Lajme

YIHR KS: Sa e njohin të rinjtë shqiptar dhe serb njëri tjetrin?

16.02.2016

Perceptime konfliktuoze të së kaluarës,

perspektivë shqetësuese e së ardhmes

 

 

Autori i artikullit: YIHR KS

 

Kanë kaluar më se 17 vite që nga lufta në Kosovë, mirëpo marrëdheniet Kosovë-Serbi janë ende të brishta. Kosova sot është duke luftuar për të arritur idenë e një shoqërie multi etnike në aspektin e komunikimit, bashkëpunimit dhe eventualisht integrimit ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në veçanti në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Zgjedhjet lokale në vitin 2013 ishin shumë të rëndësishme për faktin se pjesa në veriore e Mitrovicës mori pjesë në to.

Është e rëndësishme të përmendet se ka pasur shumë pak llogaridhënie si në Kosovë ashtu edhe në rajon, sa i përket për krimeve të luftës. Një numër i madh i njerëzve janë vrarë, shumica civil, e shumë prej tyre nuk janë gjetur kurrë. Kryerësit e krimeve nuk janë mbajtur përgjegjës, viktimat nuk janë kompenzuar në mënyrën e duhur, dhe sistemi arsimor është duke dështuar të kapë historinë e viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor përmes një perspektive rajonale. E gjithë kjo ngadalëson marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha të Kosovës, për të shkuar përtej dallimeve ekzistuese.

Duke parë procesin e ballafaqimit me të kaluarën si thelbësor për të ecur përpara, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë (YIHR KS), ka kryer një hulumtim me fokus të rinjtë që kanë lindur në shoqëritë e pasluftës apo që kanë kujtime të turbullta të luftës nga fëmijëria e tyre.[1] Të rinjtë janë një nga aktorët thelbësor në procesin e ndërtimit të paqes, të cilët do të duhet të çojnë përpara vlerat e pajtimit dhe të ndërtojnë një shoqëri të qëndrueshme në të ardhmen. Andaj, përmes kësaj ankete është synuar të vihet në dukje rëndësia e edukimit: çfarë lloje të informacioneve, rrëfimeve, përshtypjeve kanë këto dy komunitete rreth ngjarjeve nga e kaluara, çfarë paragjykime kanë për njëri-tjetrin? A kanë ndërveprim të përditshëm brenda formave të ndryshme shoqërore? Çfarë dijnë për kulturën e njëri tjetrit dhe sa janë të informuar rreth të kaluarës së afërt? Nisur nga e gjitha që u tha: si po ecën procesi i pajtimit?

Gëzohem që u njohëm!

Pyetja e parë e anketës sonë ishte e thjeshtë – “A keni takuar ndonjëherë shqiptar apo serb?” Përmes kësaj pyetje ne kemi synuar të marrimë një pamje të realitetit në terren: nëse qytetarët e një shoqërie që ka dalur rishtazi nga konflikti, dhe me një sistem të paqartë politik, takohen me njëri-tjetrin në periudhën e pasluftës? Rezultati ynë tregon se 39,36% e të rinjve të Kosovës të etnisë shqiptare (më tej në tekst shqiptarët) kanë pasur rast të takojnë bashkëqytetarët e tyre të përkatësisë etnike serbe, ndërsa 70,59% e të rinjve të përkatësisë etnike serbe (në tekstin e mëtejmë serbët) kanë pasur mundësi të takojnë shqiptarë në më shumë raste. Për të kuptuar këtë më mirë, ishte e rëndësishme të dihej se çfarë ishte arsyeja e mos takimit mes tyre? Përgjigjet më të shpeshta (graf.1.) ishin arsyet e “barrierave etnike, gjuhësore dhe gjeografike.” Çfarë do të thonë këto pengesa? Bazuar në përgjigjet e kemi marrë, shumica e tyre i referohen ndarjes fizike, faktit që nuk jetojnë në të njëjtën bashkësi, dhe duke mos ditur gjuhën dhe kulturën e njëri-tjetrit. Kjo pyetje ishte e hapur, kështu që kemi marrë edhe përgjigje të tilla si humbjet familjare si pasojë e luftës, urrejtje dhe refuzim, por dukshëm në numër më të vogël.

 

Graf 1

Graf. 1. Në qoftë se nuk i keni takuar asnjëherë, cila mendoni se është arsyeja?

 

Për shkak të një periudhe të gjatë të izolimit fizik, një numër i madh i të rinjve nga këto komunitete nuk janë takuar me bashkëmoshatarët e komunitetit tjetër ose vizituar qytetet e njëri-tjetrit, fshatrat, apo shtëpitë; 92.12% e shqiptarëve nuk kanë qenë asnjëherë mysafir në ndonjë familje të përkatësisë etnike serbe, ndërsa 78% e serbëve nuk kanë qenë mysafir në shtëpinë e ndonjë familjeje shqiptare. Paragjykimet shpesh vijnë nga mosdija dhe mos përjetimi i kulturës së një grupi të caktuar shoqëror ndaj të cilit egziston paragjykimi. Është interesante të vërehet roli e mediave në formësimin e mendësisë tek të rinjtë. Kjo u bë e qartë, kur hulumtimi nxorri të dhëna se personat më të njohur tek të rinjtë e Kosovës janë politikanët/et[2] – 62.65% e shqiptarëve kanë identifikuar një ose disa politikanë/e të përkatësisë etnike serbe, dhe 61.61% serbë kanë identifikuar politikanë/e të përkatësisë etnike shqiptare. Në fushën e letërsisë, vetëm 1.84% e shqiptarëve i dinin emrat e shkrimtarëve/eve serbë/e dhe pothuajse e njëjta vlen edhe me serbët që vetëm 1.86% i dinte ndonjë emër të shkrimtarëve/eve shqiptarë/e.
Muzika serbe është e njohur për 46,90% e të rinjve shqiptarë , kurse tek të rinjtë serbë ajo është në përqindje më të vogël, 14,24%. Në Ballkanin Perëndimor, sporti shpesh është shprehur si një tubim, ku ndarjet etnike janë shumë të dukshme. Në këtë kontekst rezultatet tregojnë që 69,68% e shqiptarëve nuk e dinë asnjë emrë të ndonjë atleti/e serb/e, dhe 88,24% e serbëve nuk mund të emërojë ndonjë sportis/e shqiptar/e.

A mund të përmendni ndonjë vend në Kosovë ku kanë ndodhur krimet e luftës?

Njohuritë në lidhje me të kaluarën e afërt gjenden në tregimet e ruajtura në kujtesën e të rinjve në Kosovë. Të gjitha pyetjet në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën kanë qenë të drejtpërdrejta; Megjithatë, njohuritë e prekshme për krime lufte në Kosovë janë të pakta, veçanërisht në lidhje me krimet e kryera kundër grupit tjetër etnik. Vetëm 1% e shqiptarëve mund të emërojë tre deri në pesë vendet ku janë kryer krime lufte kundër serbëve në Kosovë, ndërsa 26.93% e serbëve. Në të njëjtën kategori më shumë se tri vende ku kanë ndodhur krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë, 39.76% shqiptarët ishin në gjendje t’i përmendnin vendet e tilla, dhe vetëm 4.33% e serbëve të Kosovës.

Ne kemi bërë pyetje në lidhje me njohuritë mesatare për krimet e luftës duke kërkuar të përmenden të paktën dy vende ku kanë ndodhur krimet e luftës në Kosovë kundër grupit tjetër etnik. Vetëm 1.66% e të rinjtve shqiptarë kishin përgjigje për këtë pyetje, dhe vetëm 8.36% e serbëve. Sa i përket njohurive për krime lufte kundër shqiptarëve, shifra shkon në 20.89% të shqiptarëve dhe 2.48% e të rinjve serbë. 13,95% e të rinjve shqiptarë dhe 8.67% e të rinjve serbë mund të përmendim vetëm një vend ku ka ndodhur krim lufte në Kosovë kundër serbëve. 11.56% të rinjve shqiptarë dhe 5.88% e të rinjve serbe mund të emërojë vetëm një vend ku ka ndodhur krim lufte kundër shqiptarëve.

 

Graf 2

Graf.2.: A mund të përmendni ndonjë vend në Kosovë ku kanë ndodhur krimet e luftës?

 

A mund të përmendni ndonjë personalitet shqiptar/serb që është akuzuar për krime lufte në Kosovë?

Për këtë pyetje, përgjigjet tregojnë të dhënat si në vijim: 68.17% e shqiptarëve mund të identifikojë emrat e disa personave të akuzuar për krime lufte që janë të përkatësisë etnike serbe, kurse vetëm 17.96% e serbëve; 69,68% e shqiptarëve kanë mundur të identifikojnë personalitete të përkatësinë etnike shqiptare që janë akuzuar për krime lufte në Kosovë, kurse 10.22% e serbëve janë përgjigjur në të njëjtën pyetje. (Graph. 3)

 

Graf 3

Graf. 3 A mund të përmendni ndonjë personalitet shqiptar/serb që është akuzuar për krime lufte në Kosovë?

 

A e dini se ku janë mbajtur gjykimet për krime lufte?

Në pyetjen e fundit, me qëllim të arritjes së një pamje të përgjithshme të pozitës së të rinjve në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, të rinjtë e Kosovës janë pyetur për të përmendur disa vende ku janë zhvilluar gjykimet për krime lufte në Kosovë.

40,87% e të rinjve shqiptarë mendojnë se gjykime të tilla nuk janë mbajtur në Prishtinë, si dhe 29,72% e të rinjve serbë. 50,92% e shqiptarëve janë përgjigjur me JO nëse ka pasur gjykime të zhvilluara në Mitrovicë, dhe 32.20% e serbëve të Kosovës, janë përgjigjur njejtë. 50,92% e shqiptarëve besojnë se në Beograd nuk ka pasur gjykime për krime lufte në Kosovë dhe 32.82% e serbëve ndajnë të njëjtin mendim. 93,47% e të rinjve shqiptarë janë deklaruar se kanë njohuri se ka pasur gjykime në Hagë, Holandë dhe 81,11% e të rinjve serbë kanë dhënë të njëjtën përgjigje (Graf. 4)

 

Graf 4

Graf. 4. A e dini se ku janë mbajtur gjykimet për krime lufte?

 

Ky raport tregon domosdoshmërinë se liria e lëvizjes duhet të trajtohet nga qeveria dhe shoqëria civile. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë dhe të pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe pa frikë në të gjithë vendin. Megjithatë, barrierat ndarëse mes komuniteteve të Kosovës nuk janë vetëm fizike, por edhe psikologjike. Kjo është për shkak të ndikimeve të mediave dhe sistemit të arsimit, të cilat janë etnikisht të ndara dhe të kontrolluara rëndë nga politika. Ndonëse janë përhapës të normave dhe vlerave, ato nuk stimulojnë të menduarit kritik në mesin e të rinjve, por përkundrazi u ofrojnë tregimet të gatshme bazuar në një këndvështrim nacionalist. Si rezultat janë muret e ndarjes në mes të komuniteteve, që më të dukshme janë në aspektin e perceptimit të tyre mbi të kaluarën, por edhe si një perspektivë për të ardhmen. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) qëndron se shoqëria civile ka rol të rëndësishëm në thyerjen e këtyre pengesa, ndërsa ka nevojë për kohë për të ndryshuar dhe arritur deri tek mediat dhe sistemet e arsimit.

 

[1]Hulumtimi është kryer në mes të janarit dhe shtatorit 2015, me një numër total prej 920 të të anketuarve të moshave 17-30 vjeç. Intervistat ishin gjysmë të strukturuara, me 10 pyetje fikse dhe jo-fikse. Hulumtimi është kryer në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës: shqipe dhe serbe.

[2] Është mjaft interesant fakti se, gjithsejtë 30.32% e shqiptarëve dhe 62,85% e serbë nuk e di se sa deputetë serb ka në Parlamentin e Kosovës.

 

Artikulli është referencë e raportit me të njejtin emër, i publikuar nga

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë.