mos ballafaqimeve të mëhershme dhe heshtjes fisnore kokëforte të të gjithë atyre që e kanë ndarë drejtësinë në këto hapësira, të cilët, secili me krenarinë e vet dhe me të vërtetën e vet, kanë shkuar në varr.

Për përvojën time personale, takimi i asaj të diele paradite ka pasur edhe mundësinë e faljes njerëzore: dëshiroj thellë të besoj se ajo në disa zemra edhe ka ndodhur.

 

Autori është kritik i teatrit nga Zagrebi