KOMRA rrjeti i pajtimit

_85476472_gettyimages-480382574

25.05.2016.

Drejtësi për mizoritë dhe krimet ekonomike: a mund ta ofrojë këtë BE-ja?

Pak çështje i nxisin veprimet e qytetarëve dhe aktivizmin në zonat e prekura nga konflikti siç është çështja e drejtësisë për krimet mizore dhe krimet ekonomike. Kjo kërkesë e lartë për drejtësi reflekton karakterin e kriminalizuar si të dhunës ashtu edhe të luftës ekonomike në konfliktet e sotme. Shumica e njerëzve në terren e përjetojnë konfliktin si një përballje të përditshme me format e  ndryshme të abuzimit dhe të rrëmbimit, gjë që i bënë jetët e tyre thellësisht të pasigurta.

Ndalimi i abuzimeve të tilla është prioritet i parë. Por, derisa faktorët ndërkombëtarë fokusohen në negociatat e paqes nga lart – poshtë, grupet vendore të shoqërisë civile janë të pritura për të theksuar që kryerësit t’i mbajnë llogaridhënës dhe për të siguruar kompensim për viktimat. Ata e theksojnë drejtësinë, për arsye se ata janë të ndërgjegjshëm se spektri i abuzimit dhe i kriminalitetit – shkelja e të drejtave të njeriut, krimi i organizuar, korrupsioni – shpesh qëndrojnë në zemër të konfliktit dhe se, madje, mbesin edhe atëherë kur armiqësitë kanë përfunduar. Dhe ata e pranojnë se problemi duhet të gjurmohet nga të dyja anët: përmes margjinalizimit të rrjeteve, të cilat i nxisin dhe që kanë përfitime nga abuzimet e tilla, si dhe përmes adresimit të pasojave të cilat i shkaktojnë ato, që, përndryshe, i polarizojnë më tutje komunitetet dhe i shtojnë radhët e ekstremistëve.

Në zonat e prekura nga konflikti ku BE-ja është e përfshirë në një mënyrë, BE-ja shpesh bëhet pikë fokale për avokuesit vendor të drejtësisë dhe kërkesat e tyre. Këto “rrjete të drejtësisë” marrin forma të ndryshme në vende të ndryshme: nga lëvizjet e protestës në Ukrainë dhe Bosnjë, që kërkojnë llogaridhënie për korrupsionin endemik, e deri te aktivistët dhe gazetarët e terrenit në Afganistan dhe Siri, që dokumentojnë dhe publikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, shpesh duke i vënë jetët e tyre në rrezik. Ajo që është e shënueshme është përmasa deri në të cilën aq shumë prej këtyre faktorëve kërkojnë angazhim në BE, duke e parë atë si një aleat të vetin dhe duke shpresuar se përkrahja e BE-së do të bëjë ndryshimin.

Nisma KOMRA në Ballkan është tipike në këtë pikëpamje. Është një nismë rajonale e shoqërisë civile, e cila evokon krijimin e komisionit rajonal për të vërtetën për konstatimin e fakteve të krimeve të luftës të kryera në territorin e ish Jugosllavisë midis viteve 1991 dhe 2001 si dhe për të zgjidhur problemin e mijëra personave të mbetur ende të pagjetur.

Koalicioni për KOMRA-n ka zhvilluar konsultime të gjera në nivelet lokale, kombëtare dhe rajonale me viktimat dhe me shoqatat e veteranëve, me OJQ-të dhe me bashkësitë fetare, grupet e grave dhe të të rinjve, artistët, gazetarët dhe grupet e tjera në shoqërinë civile. Këto konsultime kanë çuar deri te bisedimet shumë njerëz, politikat e të cilëve shpesh janë parë si të papajtueshme, siç janë grupet e viktimave nga komunitete të ndryshme etnike. Ato kanë rezultuar në projekt statutin e komisionit dhe në më shumë se 500,000 nënshkrime të qytetarëve, të cilët e përkrahin nismën. Koalicioni, madje, ka tubuar një pjesë të dokumentacionit mbi të cilin mund të ndërtohet komisioni. E ardhmja e KOMRA-s, sidoqoftë, tash varet nga BE-ja. Kjo varet nga fakti nëse BE-ja e merr udhëheqjen e lehtësimit të fazës në vijim të procesit: negociatat ndërqeveritare, të cilat janë të domosdoshme për themelimin e komisionit.

ECOM është vetëm një shembull i mënyrave se si BE-ja është e thirrur për t’u angazhuar në betejat vendore për drejtësi. Sugjeron një rol të veçantë për BE-në në konfliktet e sotme: fuqizimi i rrjetit të drejtësisë dhe dobësimi i rrjetit të konflikteve. Grupi i Studimit për Sigurinë Njerëzore  e ka identifikuar nevojën për të margjinalizuar rrjetet e konfliktit si një çështje tejet e rëndësishme, për arsye se këta faktor janë të aftë për të trazuar politikat e BE-së për përfundimin e konfliktit dhe për ndërtimin e paqes ose për rrëmbimin e tyre për përfitimin e tyre vetjak politik dhe ekonomik në dëm të qytetarëve të zakonshëm. BE-ja ka instrumente në dispozicionin e vet për t’iu përgjigjur kërkesave vendore për adresimin e keqpërdorimit të përhapur dhe të kriminalitetit. Duke vepruar kështu, BE-ja po ashtu mund të ndërtojë një burim alternativ të autoritetit politik legjitim dhe një elektorat për reformë të mirëfilltë.

A mund ta ofrojë këtë BE-ja? Studimi  ynë i porositur për Shqyrtimin Strategjik i ka identifikuar dy sfida kryesore. Njëra prej tyre ka të bëjë me politikat e drejtësisë të BE-së dhe tjetra me përvojën e shteteve anëtare, që i formësojnë këto politika.

Një problem është ai që, për BE-në, drejtësia ka prirje të jetë vetëm një çështje e parimit. Kjo ka të bëjë me angazhimin për etikën dhe normat në politikën e jashtme. Kur angazhimet normative të BE-së janë parë të përleshen me konsideratat strategjike për paqen dhe stabilitetin, drejtësia shpesh është komprometuar dhe ngadalësuar. Për shembull, BE-ja shpesh konsideron që drejtësia dhe paqja janë objektiva garuese në proceset e paqes. Ndërprerja e marrëdhënieve me kryerësit e krimeve trajtohet si një strategji pragmatike për përfundimin e dhunës. Por kur marrëveshjet ngushtësisht të negociuara shfrytëzohen për të mbrojtur rrjetet e konfliktit në strukturat e pushtetit  – në vend se të mundësojnë margjinalizimin me kalimin e kohës, marrëveshjet e paqes përfundojnë duke e mbyllur hapësirën për reformë ose duke e shtruar rrugën për përsëritjen e dhunës. Këto kanë qenë disa nga pasojat e paqëllimshme të Marrëveshjes së  Dayton-it në Bosnjë dhe të Bonn-it në Afganistan.

Arsyeja tjetër pse drejtësia është margjinalizuar në politikën e jashtme të BE-së ka të bëjë me përvojën e shteteve anëtare. Me përjashtimin e pjesshëm të Holokaustit, shtetet evropiane kanë bërë pak ndëshkime lidhur me trashëgimitë e tyre të abuzimit të trashëguara nga lufta dhe sundimi represiv në Evropë dhe në ish kolonitë. Tranzicionet e negociuara nga diktaturat në demokraci në Evropën Jugore dhe Lindore kanë involvuar fare pak ose asfare drejtësi, siç është “pakti i heshtjes” i Spanjës. Në pjesë të mëdha të Evropës Lindore, kjo iu ka mundësuar ish elitave për ta konvertuar pushtetin e tyre politik në pushtet ekonomik dhe kjo e ka hapur rrugën për plaçkitje dhe kriminalizim pas revolucioneve të vitit 1989. Ngjashëm, dekolonizimi nuk është shoqëruar nga pranimi dhe dëmshpërblimi për abuzimet më të egra të periudhës kolonialiste, siç janë mizoritë franceze në Algjeri.

Ky kombinim i amnistisë dhe i amnezionit nuk mund të sigurojë një udhëzues për trajtimin e konflikteve të tashme. Dhe, nënshtresa e tij e errët po shfaqet në rritje e sipër në vet Evropën, ku trashëgimitë e pa adresuara të së kaluarës abuzive dhe të padrejtësisë janë një faktor në lindjen e lëvizjeve neo-fashiste, raciste, ksenofobe dhe të tjera ekstremiste dhe të partive skajshëm të djathta. “Nostalgjia autoritare” e kacavjerrur në disa pjesë të Evropës po ashtu e ushqen revizionizmin historik, duke e sfiduar rendin demokratik dhe vet projektin evropian.

Hulumtimi ynë sugjeron se BE-ja ka nevojë për ta bërë prioritet drejtësinë, së brendshmi dhe së jashtmi, duke i inkurajuar shtetet anëtare për të trajtuar të kaluarën e tyre vetjake dhe duke krijuar hapësirë për rrjetet e drejtësisë dhe për nismat përbrenda dhe jashtë Evropës. Një qasje ngjashëm e kalibruar është e nevojshme për të adresuar kriminalitetin ekonomik, një pjesë e madhe e të cilit është me karakter tranzicional. Konfliktet gjenerojnë përfitime të mëdha nga shitja e paligjshme e armëve, e drogave, kontrabandimi, përvetësimi dhe korrupsioni, duke i kontribuuar kështu qarkullimit të paligjshëm financiar, i cili vlerësohet të jetë në më shumë se 1 trilion USD për vit. Pastrimi i parave nga përfitimet kriminale e përkeqëson pabarazinë, si në vendin e origjinës, ashtu edhe në atë të destinimit. Ai e ushqen monetizimin e politikave përmes krijimit të nxitësve për liderët politik për lidhje me rrjetet kriminale. Dhe, po ashtu, ai ndikon mbi qytetarët evropian drejtpërdrejt, për shembull duke i shndërruar financat dhe patundshmëritë në vendet siç janë Londra ose Parisi në nxitësit kryesor të pabarazisë.

Në të vërtetë, konflikti i dhunshëm mund të shihet si një lloj i mekanizmit për rishpërndarje grabitqar globale të pushtetit dhe të burimeve. Drejtësia ka një rëndësi kritike për ndërprerjen e këtij mekanizmi dhe për trajtimin e disa prej pasojave të saj të dëmshme.

 

(Publikuar në  Open Democracy, 24 maj, 2016)

 

 

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.