Lajme

Udhëtimi i dëshpëruar drejt lirisë i të mbijetuarve të Srebrenicës

05.07.2017
Mijëra burra dhe djem boshnjakë u vranë në pyjet përreth Srebrenicës në vitin 1995 ndërsa përpiqeshin t’u largoheshin forcave Serbe të Bosnjës – por disa mbijetuan duke ecur për ditë me radhë, duke shmangur pritat dhe fushat e minuara.

Abdusamed Djoziç, një ish-anëtar i Divizionit të 28-të të Ushtrisë Boshnjake, ishte një nga disa mijëra civilë dhe ushtarë boshnjakë që i mbijetuan gjenocidit në Srebrenicë duke ia mbathur nëpër pyje në qytetin e Tuzlës të kontrolluar nga boshnjakët, ndërsa forcat serbe të Bosnjës hynë në zonën e mbrojtur nga OKB-ja në korrik 1995.

Djoziç tha për BIRN se ai ishte në një varg me boshnjakë që po ia mbathnin, të cilët u larguan më 11 korrik rreth orës 22:00 nga fshati Susnjari pranë Srebrenicës, duke shkuar në veriperëndim drejt Konjevic Poljes.

Djoziç tha se vetëm një pjesë e vogël e burrave ishin ushtarë, ndërsa shumica ishin burra dhe djem të moshuar, së bashku me disa gra. Ata e kuptuan se baza e paqeruajtësve të OKB-së në Potocari pranë Srebrenicës nuk do të shërbente për t’u mbrojtur nga forcat serbe të Bosnjës që ishin duke ardhur.

Të lodhur, të uritur dhe të frikësuar – disa të plagosur – të arratisurit u endën për ditë me radhë nëpër pyll.

Djoziç i hasi fillimisht forcat serbe në fshatin Kamenicë, jo larg Srebrenicës. Ai tha se rreth 1,000 njerëz u vranë në vend, ndërsa shumë të tjerë u dorëzuan.

“Ata lëshuan një lloj gazi mendor. Njerëzit filluan të kishin halucinacione. Ata nuk e dinin se kush ishin ata. Thjesht u dorëzuan,” kujton Djoziç.

Megjithatë, kolona e të arratisurve vazhdoi para. Pranë një kodre të quajtur Crni vrh (Maja e zezë), Djoziç tha se boshnjakët u përballën me një tank.

“Shumë u vranë… Një gjashtëvjeçar vdiq në krahët e mi,” tha Djoziç, i cili arriti të shpëtonte një grua që ishte plagosur në gjoks.

Ndërsa ai filloi të mendonte se askush nuk do të mbijetonte, nisi një stuhi dhe burrat nga Srebrenica shfrytëzuan shpërqendrimin për të vazhduar para,” tha Djoziç.

Por ndërsa i afroheshin fshatit Baljkovica, Djoziç u plagos.

“Dolëm në një vend pa pemë dhe hasëm një obus, që filloi të qëllonte direkt mbi turmën e njerëzve. Pashë burra që binin përtokë si të ishin pëllumba prej allçie,” kujton ai.

Ai u qëllua dhe i shpëtua nga një boshnjak tjetër që e tërhoqi atë në pyll dhe e hodhi në një vrimë në tokë.

Djoziç më pas u desh të shpëtonte veten, pasi burri që e shpëtoi u vra menjëherë.

Disa burra të tjerë e ndihmuan atë në një shtëpi aty pranë ku ai njohu doktorin nga Srebrenica Ilijaz Pilav, i cili e fashoi atë.

Pasi arriti më në fund në Tuzla, Djoziç kaloi më shumë se dy muaj në spital duke marrë veten nga plagët e tij.

Kërkimi vdekjeprurës

Pyjet pranë Srebrenicës. Foto: BIRN.

Muhamed Omeroviç ishte në krye të vargut me njerëz ku ndodhej edhe Djoziç ndërsa burrat dhe djemtë ecnin në këmbë prej një jave të tërë, duke kërkuar strehim.

“Çdo ditë dëgjonim se 100, 200 ose më shumë njerëz ishin vrarë. Morëm vesh se vëllezërit ose kushërinjtë tanë kishin vdekur,” kujton Omeroviç.

Ai pretendoi se forcat serbe të Bosnjës vodhën uniforma të paqeruajtësve të OKB-së në Konjevic Polje dhe u kërkuan njerëzve të dorëzoheshin duke u ofruar premtime të rreme se do t’i çonin në Tuzla.

Omeroviç tha se nuk u besoi ushtarëve dhe se u arratis gjatë natës dhe pushonte gjatë ditës. Ai nuk dinte të thoshte se sa shumë njerëz pa të vdisnin nëpër pyje.

Pasi mbërriti në Tuzla, kujton ai, disa njerëz u kthyen përsëri në pyll për të gjetur njerëzit e tyre të dashur.

“Kushëriri im mbërriti në Tuzla dhe dëgjoi se djali i tij s’ia kishte dalë mbanë. Ai u kthye mbrapsht që ta gjente. Ndërkohë, i biri mbërriti, por babai i tij nuk u kthye kurrë,” tha Omeroviç.

Hasan Hodziçu kthye pesë herë pas për të gjetur të mbijetuarit e Srebrenicës. Kur doli të gjente grupin e fundit të boshnjakëve, të cilët kishin kaluar më shumë se 20 ditë në pyll, ai tha se të arratisurit nisën të largoheshin me vrap nga ai pasi s’kishin më besim tek askush.

“Ata ishin të lodhur. U dhembnin këmbët,” tha Hodziç, i cili arriti t’i sillte ata në një vend të sigurt.

Deri në 15,000 burra dhe djem u arratisën nga Srebrenica në korrik 1995 dhe rreth 3,000 prej tyre y vranë ndërsa përpiqeshin të arratiseshin, ndërsa mijëra të tjerë hoqën dorë në mes të rrugës dhe iu dorëzuan forcave serbe të Bosnjës, vetëm që të ekzekutoheshin më pas në disa vende të ndryshme pranë qytetit të Zvornikut.

Gjykata e krimeve të luftës në Hagë dhe gjykatat vendore në Bosnjë dhe Hercegovinë vendosën se këto masakra përbënin gjenocid.

Në Qendrën Përkujtimore Srebrenica në Potocari ndodhen varret e 6,504 viktimave, ndërsa më shumë se 2,000 të tjerë nuk janë gjetur ende.

( Publikuar në BalkanInsight, 05.07.2017. )