KOMRA rrjeti i pajtimit

Jelena Subotic

18.05.2014.

Nevoja për ballafaqim me të kaluarën

Çka do të thotë „ballafaqim me të kaluarën“? Çka, në të vërtetë, dëshirojmë kur themi se disa shoqëri të caktuara duhet të „ballafaqohen me të kaluarën e tyre“? Dhe, saktësisht, si arrihet kjo?

„Ballafaqimi me të kaluarën“ mund të ketë kuptime të shumta dhe mund të jetë i realizuar në shumë mënyra të ndryshme. Në mënyrë ideale, nga shoqëritë, të cilat dalin nga periudha e konflikteve brutale – dëshirojmë që të vërtetojnë vuajtjen e viktimave dhe që, e pakta për fillim, të pranojnë se krimet njëmend kanë ndodhur dhe se nuk janë të trilluara. Pastaj, dëshirojmë që viktimat të marrin një aspekt të kompensimit dhe që padrejtësitë, të cilat i kanë përjetuar – në një mënyrë të korrigjohen. Kjo mund të bëhet në formë të gjykimeve ndaj kryerësve ose të kompensimit material, por edhe përmes kultivimit të kujtimeve ndaj krimeve të së kaluarës, krahas nderimit ndaj viktimave të këtyre krimeve.

Kjo është pikërisht ajo që dëshirojmë kur flasim mbi „ballafaqimin me të kaluarën“. Por, se si arrihet deri te kjo në shoqërinë në të cilën ekzistojnë – jo vetëm grupe të ndryshme të viktimave, por edhe histori të ndryshme, ekskluzive dhe kontradiktoret të të gjithë asaj që ka ndodhur?

Një nga problemet e vërtetimit të së “vërtetës” mbi ndonjë krim rrjedh nga fakti se grupet e ndryshme me kohë zhvillojnë versione të ndryshme të së vërtetës mbi të kaluarën e tyre. Viktimat dhe të mbijetuarit i kanë të vërtetat e tyre, të drejtpërdrejta dhe direkte mbi gjithë atë çfarë iu kanë bërë dhe mbi ata, të cilët janë përgjegjës për këtë. Megjithëkëtë, kjo mund të jetë një lloj jashtëzakonisht i ndryshëm i së „vërtetës“ nga ajo e cila, për shembull, paraqitet në gjykatë. Në ambientin gjyqësor, “e vërteta” bazohet në një lloj tejet specifik të provave. Qëllimi i gjykimit është që të vërtetojë përgjegjësinë individuale të personit konkret dhe jo të ofrojë përgjigje në do farë çështjesh të gjera, siç është çështja se si e tërë ajo ka ndodhur, ndaj kujt dhe si ka ndodhur. Megjithëkëtë, për viktimat dhe të mbijetuarit, personi në bankën e të akuzuarit është më pak thelbësor se sa, të themi, kryerësit e drejtpërdrejt, krimet e të cilëve i kanë parë personalisht e të cilët kurrë nuk janë akuzuar ose personat e rangut të lartë zyrtar për të cilët besojnë se këto krime i kanë urdhëruar, por përfshirja e të cilëve, prapë, nuk ka qenë e mundur të provohet në gjykatë. Problemi është, së këndejmi, se gjykimet janë në gjendje të ofrojnë vetëm një version të së vërtetës mbi të kaluarën, e cila me atë rast shpesh është në kundërshtim ose fare nuk i përfshin kujtimet dhe përjetimet e viktimave dhe të dëshmitarëve. E vërteta e kujt, atëherë, do të duhej ta kishte primatin?

„E vërteta“ është gjithmonë e paplotë dhe joadekuate. Kjo mangësi posaçërisht shprehet në fushën e drejtësisë retributive, përkatësisht proceseve penale. Është e vështirë të imagjinohet se mekanizmat ligjore  – të menduara për të realizuar drejtësinë për veprat konkrete dhe individët mbi bazën e provave ngushta, specifike që kanë të bëjnë me vet ata – mund të jenë hapësirë për vërtetimin e çfarëdo “të vërtete të gjerë”. Gjykimet janë të rëndësishme – për më tepër, ato janë të domosdoshme – por ofrojnë vetëm një pjesë të ngushtë të një rrëfimi më të gjerë mbi të kaluarën.

Klima e tillë e kujtimit të kontestuar është treguar si sfida më e madhe në fushën e ballafaqimit me të kaluarën në ish Jugosllavi. Fakti se grupe të ndryshme mbajnë mend në mënyra të ndryshme ngjarje të caktuara (përkatësisht individët, të cilët janë përgjegjës për to) është transformuar edhe në politikën zyrtare të shteteve të veçanta. Me fjalë të tjera, qeveritë e rajonit i shmangen trajtimit të trashëgimisë së të kaluarave të tyre të dhunshme dhe, në të vërtetë, vetëm i përcjellin narrativat mbizotëruese, pa kurrfarë hulumtimi të rolit të aktorëve të tyre kryesor, si dhe as vet thurjes dhe fundit të atij rrëfimi.

Nisma për KOMRA, që nga fillimi i saj, zhvillohet në një ambient politikisht jomiqësor. Është ballafaquar me pengesa në secilin hap dhe është e detyruar të për të investuar përpjekje të jashtëzakonshme me qëllim që të arsyetojë ekzistimin e saj ndaj publikut  dhe qeverive të rajonit me prirje armiqësore.

Pikërisht për këtë arsye, një projekt si KOMRA është i domosdoshëm – është i konceptuar në një mënyrë, e cila e lejon ekzistimin e versioneve të ndryshme të së vërtetës, sepse lejon që ato të rrëfehen me zërin e viktimave, kurse rrëfimet e tyre ndoshta dallojnë nga të “vërtetat” në mediat zyrtare dhe në proceset gjyqësore. KOMRA insiston në emërimin e të gjitha viktimave, sepse me tregimin për jetën dhe vdekjen e secilës prej tyre, përtërihet edhe dinjiteti i tyre. Një projekt i tillë është njëmend i domosdoshëm.

Rëndësia e KOMRA-s qëndron në atë sepse paraqet rrëfimet mbi viktimat – por të rrëfyera me fjalët e tyre si dhe me fjalët e anëtarëve të mbijetuar të familjeve të tyre. Ato janë aq të fuqishme – dhe aq të dhembshme – sa që njëmend mund të tejkalojnë dallimet midis komuniteteve dhe atë madje në një mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë se sa proceset gjyqësore, deklaratat zyrtare ose fjalimet e politikanëve. Duke i lidhur viktimat përmes një historie të përbashkët të humbjeve dhe të dhembjes, KOMRA ka potencial që ngadalë – shumë ngadalë – t’i ndryshojë narrativat dominuese mbi të kaluarën dhe, në këtë mënyrë, të hap hapësirën për hulumtim të ngjarjeve, të cilat, e pakta deri sot, kanë qenë të fshehura nga shikimi i publikut.

 

Jelena Subotiq

Autore “Vjedhja e drejtësisë: ballafaqimi me të kaluarën në Ballkan” (2009), profesoresha e Georgia State University

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.