KOMRA rrjeti i pajtimit

truth-and-reconsiliation-1280x575

03.03.2017.

Presidenti duhet të ketë kujdes me themelimin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit

Drejtësinë Tranzicionale, Hashim Thaçi

Nga Nora Ahmetaj

Përpjekja e dytë e Hashim Thaçit për të zbuluar të vërtetën për të kaluarën duhet të jetë më e mirë se e para

Me 24 shkurt 2017 pranova një ftesë nga presidenti Hashim Thaçi për pjesëmarrje në takimin e dytë konsultativ të anëtarëve të shoqërisë civile, klerikëve fetar dhe përfaqësuesve prej trupave diplomatik. Ky takim u caktua për të diskutuar themelimin e Komisionit të së Vërtetës dhe  Pajtimit (KVP) në Kosovë, mbledhja e të cilit u mbajt me 1 mars.

Është takimi i dytë i këti lloji. I pari u mbajt me 13 shkurt. Dy takime brenda dy javëve të bëjnë të mendosh që presidenti po e merr këtë nismë me seriozitet. Është kontrast i madh me përpjekjet e tij me grupin punues ndërministror, të cilin Thaçi e krijoi në qershor 2012, dhe që për detyrë kishte zhvillimin e një strategjie për përballje me të kaluarën dhe pajtimin. Deri më tani, ajo strategji nuk është përfunduar.

Të jem e qartë, nuk po e kritikoj Thaçin për organizim të këtyre takimeve. Këto nisma duhet të nisen prej presidentëve të shteteve, dhe ai po bënë gjithçka brenda mundësive të tij për t’u munduar që ta shpjegojmë të kaluarën në Kosovë. Ky mund të jetë hap para, veçanërisht nëse presidenti e ka seriozisht, dhe është i vendosur që ta përdorë peshën e tij politike në këtë drejtim.

Shpeshherë dëgjoj zëra të anëtarëve të shoqërisë civile, politikanëve dhe asociacioneve të viktimave, që thonë se lidershipi i Kosovës duhet ta bind Serbinë që të kërkojë falje. Megjithatë, Kosova nuk ka arritur që ta bind Serbinë që të paguaj dëmshpërblime për krime të luftës, e as të kërkojë falje.

Shtetet kryesisht ‘në bazë vullnetare’ i nisin negociatat për pajtim si rezultat i presionit, qoftë i butë e qoftë më i fortë, prej ndonjë grupi që është i asociuar me ndonjë lëvizje për dëmshpërblime,  ose prej akterëve ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar mund t’i bëjë presion Serbisë që ata të kërkojnë falje, por Serbia i mbetet që të vendosë të merr përgjegjësi e ta spastrojë të kaluarën e saj.

Përvojat e 41 KVP-ve ekzistuese nëpër botë tregojnë se nevojitet shumë përkushtim për këtë proces, jo vetëm nga presidenti, por nga të gjithë anëtarët e shoqërisë civile.

Megjithatë, plani i presidentit për ta themeluar një KVP, i cili të paktën për publikun dhe anëtarët e shoqërisë civile ka dalur si papritmas, e ka shtuar edhe një shtresë të konfuzionit, veçanërisht në mbrëmjën e fillimit të operacioneve të gjykatës speciale. Koordinimi i këtij plani mund të shihet edhe si kalkulim politik, në vend si diçka që ka për synim arritjen e ndryshimeve domethënëse sociale.

Nëse presidenti do që të themelojë një KVP si pjesë e pazarllëkut politik në mes të tij dhe komunitetit ndërkombëtar nën pretekstin e stabilitetit dhe paqes, atëherë me plot besim them se do të mbarojë me dështim. Duke gjykuar punën e tij me grupin punues ndërministror, puna e Thaçit sa i përket përballjes me të kaluarën nuk është më e mira.

Themelimi i një Komisioni të së Vërtetës dhe Pajtimit

Përvojat e 41 KVP-ve ekzistuese nëpër botë tregojnë se nevojitet shumë përkushtim për këtë proces, jo vetëm nga presidenti, por nga të gjithë anëtarët e shoqërisë civile. Dëshmitë tregojnë gjithashtu se KVP-të duhet të kenë mandat të qartë dhe buxhet operativ. Kosova duhet ta pronësojë këtë proces, dhe duhet të vendosë që të ndajë fonde për të nga buxheti i saj.

Ekzistojnë direktiva të qarta për komisione të kësaj natyre (pavarësia, autonomia, korniza kohore, anëtarësimi, etj) dhe ekspertiza e nevojshme ekziston në Kosovë, veçanërisht brenda shoqërisë civile. Në rastin e Kosovës duhet të konsiderohet bashkëpunimi rajonal.

Dy mësime të rëndësishme duhet t’i kemi parasysh para se të themelojmë KVP në Kosovë. Së pari, pavarësia e një komisioni të tillë duhet të jetë e garantuar, dhe së dyti, mandati duhet të jetë i realizueshëm dhe i vendosur brenda një kornize kohore që është e arsyeshme, si për shembull 3 vjet.

Presidenti ka shfaqur gatishmërinë e tij duke ftuar palë vendase dhe ndërkombëtare të interesit që ta mbështesin atë për të themeluar KVP. Ai gjithashtu shfaqi përkushtimin e tij para mediave, por kjo është punë serioze. Themelimi i një KVP pa përfshirjen ose kontributin e të gjitha segmenteve të shoqërisë, përfshirë grupet minoritare dhe asociacionet e viktimave dhe personave të humbur, do të ishte një lojë e rrezikshme.

A do ai që ta sakrifikojë drejtësinë për paqe?

Përzgjedhja e Komisionerit/es

Kur një president e emëron një anëtarë të respektuar të shoqërisë në një komision kombëtar, veprimi më i arsyeshëm është përzgjedhja e një personi që shihet si i paanshëm, dhe që është mbi politikën.

Presidenti mund të kërkojë këshilla e mund të kërkojë një komisioner/e potencial/e që vjen prej një shteti tjetër, por unë besoj shumë që nisma duhet të ketë qasje nga poshtë lartë, e jo anasjelltas, dhe që çfarëdo zgjidhje apo këshillë e zbatuar nga jashtë nuk do të funksionojë.

Përvojat me KVP të tjera na tregojnë që vetëm në raste ekstreme qeveritë kanë kërkuar persona të huaj për ta formuar komisionin. Pres me ëndje të shoh se çfarë do të ndajë me ne presidenti në ditët e ardhshme. Por nëse ai do që të emërojë një individ të huaj si komisioner/e, nuk besoj që një veprim i tillë do të sjellë fryte.

Për mua dy pyetje janë shumë të rëndësishme sa i përket themelimit të një KVP në Kosovë. E para është e thjeshtë: çfarë do presidenti nga ky komision? E dyta është shumë më e ndërlikuar: a do ai që ta sakrifikojë drejtësinë për paqe?

Një pyetje qendrore për të gjitha KVP është se a ka të bëjë kërkimi i tyre për të vërtetën me sjelljen e shkelësve të të drejtave të njeriut para drejtësisë, apo me amnisti. Meqë shkelësit e të drejtave të njeriut ende kanë role të rëndësishme në shoqëri, pyetja me të cilën do të përballet ky komision është se a duhet t’i ipet amnisti keqbërësve që ende ecin të lirë në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të promovohet pajtimi.

Sa i përket konsultimeve kombëtare, rekomandimi i përgjithshëm është që, nën rrethanat aktuale, nuk është koha e duhur për ta bërë këtë. Nevojitet një planifikim më gjithëpërfshirës e më i hollësishëm, si dhe një ndërlidhje e të gjitha nismave të nisura më parë për përballje me të kaluarën, qofshin ato formale apo joformale.

E për fund, ky planifikim duhet të bëhet me urgjencë, dhe me bashkëpunim të afërt me përfaqësues të komuniteteve të minoriteteve etnike, dhe me asociacione të viktimave e personave të humbur. Duhet të konsultohet edhe Raportuesi Special i OKB-së për Promovim të së Vërtetës, Drejtësi, Dëmshpërblime dhe Garantim të Mospërsëritjes. Ky organ duhet të kontaktohet fillimisht për këshilla në lidhje me formimin e një KVP në Kosovë – jo Ambasada e Amerikës në Prishtinë, që si duket ishte porti i parë të cilit iu thirr Thaçi.

( Publikuar në Kosovotwopointzero, 28. 02. 2017. )

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.