KOMRA rrjeti i pajtimit

Përkujtohet në Kroaci vrasja e një familjeje serbe gjatë luftës
Përkujtimorja e vrasjes së tre anëtarëve të familjes Zec. Foto: Nikola Puharic.

08.12.2020.

Përkujtohet në Kroaci vrasja e një familjeje serbe gjatë luftës

Boris Milošević, përkujtimore, Zagreb

Aktivistë antifashistë kroatë dhe zv/kryeministri i vendit përkujtuan përvjetorin e vrasjes së kohës së luftës në Zagreb të tre anëtarëve të një familje serbe, përfshirë një vajzë 12-vjeçare.

Lidhja Antifashiste e Kroacisë mbajti një event përkujtimor të hënën në mbrëmje për tre anëtarët e vrarë të familjes Zec në kodrën Sljeme mbi Zagreb, ku ata u vranë nga policët rezervistë kroatë gjatë luftës në dhjetor 1991 – një krim që mbetet i pandëshkuar.

Në 29-vjetorin e vdekjes së tyre, aktivistët vunë lule dhe ndezën qirinj afër vendit të vrasjeve.

Kryetari i Lidhjes Antifashiste, aktivisti veteran i të drejtave të njeriut Zoran Pusiç, tha në përkujtimore se “ky vend nuk ka gjetur forcën për të ndjekur penalisht një krim të tillë të qartë”.

Politikani serb i Kroacisë Boris Miloseviç, i cili është zëvendës kryeministër në qeverinë kroate, mori pjesë në përkujtimore, duke shprehur indinjatën se “pothuajse një familje e tërë u vra vetëm për arsye etnike, vetëm sepse ishin serbë”.

Një batalion i policisë rezerviste kroate erdhi në shtëpinë e familjes 29 vjet më parë, duke vrarë Mihajlo Zecin dhe duke arrestuar gruan e tij Marijan dhe vajzën 12-vjeçare Aleksandrën. Ata më pas i çuan ata në një shtëpizë të shkretë mali pranë Zagrebit dhe i vranë.

Dy fëmijë të tjerë të familjes nuk u morën nga shtëpia e tyre dhe mbijetuan.

Pesë autorët u arrestuan shpejt dhe u rrëfyen, por asnjëherë nuk u dënuan për shkak të parregullsive procedurale gjatë gjykimit.

Ata ishin anëtarë të një njësie të njohur gjerësisht si “Mercepovci” (Burrat e Mercepit), të cilët kishin marrë emrin e komandantit të tij jozyrtar Tomislav Mercep, i cili u dënua në 2017 me shtatë vjet burg për krime lufte. Mercep vdiq muajin e kaluar.

Branka Vierda nga grupi Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut tha në përkujtimore se “të rinjtë sot duhet të dinë se edhe para se ata të lindnin, jetonte Aleksandra e cila nuk ndryshonte nga moshatarët e saj përsa i takon suksesit të saj në shkollë apo xhaketës që mbante, por ndryshonte në faktin se origjina e saj etnike ishte ndryshe”.

“Askush që mbështet paqen dhe lirinë tani nuk mund të lejojë që Aleksandra Zec të fshihet nga historia, dhe kushdo që kujdeset për drejtësinë dhe barazinë duhet të këmbëngulë në nxjerrjen në pah të qëllimeve të liga të autoriteteve politike që lejojnë që një krim të tillë të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Vierda.

Poetja kroate Monika Herceg lexoi vargje në përkujtimore ndërsa artisti multimedial Ivan Marusic Klif ngriti një instilacion audio-video në vend.

Një nismë për t’i vënë një parku në Zagreb emrin e familjes Zec u propozua në vitin 2014 nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, por administrata e qytetit e refuzoi atë.

Regjisori Oliver Frljiç vuri në skenë një shfaqje bazuar në këtë rast të titulluar “Aleksandra Zec” në vitin 2014. Në shfaqje, aktorët lexuan dëshmitë që autorët e dyshuar i dhanë policisë pas arrestimit.

Shfaqja frymëzoi regjisorin Nebojsa Slijepceviç për të bërë filmin e tij “Srbenka”, një dokumentar i vlerësuar me çmime, i cili ndoqi provat dhe premierën e shfaqjes së Frljic dhe u përqendrua në çështjen e kombësisë në Kroacinë bashkëkohore.

 

Anja Vladisavljević


Teksti Përkujtohet në Kroaci vrasja e një familjeje serbe gjatë luftës u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice