KOMRA rrjeti i pajtimit

Një koncert në qytetin e Kninit në gusht 2015, duke shënuar fitoren e Ushtrisë Kroate në Operacionin Stuhia gjatë luftës. Foto: BIRN.

21.02.2024.

Përkujtimoret etnocentrike të luftës jugosllave njollosin të ardhmen, paralajmërojnë ekspertët

Dekadë Kujtese, Olivera Simić

Përkujtimoret konfliktuale me bazë etnike të luftërave të viteve 1990 nënkuptojnë se edhe pse luftimet përfunduan dekada më parë, e kaluara vazhdon të rëndojë të tashmen dhe të ndikojë në të ardhmen e vendeve ish-jugosllave, argumenton një raport ekspertësh.

 

Përkujtimoret konfliktuale me bazë etnike të luftërave të viteve 1990 nënkuptojnë se edhe pse luftimet përfunduan dekada më parë, e kaluara vazhdon të rëndojë të tashmen dhe të ndikojë në të ardhmen e vendeve ish-jugosllave, argumenton një raport ekspertësh.

Në vendet post-jugosllave, ka shpesh narrativa kontradiktore rreth ngjarjeve nga luftërat e viteve 1990, të cilat në vend që të bëhen më pak të diskutueshme me kalimin e kohës kanë qenë gjithnjë e më të ndryshme në interpretimet e tyre të ndryshme të fakteve të vërtetuara nga gjykatat.

Kjo është çështja që theksohet nga një raport rajonal i publikuar së fundmi i titulluar “Dekadë Kujtese: Politika Kujtese dhe Praktika Përkujtimore në Vendet Post-jugosllave”, projekt i Rrjetit të Pajtimit KOMRA. Autorët ofrojnë një sërë shembujsh për të ilustruar kontradiktat midis shteteve të ndryshme (dhe ndonjëherë brenda të njëjtit shtet) në përkujtimin e së njëjtës ngjarje të kohës së luftës në të njëjtën ditë në mënyra krejtësisht kontradiktore.

“E njëjta ngjarje – për shembull, Operacioni Stuhia i vitit 1995 në Kroaci – festohet si një fitore, duke nderuar ushtarët e rënë të Ushtrisë Kroate, ndërsa në Serbi, qeveria organizon ngjarje në përkujtim të viktimave serbe të operacionit”, shpjegoi një nga redaktoret e raportit, Natasa Kandiç, një aktiviste për të drejtat e njeriut, koordinatore e Rrjetit të Pajtimit KOMRA dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd.

“Mesazhi kryesor nga kjo praktikë përkujtimore është se Stuhia është dëshmi e mëtejshme se serbët janë viktimat më të mëdha historike”, shtoi Kandiç.

Qeveria kroate gjithashtu shënon përvjetorin e operacionit Medak Pocket çdo vit duke festuar heroizmin ushtarak të përfshirë, por nuk përmend asnjë viktimë civile serbe që u bë dëm kolateral gjatë operacionit. Por shembulli më famëkeq vjen nga Bosnja dhe Hercegovina, ku zyrtarët brenda të njëjtit shtet dhe në të njëjtën kohë vajtojnë dhe mohojnë gjenocidin e Srebrenicës.

“Bombardimet e NATO-s shënohen në Kosovë me mirënjohje ndaj komunitetit ndërkombëtar, ndërsa në Serbi përgjegjësia për vrasjen e më shumë se 6,700 civilëve shqiptarë nga forcat serbe fshihet nga akuza se NATO vrau mijëra qytetarë serbë, pavarësisht se Fondi Humanitar Kombëtar ka përcaktuar me emër dhe mbiemër se sulmet e NATO-s vranë 854 shqiptarë, serbë dhe romë”, tha Kandiç.

Disa shtete gjithashtu shpërfillin faktin që trupat e tyre kanë kryer krime pavarësisht fakteve gjyqësore që e konfirmojnëkëtë gjë. Në vitin 2000, Milo Djukanoviç, në atë kohë kryeministër i Malit të Zi, i kërkoi zyrtarisht falje Kroacisë për vuajtjet dhe humbjet që shkaktuan ushtarët malazezë, por ka pasur pak ndjekje penale për krime lufte gjatë dy dekadave të fundit në Mal të Zi.

Autorët e raportit u fokusuan në përkujtimet e mbajtura nga viti 2012 deri në vitin 2023 në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Ata i kushtuan vëmendje narrativave kryesore që u promovuan gjatë përkujtimeve, pranisë ose mungesës së përfaqësuesve zyrtarë të qeverive, pranisë ose mungesës së OJQ-ve dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe nëse ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në narrativat për një ngjarje specifike në dekadën e kaluar.

Raporti synon të kontribuojë në diskutimet e vazhdueshme rreth mënyrave për të pajtuar këndvështrimet shumë të ndryshme mbi ngjarjet që shënjuan rajonin në vitet 1990. Qëllimi i tij është të rrisë ndikimin e komunitetit akademik dhe shoqërisë civile në krijimin e një kulture kujtese të bazuar në fakte gjyqësore dhe përvoja personale.

Por kjo do të jetë një detyrë e vështirë, paralajmëroi Kandiç. “Rezultatet që kemi nga analiza e përkujtimoreve nuk sugjerojnë se do të jetë e lehtë të ndikohet në politikat kombëtare të kujtesës, të cilat shpesh janë të kufizuara brenda kufijve etnikë dhe të padukshme për ‘të tjerët’”, tha ajo.

 
E kaluara formëson të ardhmen

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç me aktorë që përfaqësojnë refugjatët në një përkujtimoren në gusht 2020 të viktimave të Operacionit Stuhia. Foto: Presidenca Serbe/Instagram.

Samir Behariç, autor i kapitullit në raport në lidhje me politikën e përkujtimit në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se përkujtimoret mbahen “në përputhje me interesat etnike dhe politike, shpesh në kundërshtim me vendimet e gjykatës, duke mohuar krimet e luftës të njohura ndërkombëtarisht dhe duke nderuar kriminelët e dënuar të luftës”.

Në krye të aktiviteteve të tilla është elita politike serbe e Bosnjës e udhëhequr nga presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, “një mohues i rregullt i shkallës dhe natyrës së gjenocidit të Srebrenicës”, shpjegoi Behariç.

Behariç e përshkruan politikën e përkujtimit në Bosnjë dhe Hercegovinë si një luftë për kujtesë kolektive, pasi “grupe të ndryshme etnike të udhëhequra nga politikanë nacionalistë kërkojnë të pajtojnë përvojat e tyre të kaluara me identitetet e tyre aktuale dhe aspiratat politike”.

“Kjo jo vetëm që ndikon në mënyrën se si shoqëria boshnjake i kujton viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve të luftës, por gjithashtu formëson mënyrën se si brezat e rinj merren me të kaluarën dhe mësojnë për mizoritë”, vuri në dukje ai.

Për shkak të këtij glorifikimi të vazhdueshëm të kriminelëve të luftës, të përcjellë nëpër breza, e kaluara e kohës së luftës vazhdon të jetë një “barrë për të ardhmen e vendit”, shtoi ai.

Jora Lumezi, e cila shkroi analizën e përkujtimoreve të përvitshme shtetërore të Kosovës, ka vërejtur se ato “shërbejnë si momente kryesore që bashkojnë sektorë të ndryshëm të shoqërisë, duke përfshirë krerët e shtetit, figurat e opozitës, shoqërinë civile, mediat dhe popullatën e përgjithshme”.

“Kjo mirënjohje kolektive jo vetëm që thekson përvojat e përbashkëta, por gjithashtu nxit unitetin dhe identitetin kombëtar mes shqiptarëve të Kosovës”, shpjegoi ajo.

Përkujtimoret zyrtare të Kosovës përqendrohen rreth homazheve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe lavdërimin për vendet perëndimore, ndërsa “minoritetet etnike, gratë dhe lëvizjet e tjera politike shpesh paraqiten më pak të theksuara”.

Sipas Lumezit, përkujtimoret e ngjarjeve të kohës së luftës vazhdojnë të formësojnë diskurset bashkëkohore, “duke ndikuar kështu në narrativën historike kolektive të kombit”.

Në analizën e tij për politikën e kujtimit në Mal të Zi, Bojan Baca shkroi se ekziston “një rrjet i ndërlikuar revizionizmi historik, interesash politike dhe faji kolektiv”.

Gjatë mbretërimit qeverisjes prej tre dekadash të Milo Djukanoviçit dhe Partisë së tij Demokratike të Socialistëve, qasja e Malit të Zi për t’u marrë me përfshirjen e tij në luftërat jugosllave ishte të fajësonte Serbinë, sipas Bacës.

“Politika zyrtare e kujtesës ishte ajo e amnezisë selektive, e cila i ka lejuar elitat politike të vendit të shmangin përgjegjësinë e vërtetë për veprimet e tyre gjatë luftërave, duke përjetësuar një narrativë manipuluese që i çliron ata nga përgjegjësia”, shpjegoi ai.

“Për shembull, Milo Djukanoviçi kërkoi falje për rrethimin e Dubrovnikut për të çuar përpara axhendën e tij të re politike, por ai kurrë nuk u mbajt përgjegjës për atë që bëri regjimi i tij, a thua se një ndjesë e çliron atë nga urbicidi”, shtoi ai.

Baca pohoi se kjo narrativë e kontrolluar nga shteti u përjetësua më tej përmes një përqasjeje selektive ndaj mësimit të historisë, e cila “pastroi në mënyrë efektive rolin e Malit të Zi në konflikte dhe kontribuoi në një kuptim të shtrembër të ngjarjeve historike midis brezave të rinj”.

 

“Kërkohet angazhim i vërtetë”

Aktivistë kroatë të paqes u mblodhën në Zagreb në gusht 2023 me një pankartë ku thuhej “Krimet gjatë Operacionit Stuhia janë përgjegjësi e të gjithë ne”. Foto: UDIK.

Raporti vë në dukje se si, në të gjithë rajonin, praktikat përkujtimore në të gjitha vendet përqendrohen në vuajtjet e njerëzve “tanë” dhe minimizojnë ose mohojnë vuajtjet e “të tjerëve”.

Duke u angazhuar në kujtesë selektive, zyrtarët shtetërorë promovojnë narrativa të njëanshme dhe japin një tablo të shtrembëruar ose të pasaktë të ngjarjeve që ndodhën. Politika e kujtesës në rajon mbetet e kontestuar dhe e ngarkuar emocionalisht, me viktimat që shpesh instrumentalizohen.

Por autorët e raportit vazhdojnë të shpresojnë se OJQ-të vendase do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të korrigjuar narrativat etnocentrike të propaganduara nga zyrtarët shtetërorë që bien ndesh me një kujtese të unifikuar dhe gjithëpërfshirëse të ngjarjeve të viteve 1990.

Një nga konkluzionet më të rëndësishme të raportit dhe debatit që pasoi publikimin e tij ishte se “organizatat joqeveritare duhet të vazhdojnë me ‘përkujtimore alternative’ dhe të intensifikojnë kritikat ndaj politikës etnocentrike të kujtesës”, tha Kandiç.

Behariç vuri në dukje gjithashtu rolin vendimtar të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, duke shpjeguar se për vite me radhë ata kanë “lobuar pa u lodhur te zyrtarët e zgjedhur, kanë advokuar brenda komuniteteve të tyre lokale dhe kanë rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e promovimit të pajtimit, ballafaqimit me të kaluarën, dhe duke krijuar një politikë kujtese që i bashkon njerëzit”.

Ai argumentoi se një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj kujtesës është thelbësore për krijimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e vendit. “Kjo nuk do të ndodhë derisa të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë të pranojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe krimet e tjera të luftës të përcaktuara nga gjykatat lokale dhe ndërkombëtare që kanë dënuar tashmë shumë individë për mizori të ndryshme të kryera gjatë luftës”, paralajmëroi ai.

Baca tha ndërkohë se ai beson se hetimet joefektive dhe lirimi nga akuzat i autorëve jo vetëm që përjetësojnë një kulturë mosndëshkimi, por gjithashtu minojnë përpjekjet për të krijuar një narrativë të vërtetë historike.

“Kapërcimi i këtyre sfidave do të kërkojë një angazhim të vërtetë nga autoritetet e reja (të Malit të Zi) për të njohur plotësisht të kaluarën dhe për të vendosur drejtësi për krimet e luftës, duke hedhur bazat për pajtimin e vërtetë brenda shoqërisë malazeze”, argumentoi ai.

 

Olivera Simić

 

Olivera Simic është një profesoreshë e asociuar në Griffith Laë School, Griffith University, Australi. Ajo është autore e librit të sapobotuar ‘“Celebrating” Srebrenica Genocide: Impunity and Indoctrination as Contributing Factors to the Glorification of Mass Atrocities’


Ky artikull u botua fillimisht në balkaninsight.com.

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.