KOMRA rrjeti i pajtimit

12.02.2018.

Themelimi i KOMRA-s është tregues i pjekurisë politike të liderëve të vendeve post-jugosllave

BiH, Forumet për drejtësinë tranzicionale, Sarajevo

Koalicioni për KOMRA-n, në Sarajevë, në datën 27 janar të vitit 2018 e ka mbajtur Kuvendin e VIII-të, kurse në datën 28 dhe 29 janar të vitit 2018, Forumin për Drejtësinë Tranzicionale në vendet post-jugosllave, të njëmbëdhjetin me radhë.

Delegatët e Kuvendit e kanë përshëndetur gatishmërinë e shumicës së liderëve të vendeve post-jugosllave që në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, në muajin korrik të vitit 2018, ta nënshkruajnë Marrëveshjen mbi themelimin e KOMRA-s dhe me këtë ta aktivizojnë nenin 49 të Projekt Statutit të KOMRA-s mbi ndërmarrjen e përgatitjeve për themelimin e Komisionit (KOMRA).

Delegatët i kanë bërë thirrje kryetares së Republikës së Kroacisë që të vazhdojë me përkrahjen për Nismën KOMRA, të cilën e ka ofruar edhe ish kryetari i Kroacisë Ivo Josipoviq – me ndihmën profesionale të të cilit është hartuar Projekt Statuti i KOMRA-s (Tetor, 2014). Delegatët ia përkujtojnë kryetares së Kroacisë se në hartimin e Projekt Statutit KOMRA ka marrë pjesë profesoresha e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Zagrebit, dr Zlata Gjurgjeviq, në cilësinë e të dërguarës së kryetarit të Kroacisë në Grupin Punues Rajonal për hartimin e Statutit KOMRA. Këtë Statut, pa asnjë kundërshtim, në datën 14.11.2014, e ka miratuar Koalicioni për KOMRA-n, duke e pritur inicimin e shpejtë të procedurës për themelimin e KOMRA-s.

Koalicioni i drejtohet me lutje kryetares së Kroacisë që të ketë parasysh faktet, të cilat i ka konfirmuar Tribunali i Hagës dhe gjykatat në Kroaci e në rajon si dhe rezultatet e hulumtimit të Documenta dhe Fondi për të Drejtën Humanitare – të dhënat tregojnë se identiteti dhe rrethanat e vdekjes së më së paku 10.000 viktimave në luftë në territorin e Kroacisë tashmë janë të konfirmuara. Nuk ka asnjë arsye që viktimat e luftës në Kroaci të mos e kenë njohjen rajonale dhe të mos jenë „viktima të përbashkëta“.

Koalicioni për KOMRA-n e thërret kryetaren e Republikës së Kroacisë dhe kryetarin e Sllovenisë, anëtare të BE-së, që t’i bashkohen kryetarëve të Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, si dhe anëtarit boshnjak të Presidencës së B dhe H dhe të emërojnë të dërguarit e tyre personal për shkrimin e Marrëveshjes mbi themelimin e KOMRA-s, të cilën kryeministrat e vendeve post-jugosllave do ta nënshkruanin në samitin e Procesit të Berlinit në Londër në vitin 2018 dhe me këtë të krijojnë kushte që Projekt Statuti KOMRA, në një afat të arsyeshëm, të hyjë në fuqi.

Forumi për drejtësinë tranzicionale i ka tubuar 250 pjesëmarrës – hulumtues të drejtësisë tranzicionale dhe të politikës dhe zbatimit të saj në praktikë, aktivistë të organizatave joqeveritare për të drejtat e njeriut, anëtarë të bashkësive akademike lokale dhe evropiane, prokurorë dhe gjyqtarë, viktima dhe përfaqësues të BE-së.

Paneli mbi ndikimin e nismave civile për përforcimin e drejtësisë tranzicionale ka treguar se janë pak projekte të organizatave joqeveritare të cilat në zbatim e kanë fituar përkrahjen politike

dhe se shembulli i Nismës për KOMRA-n ka treguar se ka qenë të nevojshme 10 vite që të fitohet përkrahja politike (e paqëndrueshme), e cila është vështirë e qëndrueshme më së shumti falë faktit se Koalicioni për KOMRA-n, pos avokimit politik e publik, zhvillon hulumtime empirike – regjistrimin e viktimave të luftës në periudhën 1991 – 2001, si aktivitetet i përkrahjes së mandatit të KOMRA-s. Paraqitja e aktivitetit të “Grave në të zeza” (Žene u crnom) qartazi ka treguar se regjistrimi këmbëngulës i krimeve dhe pjesëmarrja në komemoracione anë e kënd rajonit thellësisht e shqetëson publikun dhe e përforcon bashkë-ndjenjën ndaj viktimave “të tjera”, por se elitat politike në Serbi nuk e përkrahin humanizimin e „të tjerëve“.

Paneli mbi pajtimin nga këndvështrimi i bashkësisë akademike ka dhënë një pamje të ngrysur të akademikëve, të cilët, midis të tjerash, e kanë detyrë të arsimojnë të rinjtë mbi të kaluarën. Është thënë se nuk mund të llogaritet në ta, se individët e angazhuar nuk mund ta mbulojnë faktin se „të gjithë e ruajnë lëkurën e tyre“, dhe kjo është arsyeja se përse në secilin vend i kemi vetëm një ose dy historian që flasin publikisht, derisa sa të gjithë të tjerët shprehen mbi nevojën shkencore për „distancën historike “.

Paneli mbi trashëgiminë e Tribunalit të Hagës e ka problematizuar kontributin e Tribunalit në arsimimin mbi krimet e luftës dhe përgjegjësinë komanduese, në ndjekjen e krimeve të luftës para gjykatave vendore, në kontributin e proceseve demokratike – heqjen nga skena politike të disa prej liderëve ushtarak e politik përgjegjës për luftën dhe krimet e luftës dhe ndërtimin e kulturës së kujtimit të luftërave dhe të viktimave. Panelistët në mënyrë shumë bindëse kanë treguar se Tribunali, me dënimin e disa prej liderëve më të lartë ushtarak e politik e ka vendosur praktikën që për krimet masive të luftës të përgjigjen bartësit e pushtetit sipas ligjit (de iure). Eric Gordy i ka përmbledhur vlerësimet zyrtare të liderëve lokal dhe të bashkësive mbi Tribunalin me fjalët në vijim: „e vërteta është e ngulfatur, institucionet punojnë kundër nesh, grupi ynë është më i madhi dhe grupi më i rëndësishëm i viktimave, grupet e tjera kanë kryer më shumë krime se sa që flitet publikisht kurse i yni më pak“. Jasna Dragovic – Soso ka treguar se brenda bashkësisë shkencore ekziston pothuajse konsensusi: „ (…) sado qofshin kontributet e tij të tjera, Tribunali nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në ndërtimin e kujtimit publik të luftërave dhe të krimeve të luftës “.

Paneli mbi pajtimin nga këndvështrimi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor i ka shkaktuar reaksionet më të mëdha të pjesëmarrësve të Forumit. Eksperti i lartë i KE-së, David Hudson, me fjalë të thjeshta e ka shpjeguar se çka sjellë strategjia e re e KE-së në pikëpamje të pajtimit: „Ne në BE ia kemi dalë që t’i përmbahemi marrëveshjes – se më kurrë nuk do të vritemi. Juve ju ndihmon BE-ja të ndërtoni rrugë, që më lehtë të udhëtoni dhe të lidheni me të tjerët. Ky është një nga modelet e përkrahjes së zgjerimit të BE-së. BE-ja nuk e konsideron pajtimin si falje të asaj që është kryer, por si indeks të pjekurisë politike, të asaj se sa janë qeveritë në rajon politikisht të pjekura për ta siguruar bashkëpunimin, për të zhvilluar institucionet demokratike dhe që ato të jenë demokratike. Pajtimi është thirrja juaj e brendshme, përgjigje ndaj trashëgimisë. Iu takon juve që ta caktoni qasjen, kurse BE-ja është këtu që t’ju ndihmojë, me kushtin që qasja ndaj fqinjëve të jetë pozitive dhe që qeveritë e politikanët, kur diçka e premtojnë, të qëndrojnë pas fjalës.“

Panelistët, Natasha Kandiq, Ana Rudan dhe Eric Gordy fuqishëm e kanë nënvizuar nevojën për një përkrahje më të fuqishme të BE-së ndaj Nismës KOMRA në kontekstin e gatishmërisë së liderëve që t’i kontribuojnë ndërtimit publik të përkujtimit të së kaluarës së përbashkët, regjistrimit të 130.000 viktimave në lidhje me luftërat e viteve 1991 – 2001.

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.