Lajme

E vërteta e ndaluar: Drejtësia tranzicionale dhe politika e përkujtimit në Kosovë

Dr Gëzim Visoka

Edhe pse shoqëria civile në Kosovë punon në krijimin e narracioneve të reja, ato nuk do të mund ta lirojnë shoqërinë nga lajthitjet ekzistuese etnonacionale, ta tejkalojnë kulturën e heshtjes ose që të krijojnë kushte për pajtim etnik nëse nuk merren me nevojat e përditshme, me interesat dhe perspektivat e viktimave dhe në mënyrë proaktive e avokojnë përfshirjen e paraqitjes së të vërtetës, kërkikmfaljen dhe kompensimin në procesin e paqes kombëtare.

 

Mungesa e paqes reciprokisht të qëndrueshme dhe të dakorduar midis Serbisë dhe Kosovës ka krijuar narracione kontradiktore mbi të kaluarën, kurse bashkësia ndërkombëtare nuk ka investuar përpjekje të rëndësishme për të përparuar proceset zyrtare të zbulimit të së vërtetës, pranimin e fokusuar në viktimën, kompensimin për krimet e kryera dhe pajtimin ndëretnik. Procesi i drejtësisë tranzicionale në Kosovë i paraprirë nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë i drejtuar më shumë nga mbajtja e stabilitetit se sa dokumentimi i së vërtetës mbi të kaluarën dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat. Në një situatë të këtillë të parregulluar, drejtësia tranzicionale është shndërruar në armë ideologjike dhe burim të fërkimit të ndërsjellë, i delegjitimimit dhe i defragmentimit. Derisa narracionet etnonacionale mbi të kaluarën edhe më tutje mbizotërojnë, viktimat e konfliktit injorohen dhe përdoren për qëllime politike, dokumentet e ndryshme dhe komemoracionet vendosen në shërbim të antagonizmit etnik dhe jo të pajtimit politik dhe shoqëror, kurse injorohet dokumentacioni zyrtar dhe proceset e paraqitjes së të vërtetës.

Tribunali i Hagës, UNMIK-u, EULEX-i dhe organizatat e tjera në Kosovë kanë marrë mbi vete pjesën kryesore të dokumentacionit, që kryesisht ka të bëjë me drejtësinë retributive. Qëllimi kryesor i këtij dokumentacioni përbëhet nga mbledhja e një numri të mjaftueshëm të provave të besueshme për ndjekjen penale të prijësve të lartë politik dhe ushtarak në të gjitha palët në konflikt në hapësirën e ish Jugosllavisë. Dokumentacioni i llojit tjetër është përdorur për qërim hesapesh politike në Serbi dhe në Kosovë. Ky dokumentacion kryesisht përdoret që njëra palë të sfidojë aspiratat e djeshme, të tashme dhe të nesërme politike të palës tjetër. Gjatë dy viteve të kaluara të debatit mbi Kosovën të zhvilluara në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, ai debat është në fushëbetejë në të cilën përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës prezantojnë versione të ndryshme të së kaluarës. Serbia e ka shfrytëzuar procesin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë për ta deligjitimuar aspiratën e saj për pavarësi dhe që ta dobësojë argumentin e saj normativ në mbështetje të shtetësisë të bazuar në keqpërdorimin e të drejtave të njeriut në të kaluarën. Nga ana tjetër, Kosova shpesh e ka vënë theksin në krimet serbe të luftës në Kosovë si arsyetim për pavarësinë e saj dhe arsye për pranimin e saj ndërkombëtar, derisa, në të njëjtën kohë, ka synuar për të diskretituar përpjekjet e Serbisë për të penguar integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Dokumentet e këtij lloji në agjendat e ndryshme politike kanë prodhuar narracione paralele, pjesërisht të përputhshme dhe shpesh inkonsistente e, po ashtu, i kanë rrënuar përpjekjet për të tejkaluar humnerën midis narracioneve të ndryshme për të kaluarën. Dokumentacioni është shfrytëzuar për ndërtimin e identitetit vetjak si viktimë, për përulje të tjetrit dhe grumbullim të pushtetit në emër të flijimit në të kaluarën. Dokumentacioni i krimeve të luftës i shfrytëzuar për konstruksionin e këtyre narracioneve zyrtare politike në të dyja anët i ka shtyrë në plan të dytë konsideratat politike ndaj viktimave të të dyja anëve. Praktikat e këtilla monoetnike në Kosovën post-konfliktuale i kanë kontribuuar monopolizimit të hapësirës dhe të drejtave për të përkujtuar të kaluarën.

Në përpjekjen që këto sfida të tejkalohen, organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol vital në pranimin e viktimave të konfliktit në Kosovë si dhe në mbushjen e zbrazëtisë së krijuar me mosekzistimin e një mekanizmi formal për kërkimin e së vërtetës. „Libri i kujtimit i Kosovës“ (LKK) i Fondit për të Drejtën Humanitare (FHP) përfaqëson përpjekjen e parë dhe më serioze që të dokumentohen viktimat njerëzore që kanë pësuar gjatë luftës në Kosovë. LKK paraqet një formë të re të memorializimit virtual në luftë me narracionet etnonacionaliste, që ofron dokumentacion të besueshëm në trajtën e një shumësie të të dhënave që shquhen me numrin dhe me besueshmërinë e tyre. LKK përmban bazën e të dhënave të shtypur dhe digjitale të secilës prej 13.535 personave që janë vrarë ose që janë zhdukur gjatë ose menjëherë pas konfliktit në Kosovë (nga data 1 janar e vitit 1998 e deri në datën 31 dhjetor të vitit 2000.) Evidenca bazohet në 31.600 dokumente dhe mbi 10.000 deklarata të dëshmitarëve dhe, së këndejmi, ofron një pasqyrë të saktë dhe të hollësishme për të gjitha viktimat njerëzore, duke përfshirë edhe të dhënat e tyre personale, një përshkrim të shkurt të jetës dhe të vdekjes së tyre dhe referencën në burimet, të cilat e mbështesin narracionin. Duke qenë se në Kosovë dhe në Serbi komemoracionet ende janë të ndara fizikisht në pikëpamje hierarkike dhe etnike, deri tash nuk ka pasur përpjekje që të mbahet kujtimi i përbashkët i viktimave shqiptare dhe i atyre serbe, përkatësisht që të zhvillohen forma estetike të përkujtimit qytetar. Me qëllim që të tejkalohet praktika e përkujtimeve etnonacionale dhe manipulimi me numrin e viktimave në të ardhmen, FDH së bashku i ka dokumentuar viktimat njerëzore, të cilat iu takojnë të gjitha grupeve etnike si edhe të gjitha kategorive të personave civilë dhe të uniformuar.

Me gjithë shpresat, të cilat i zgjon dokumentacioni i shoqërisë civile, ekzistojnë e pakta tri pasiguri kritike, të cilat do të mund të zvogëlonin efektin e tij të dëshirueshëm. Pasiguria e parë është efekti, të cilin LKK mund të ketë në të afërmit e viktimave dhe të personave të zhdukur në Kosovë. Megjithëse LKK synon për të shkruar të vërtetën mbi rrethanat e vdekjes së viktimës, mbetet e pasigurt se në çfarë mase ai synim ia del për të përfshirë aspektet e rrënjosura dhe të mishëruara të përkujtimit dhe të memorializimit. Në dokumentacionin e provave dhe të deklaratave të dëshmitarëve, të mbledhura me ndihmën e ndërmjetësuesve dhe krahas synimit që të ruhet siguria e dëshmitarëve, mund të ketë lëshime të pavullnetshme në përfshirjen e aspekteve të rëndësishme të përkujtimit të dëshmitarëve të gjallë. Pasiguria e dytë është mungesa e mbështetjes së mjaftueshme politike dhe e pranimit zyrtar të dokumentacionit të shoqërisë civile si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, si edhe në kuadër të organeve ndërkombëtare siç janë Kombert e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Të dyja palët vazhdojnë të shfrytëzojnë të dhënat e vjetra mbi viktimat e luftës dhe natyrën e krimeve të luftës. Qeveria e Serbisë në mënyrë proaktive është duke synuar që të diskretitojë FDH-në dhe ka iniciuar procedura para gjykatave vendore me qëllim që të rrëzojë provat dhe gjetjet e tij. Mungesa e përkrahjes politike dhe e pranimit të këtij lloji të dokumenteve në Serb dhe në Kosovë do të mund ta zvogëlonte rëndësinë e tyre politike dhe do t’i bënte të nënshtueshëm ndaj ndikimeve të interesave vendore. Pasiguria e tretë dhe e fundit është roli i LKK në kontributin e pajtimit etnik në Kosovë. Hulumtimet teorike dhe komparative tregojnë se është e vështirë për të gjetur lidhshmërinë shkakore midis paraqitjes së të vërtetës dhe ndërtimit të paqes. Mund të thuhet se për shkak të modestisë dhe përmbajtjes, FDH dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile nuk kanë marrë qëndrim proaktiv në mbështetjet për njohjen zyrtare të gjetjeve të tyre dhe në përfshirjen e zbulimit të së vërtetës në agjendën e dialogut ekzistues nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse shoqëria civile në Kosovë punon në krijimin e narracioneve të reja, ato nuk do të mund ta lirojnë shoqërinë nga lajthitjet ekzistuese etnonacionale, ta tejkalojnë kulturën e heshtjes ose që të krijojnë kushte për pajtim etnik nëse nuk merren me nevojat e përditshme, me interesat dhe perspektivat e viktimave dhe në mënyrë proaktive e avokojnë përfshirjen e paraqitjes së të vërtetës, kërkikmfaljen dhe kompensimin në procesin e paqes kombëtare. Qasjet ndaj memorializimit virtual, të cilat i avokon shoqëria civile dhe të cilat janë të fokusuara në viktimat dhe nisen nga poshtë lart (bottom-up), po ashtu duhet të shndërrohen në forma materiale dhe relacionale (të marrëdhënieve) të memorializimit si një kundërpeshë ndaj politikave etnonacionale të përkujtimit e, po ashtu, edhe për hir të përparimit të mekanizmave pajtuese të paraqitjes së të vërtetës, që përfundimisht i kontribuojnë si drejtësisë, ashtu edhe pajtimit.

Hulumtuesit dhe praktikuesit në fushë të drejtësisë tranzicionale duhet të trajtojnë më thellë politikën e krijimit të përkujtimit dhe me rolin të cilin mund ta kenë mekanizmat ndërkombëtarizues të drejtësisë tranzicionale në përparimin e përkujtimit paqësor të kthyer nga e ardhmja. Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë qasjet bottom-up (nga poshtë lart) ndaj memorializimit dhe qasjet, të cilat janë të fokusuara në njerëzit, dhe jo që t’ua lëshojë ato kreatorëve monoetnik të manipulimit me kujtesën. Përparimi i politikave të tilla të së vërtetës do të mund të luante rol konstruktiv në ndërtimin e paqes progresive dhe pajtimtare. Megjithëkëtë, proceset e tilla duhet zbatuar nga fazat e hershme të ndërtimit të paqes si përplotësim i mekanizmave formal dhe joformal të drejtësisë tranzicionale dhe të aktiviteteve të tjera të lokalizuara në krijimin e paqes. Duke e pasur parasysh atë që është thënë më lartë, gjetja e një drejtpeshimi midis paraqitjes së jopolitizuar të së vërtetës dhe pajtimit të kthyer nga e ardhmja në kohën e memorializimit virtual edhe më tutje është një nga sfidat kryesore për dokumentimin bashkëkohor të keqpërdorimit të të drejtave të njeriut dhe të krimeve të luftës të së kaluarës pas konflikteve të dhunshme.

 

Dr Gezim Visoka është ligjërues i lëndës Hulumtimi i Paqes dhe i Konflikteve në Universitetin e Qytetit të Dublinit në Irlandë. Ky tekst bazohet në artikullin e tij, i cili do të publikohet në revistën Journal of Human Rights Practice me titullin ‘Arrested Truth: Transitional Justice and the Politics of Remembrance in Kosovo’. (E vërteta e arrestuar: Drejtësia Tranzicionale dhe politikat e përkujtimit në Kosovë). Punimet e dr Visokës mbi ndërtimin post-konfliktual të paqes dhe menaxhimin ndërkombëtar gjerësisht janë publikuar dhe mund të gjenden në faqen e internetit http://www.gezimvisoka.com