Lajme

Shans i ri për drejtësinë

Nemanja Stjepanoviq

Gjykata Speciale për Kosovën, thonë, do të duhej të fillonte nga puna e saj deri në fund të këtij viti, tamam në kohën kur Tribunali i Hagës do ta çonte në fund punën e tij prej disa dhjetëvjetëshash, gjë që është një fakt i cili domosdo që e bart një simbolikë të caktuar. Gjykata ndërkombëtare penale për ish Jugosllavinë, përndryshe, ka proceduar një numër të madh të lëndëve, ka mbledhur dhe ka ndriçuar me dhjetëra mijëra prova, në mënyrë gjyqësore ka vërtetuar fakte pa numër të shumta mbi luftërat në ish Jugosllavi, por ka pasur edhe disa aktakuza, në mesin e të cilave edhe dy aktakuza kundër komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilat Prokuroria vetëm në masë më të vogël i ka dëshmuar. Tash është radha që në Gjykatën Speciale kohët e fundit të themeluar, e cila po ashtu do të punojë në Hagë, që t’i përmirësojë ato gabime (por edhe lëshimet e gjykatave në Kosovë) – dhe që t’i gjykojë kryerësit e krimeve dhe t’iu sjellë drejtësinë viktimave.

Po të ishte kjo një punë e lehtë, tashmë do të ishte e kryer para Tribunalit të Hagës, e pakta në dy raste – Limaj dhe të tjerët dhe  Haradinaj dhe të tjerët  – që janë zhvilluar para kësaj gjykate. Në të vërtetë, gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtar të Gjykatës Speciale të formuar kohët e fundit duhet ta gjejnë mënyrën që t’i tejkalojnë problemet dhe që të mos i përsërisin gabimet e kolegëve të Hagës nëse njëmend dëshirojnë që rezultati të mos jetë i njëjti. Kurse rezultati në dy gjykimet e Tribunalit të Hagës ndaj komandantëve të UÇK-së, pos aktgjykimit lirues ndaj të katër të akuzuarve (Fatmir Limajt, Isak Muslijut, Ramush Haradinajt dhe Idriz Balajt) dhe aktgjykimit dënues ndaj vetëm dy të akuzuarve (Ibrahim Balës dhe Lahi Brahimajt), është numri i vogël i fakteve të konfirmuara mbi krimet e UÇK-së ndaj civilëve shqiptar, serb dhe atyre romë në Kosovë dhe, si rezultat i kësaj, mungesa e drejtësisë për viktimat e vrasjeve, të burgosjeve, të dhunime, për dëbimin e civilëve dhe për shkatërrimin e pronave të tyre.

Para se të thellohemi në analizë, le t’i kujtojmë disa fakte në lidhje me Gjykatën Speciale, që, në të vërtetë, është një emërtim i shkurtuar për prokurorinë e specializuar dhe panelet e specializuara, të cilat do të vendosen në Hagë dhe do të gjykojnë sipas të drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve kosovare. Kompetencat e tyre, siç theksohet në ligjin e  votuar në Kuvendin e Kosovës, kanë të bëjnë me veprat penale të kryera nga fillimi i vitit 1998 e deri në fund të vitit 2000, e të cilat janë përshkruar në Raportin e senatorit zviceran, Dicka Marty-it, të cilin në vitin 2010 e ka miratuar Asambleja e Këshillit të Evropës.

Zakonisht thuhet se gjykata do të merret me tregtinë me organet e civilëve të kidnapuar serb, por kjo nuk është plotësisht e vërtetë, duke qenë se në Raportin e Dick Marty-t ceken edhe vepra të tjera penale. Para së gjithash është fjala për kidnapimin, burgosjen, torturimin dhe vrasjen e civilëve serb dhe romë, por edhe të shqiptarëve, të cilët UÇK-ja i ka konsideruar jolojal. Detyra kryesore e Gjykatës do të duhej të ishte zgjidhja e atyre krimeve, dhe jo vrapimi i verbër pas provave mbi tregtimin me organe, deri te të cilat, le të thuhet shkarazi, është më e vështira për të ardhur. Ndoshta më së miri është sikur të thuhej kështu: nëse hulumtohen në mënyrën më të duhur dhe ndiqen penalisht rrëmbimet, burgosjet dhe torturat e civilëve, mund të priten edhe rezultatet në lidhje me tregtinë me organet. Radha e kundërt, fare qartazi, nuk do të jap rezultat.

Le t’i kthehemi tash tezës se lëshimet e Tribnalit të Hagës në të vërtetë përbëjnë sfida për Gjykatën Speciale. Me anë të vëzhgimit të rrjedhës së dy gjykimeve të Hagës ndaj pjesëtarëve të UÇS-së mund të hetohen tri grupe të problemeve, të cilat e kanë penguar procesin, pamundësuar konstatimin e gjendjes faktike dhe të përgjegjësisë së të akuzuarve, gjë që para gjykatës të themeluar kohët e fundit nuk guxon të përsëritet.

E para. Gjatë të dyja gjykimeve në Hagë – kurse kjo posaçërisht është shprehur në lëndën e Haradinajt, Balajt dhe  Brahimajt – prokurorët dhe gjyqtarët kanë pasur probleme të mëdha me dëshmitarët. Ata, prej të cilëve është pritur që të ndihmojnë në konstatimin e gjendjes faktike dhe, posaçërisht, në ndriçimin e rolit të të akuzuarve në strukturën e UÇK-së dhe të përgjegjësisë së tyre për krimet, shpesh kanë hequr dorë nga pohimet e tyre të dhëna gjatë hetimeve dhe në sallën e gjykimit i kanë ndryshuar ato pohime në lëvdata për ish komandantët. Janë arsyetuar me përkthimin e dobët, me kujtesën e dobët, kurse ka pasur edhe të tillë të cilët haptazi kanë thënë se janë të frikuar. Kështu, Shefqet Kabashi, ish pjesëtar i UÇK-së, në gjykimin ndaj Haradinajt dhe të tjerëve, ka refuzuar për të dëshmuar, duke qartësuar se në Kosovë „njerëzit vriten pa arsye“ dhe qartazi ua ka bërë me dije gjyqtarëve se nuk beson në masat mbrojtëse. „Masat tuaja të mbrojtjes vlejnë në këtë sallë të gjykimit, por jo edhe jashtë saj“, ka thënë Kabashi dhe më me dëshirë e ka pranuar dënimin dymujor me burgosje, me të cilin është dënuar për shkak të shpërfilljes së gjykatës, se sa rrezikun që me anë të dëshmisë t’i ekspozohet një fati më të rëndë.

Le të kuptohemi, vrasja e dëshmitarëve në Kosovë kurrë nuk i ka pasur përmasat, të cilat i kanë sugjeruar mediat në Serbi, por, gjykuar sipas të gjitha gjasave, ka pasur, që të mos flasim fare për presionet. Fundja, në aktgjykimin e parë të shkallës së parë ndaj Haradinajt dhe të tjerëve (gjykimi më vonë pjesërisht është përsëritur pikërisht për shkak të problemeve me dëshmitarët dhe, së këndejmi, më vonë është shqiptuar edhe një aktgjykim jo i plotfuqishëm) qartazi thuhet  se gjykimi është zhvilluar „në atmosferën në të cilën dëshmitarët nuk janë ndjerë të sigurt“. Së këndejmi, i takon personelit ndërkombëtar të Gjykatës Speciale, por para së gjithash edhe organeve të pushtetit kosovar, që t’i shmangen përsëritjes së një atmosfere të tillë dhe që të sigurojnë që dëshmitarët të ndjehen të sigurt në sallën e gjykimit (le ta kujtojmë Kabashin), por edhe jashtë saj.

Arsyeja e dytë e mossuksesit të prokurorisë së Hagës në lëndët për komandantët e UÇK-së padyshim se janë provat jocilësore nga Serbia. Qysh në fillim të viteve 2000, një nga ministrat e ish qeverisë serbe është lavdëruar se ka plot vagonë me prova kundër Haradinajt (20.000 faqe) dhe se të gjitha do t’i dërgoj në Hagë. Është supozuar se aty për aty ka qenë fjala për deklarata, të cilat pjesëtarët e të dyja resoreve (të sigurimit publik dhe të atij shtetëror) të MPB-së së Serbisë i kanë marrë nga shqiptarët e Kosovës në dy mënyra – ose me shantazhimin e informatorëve të pavullnetshëm ose me anë të detyrimit në stacionet policore, më së shpeshti me anë të zbatimit të torturës ndaj të burgosurve. Dokumentet e tilla, jo vetëm që nuk kanë kontribuuar që komandantët e UÇK-së të gjykohen, por as nuk janë furur fare në shkresat e provave dhe, së këndejmi, as që janë shqyrtuar me rastin e sjelljes së aktgjykimeve.

Serbia nuk mund të lëvdohet as kur është fjala për dëshmitarët. Shembuj ka shumë, por le t’i sjellim vetëm dy. Inspektori i kriminalistikës, nga Ferizaj, Dragan Jashoviqi, ka dëshmuar në lëndën Limaj dhe të tjerët në lidhje me akuzat për krimet e UÇK-së dhe menjëherë pastaj i është hedhur në ndihmë Sllobodan Milosheviqit, duke dëshmuar në mbrojtje të tij. Kështu, prokuroria ka qenë e detyruar që ta kundërshtoj kredibilitetin e dëshmitarit të saj, gjë që është reflektuar në përfundimet e trupit gjykues në gjykimin ndaj Limajt dhe të tjerëve për krime në kampin e ngujimit në Llapushnik. Në sallë të gjykimit, midis të tjerash, janë paraqitur prova mbi burgosjen, marrjen në pyetje, torturimin dhe keqtrajtimin në stacionin e policisë, në të cilin ka punuar Jashoviqi. Shembulli tjetër është deklarata e dëshmitarit me pseudonimin „81“, siç pohohet, të ish ushtarit të UÇK-së, të cilin Prokuroria për Krime të Luftës e Beogradit ua ka dërguar kolegëve të tyre në Hagë. Duke dëshmuar për krimet në Jabllanicë, të cilat, siç pohohet, i ka parë, ai ka paraqitur një sasi aq të madhe të gjepurave  sa që nga kërcënimi potencial është shndërruar në një ëmbëlsirë të vërtetë për ekipin e ekspertëve kulmor në mbrojtjen e Haradinajt.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Këshilli për Kosovë dhe Metohi i Kuvendit të Serbisë e ka formuar Grupin Punues  për grumbullimin e provave mbi krimet e UÇK-së, me qëllim që ato, përmes Prokurorisë për Krime të Luftës, t’ia dorëzojë Gjykatës Speciale. Nëse është fjala për do farë vagonë të ri të mbushur me dokumente dhe me dëshmitar siç është Jashoviqi dhe pjesëtari i cekur i UÇK-së me identitet të mbrojtur, më mirë që ajo punë e kotë sa më parë të ndërpritet. Sidoqoftë, të gjitha provat dhe dëshmitarët, të cilët mund të arrijnë nga qeveria serbe, duhet të kalojnë nëpër sitë dhe shoshë të prokurorisë së specializuar para se të arrijnë në sallë të gjykimit. Posaçërisht nëse dihet se kryetar i Këshillit, i cili e ka formuar Grupin Punues, është Millovan Dracun, raportues i luftës nga Kosova, i njohur me qëndrimet e tij ekstreme ndaj shqiptarëve dhe autor i librit  mbi „Krimet dhe gjenocidin, të cilin e kanë kryer terroristët shqiptarë“ ndaj civilëve kosovar.

Gabimi i tretë i Tribunalit të Hagës, i cili nuk guxon të përsëritet, ka të bëjë me punën e vet prokurorisë. E para, lëndët më të rënda duhet të udhëhiqen nga prokurorët më të mirë dhe jo, ashtu siç ka qenë rasti në lëndën e Haradinajt, nga ata që kanë mbetur, pasi që janë marrë më të mirët. E dyta, hetimet duhet të zhvillohen me precizitet filigranik dhe me përkushtim të skajshëm, pa atë ngathtësinë ndaj të cilës, le të themi, kanë qenë të prirë hetuesit e Hagës kur me rastin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve gjatë hetimeve kanë zbatuar procedurë të gabuar të identifikimit të kryerësve të krimeve, në mesin e të cilëve janë edhe disa të akuzuar.

Le të jemi plotësisht të ndershëm ndaj Tribunalit të Hagës dhe le të themi edhe se ai i ka ndjekur penalisht krimet e kryera në vitin 1998, kur struktura e UÇK-së, aso kohe ushtri në formim e sipër,  ka qenë e shlirshme dhe mezi e prekshme dhe, me vet këtë, me veprat e pjesëtarëve të saj vështirë të provueshme. Numri më i madh i krimeve nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë është kryer pas Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar në muajin qershor të vitit 1999, pra, pas përfundimit të konfliktit të armatosur, që do të thotë se Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë për ato vepra nuk ka qenë kompetente. Gjykata Speciale nuk do ta ketë të njëjtin problem, sepse nuk gjykon në mënyrë ekskluzive sipas së drejtës ndërkombëtare, por edhe sipas ligjeve të Kosovës.

Duhet të kihet parasysh edhe një gjë tjetër, ndaj të cilës Tribunali i Hagës është treguar i papjekur dhe e cila nuk është e lidhur drejtpërdrejtë për punën e prokurorisë dhe të trupave të gjykimit. Është fjala për prezantimin e punës së gjykatës për publikun e interesuar, para së gjithash aty ku janë kryer krimet. Projekti i Outreach-it, i cili është financuar nga paratë e donatorëve dhe ka funksionuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë është treguar si një investim i dobët, prodhimi i të cilit, më së shpeshti, madje as që ka arritur në duart e shfrytëzuese të fundit dhe, edhe atëherë kur ka arritur, ata e kanë hedhur me neveri. Kështu, raportimi mbi punën e gjykatës, me përjashtimet që janë për respekt, gjatë gjithë ekzistimit të saj ka qenë sipërfaqësor dhe qëllimkeq, më së shpeshti i lënë në tablloidët dhe në mediat e financuara nga qendrat, nga të cilat janë financuar edhe luftërat. Nëse kjo përsëritet, do të mungojë pranimi në shoqëri i fakteve të vërtetuara me anë të gjykatës, kurse efekti i punës së gjykatës në pajtimin e bashkësive, me të cilat ka të bëjnë ndjekja penale e krimeve, do të jetë minimal.

Suksesi i dhomave të specializuara dhe i prokurorisë, duhet ta themi edhe këtë, nuk do të varet ekskluzivisht vetëm nga vet ato. Madhe edhe nëse gjithçka e kryejnë në mënyrë shembullore, pa ndihmën e organeve qeveritare kosovare dhe të të gjithë shoqërisë së atjeshme, rezultatet do të mungojnë. Pos votimit të ligjit, harmonizimit të tij me Kushtetutën dhe themelimit të Gjykatës Speciale, është e nevojshme që në shoqëri të formohet atmosfera, në të cilën gjykimet për krimet e luftës do të jetë të mundshme. Në këtë pikëpamje, tashmë, qysh sinjalet e para nuk janë të mira, sepse nga deklaratat e politikanëve të rangut të lartë të Kosovës lehtë mund të hetohet se Gjykatën Speciale e shohin si një të keqe të domosdoshme dhe lëshim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, dhe jo si një institucion i cili do të vendos drejtësinë për viktimat  dhe i cili do t’i kontribuojë shërimit të shtetit kosovar.

Puna e Gjykatës Speciale gjithsesi se do të godas strukturat shtetërore dhe ato lokale në Kosovë, sepse në to qëndron një numër i njerëzve përgjegjës për krimet ndaj civilëve, por kjo nuk duhet të kuptohet si një goditje, por si një ndihmë në vendosjen e një shoqërie të drejtë dhe të shëndoshë, të denjë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

 

Autori është raportues shumëvjeçar i agjencisë gazetareske Sense nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavi, tash i punësuar në Fondin për të Drejtën Humanitare.