KOMRA rrjeti i pajtimit

Rahovec/Orahovac

19.07.2021.

Rahovec/Orahovac, familija Dina

Kosovë, Rahovec

Selami Dina, Sokol Dina, Ibrahim Dina, Xhemile Dina, Fatmir Dina, Hysen Dina

Njësitet speciale të policisë nga Prizreni/Prizren dhe Gjakova/Đakovica kanë arritur në Rahovec/Orahovac në orët e vona të pasdites, më 18.07.1998. I bartnin uniforma të gjelbra. Herët në mëngjes të ditës së nesërme, më 19.07.1998, pjesëtarë të policisë serbe fi lluan të hynin në shtëpitë shqiptare – i bastisnin, kërkonin armë, shtënin në të gjitha anët, i hidhnin bomba
dore në bodrume, plaçkitnin dhe u vënin zjarr shtëpive. Pjesëtarët e Brigadës së 549 të Motorizuar e bombarduan qytetin nga drejtimi i fshatrave Landovicë/Landovica [Prizren] dhe Rogovë/Rogovo [Gjakovë/Đakovica]. Shtëpitë e vëllezërve Ibrahim, Selami, Sokol dhe Fahredin Dina gjendeshin në dalje të Rahovecit/Orahovac,në drejtim të fshatit Xërxë/Zrze, në mes të ambulancës dhe pikës së karburanteve Jaha Petrol. Herët në mëngjes, në datën 19.07.1998, shumica e anëtarëve të familjes Dina u arratis nga qyteti. Në shtëpi mbetën: Ibrahimi, bashkëshortja Xhemilja dhe djali Fatmiri me bashkëshorten e vet Elviren; dhëndri i Ibrahimit, Sokoli dhe bashkëshortja e tij Gjylsyme me djalin Muhamedin; vëllai i Ibrahimit dhe Sokolit, Selamiu, dhe Hyseni, djali i Fahredinit. Për shkak të bombardimit, të gjithë zbritën në bodrum. Në një pjesë të bodrumit ishin Ibrahimi, Xhemilja, Fatmiri, Sokoli, Hyseni dhe Selamiu, ndërsa në pjesën tjetër Muhamedi, Gjylsymja dhe Elvira. Pas dite, te shtëpia erdhën policët. Pa asnjë paralajmërim, i hodhën disa granata dore në bodrum. Nga ato vdekjen e gjetën Ibrahimi, Xhemilja, Sokoli, Hyseni dhe Selamiu. Fatmiri ishte i plagosur. Atë të plagosur në oborr e panë Muhamedi, Gjylsymja dhe Elvira, që ikën me vrap kur i dëgjuan shpërthimet e bombave dhe të shtëna. Po atë ditë, policia serbe i ka marrë trupat e të vrarëve dhe i ka çuar me kamion në drejtim të panjohur. Në bodrum ka mbetur vetëm trupi i Selamiut. Ditën tjetër, trupin e tij e ka gjetur i vëllai Fahredini. Me ndihmën e një komshiu e varrosën në oborr. Në muajin gusht të vitit 1998, familjarët e kanë rivarrosur Selamiun në varrezat myslimane në Rahovec/Orahovac.