KOMRA rrjeti i pajtimit

Frljic-vecernji list

22.06.2015.

Është e lavdishme që ta harrosh atdheun

Oliver Frljiq

Bilten alb web naslovna

Nacionalizmi është, sipas Ernest Gellnerit, parim politik, i cili kërkon përputhjen e kufijve politik dhe etnik. Narrativi nacionalist e konstruon përkujtimin publik nga ato fakte, të cilat mund ta legjitimojnë këtë parim. Gjithçka që e vë në pyetje përputhshmërinë e cekur, zyrtarisht harrohet ose kuptimi i tij relativizohet.

Në kontekstin e tillë, është i një rëndësie të jashtëzakonshme vendi, në të cilin shfaqet kundër-përkujtimi – përkujtimi i cili i takon grupeve minoritare dhe të cilat janë “të margjinalizuara nga ana e kulturës mbizotëruese”. I konsideruar si instrument i formave të ndryshme të mbizotërimit shoqëror ose si rezistencë ndaj të njëjtës, përkujtimi bëhet akt politik. Nëse flasim për anën politike të teatrit të hapësirës post-jugosllave, ajo mund të konstituohet pikërisht aty, në rezistencën ndaj memoricidit zyrtar, në komemorimin e asaj që historiografia zyrtare e harron, por edhe në ri-interpretimet radikale të fakteve, të cilat nuk nisen nga premisat nacionaliste mbi kongruencën e asaj që është politike dhe nacionale.

Këtë e ka treguar edhe “Antigona” e Sofokliut – dramë e përkujtimit të imponuar, e harrimit që i takon dhe e kundër-përkujtimit. Rrëfimi mbi motrën, e cila vendos për ta varrosur dhe për ta vajtuar vëllain e saj , të cilit i është mohuar kjo e drejtë me dekretin e qendrës më të lartë politike të pushtetit, mund të funksionojë edhe si alegori mbi shoqëritë post-jugosllave dhe politikat e tyre të përkujtimit dhe të harrimit. Megjithëkëtë, shumë më shumë se sa kjo, ai rrëfim flet për teatrin si për një vend të emancipimit të përkujtimit të ndaluar.

Një status i veçantë i përkujtimit, saktësisht i kundër-përkujtimit, më intrigon në punën time teatrore që nga vet fillimi. Pikërisht kjo është pika, në të cilën mungesa anekdotike e interesave të bashkësisë më të gjerë për këtë medium shndërrohet në antagonizim të shprehur shoqëror. Në vend të inskenimit të konflikteve midis personazheve fiktive, teatri në këtë rast e prodhon dramën në fushën e gjerë shoqërore, në hapësirën e harrimit dhe të përkujtimit të normuar, që, në raport me te, përbënë transgresion.

Pikërisht nga përvoja e pjesëmarrjes aktive ose pasive të teatrit në Kroaci në harrimin zyrtarisht të përcaktuar është formuar vizioni im teatror mbi botën dhe mbi gjuhën – burim i mosmarrëveshjeve të përhershme dhe i kundërshtimeve në shumicën e mjediseve në të cilat punoj. Mosmarrëveshja me bashkësinë teatrore kroate e ka arritur kulmin e saj pikërisht në shfaqjen “Aktrimi kroat”, e cila ka përjetuar një linç profesional dhe medial, sepse e ka shtruar çështjen nëse “mundet që ajo, të cilën shumica e aktrimit kroat e prodhon nga lufta e këndej, fare të quhet teatër, nëse, përndryshe, teatri do të duhej të ishte akt shoqëror, etik dhe artistik, i cili ka guxim që krimin ta quaj me emrin e tij, ta marrë të drejtën e arsyes dhe të përcaktojë masën e fajësisë? Çfarë teatri mund të jetë, ajo shumicë e aktrimit kroat, ai teatër i cili nuk e njeh tragjedinë e bashkëqytetarëve të vet? Çfarë teatri është ai teatër i cili ndaj fashizmit përgjigjet me – fashizëm?”

Kurse fashizmi i teatrit kroat, me të cilin jam marrë në atë shfaqje dhe mbi të cilën dhe me argumente të njëjta tmerrohen edhe e majta teatrore e edhe e djathta teatrore, hyn në kuptimin e gjerë të këtij nocioni, ashtu siç e ka përkufizuar Michael Foucault, i cili, krahas “fashizmit historik, fashizmit të Hitlerit e të Musolinit”, tek ai ka parë edhe kuptimin e “fashizmit brenda të gjithë neve, në kokat tona dhe në sjelljen tonë të përditshme, fashizëm ky i cili na bënë që ta duam pushtetin, që ta dëshirojmë pikërisht atë që dominon mbi ne dhe na ka eksploatuar neve.”   Fashistizimi i shoqërisë kroate është realizuar, midis të tjerash, edhe me qëndrimin jokritik ndaj pushtetit në momentin kur ai politikisht ka sponzorizuar vrasjen e qytetarëve kroat të kombësisë fajtore, siç ka qenë rasti me anëtarët e familjes Zec, vrasjet në Fushën e Pakraçit, portin detar Lora, me hapjen e kampeve të përqendrimit në Hercegovinën Perëndimore për boshnjakët, me vrasjen dhe shpërnguljen e serbëve gjatë aksionit Stuhia. Bashkësia teatrore në Kroaci të gjitha këto krime nuk i ka emëruar, aq më pak ua ka marrë “të drejtën në arsyen dhe në përcaktimin e masës së fajësisë”.

Por, bashkësia teatrore në atë periudhë, gjithsesi se me punën e saj dhe me aktivitetin e saj të gjithmbarshëm, por, në kuptimin e parë të fjalës, edhe me marrjen e pushkës në duar, ka marrë pjesë në makinerinë propagandistike –luftarake të HDZ-së. Në vitin 1991, Hrvoje Hitrec e themelon grupin Satnia e artistëve kroat (Satnija hrvatskih umjetnika), në të cilën, midis të tjerash, kanë qenë edhe aktoret Jasna Bilushiq dhe Perica Martinoviq, pastaj regjisori Joshko Juvançiq dhe aktori Ljubomir Kapor. Krahas Satnisë në luftë janë përfshirë aktorët Sven Lasta, pastaj regjisori Miro Megjimorec dhe Slobodan Praljak. Kreshimir Dolençiqi bëhet një lloj i regjisorit të oborrit të mandatuar për aranzhimin e ceremonive të ndryshme të Tugjmanit, prej të cilave më të njohurat janë funerali i Gojko Shushkës dhe parada ushtarake në Jarun 1997. Zllatko Vitezi në HNK zagrebase e bënë regjinë e ditëlindjes së Franjo Tugjmanit në të cilën, midis të tjerash, marrin pjesë edhe Ena Begoviqi, Dragan Despot, Vanja Drach, Kruno Shariq, Joshko Shevo, Zlatko Crnkoviq, Zharko Potoçnjak, Franjo Kuhar, Mladen Vuliq, Zvonimir Zoriçiq, Ivan Brkiq, Ivanka Boljkovac, si dhe Marko Torjanac.

Shembuj ka ende edhe më shumë, por edhe vetëm këto tregojnë se shumica e e teatërxhinjve në Kroaci i është nënshtruar histerisë nacionale, dhe, në mesin e tyre, ndryshe nga një pjesë e kolegëve të tyre beogradas, nuk ia kanë dalë të artikulojnë diskursin kundër luftës, madje as atëherë kur Kroacia ka punuar në masë të madhe në copëtimin e Bosnjës dhe Hercegovinës ose kur informacionet mbi krimet e luftës të ushtrisë kroate kanë qenë publike. Atëherë, nuk befason fakti që bashkësia e tillë teatrore, e cila e ka kryer pjesën e saj të punës në harrimin dhe heshtjen zyrtarisht të përcaktuar, sot dëshiron të harrojë edhe veten e saj të asaj kohe.

 

Se teatërxhinjtë janë material i përshtatshëm për harrim dhe formësim të përshtatshëm ideologjik, ka treguar edhe një shembull i periudhës së pasluftës ku prapë është realizuar një shkallë e lartë e mobilizimit në luftën e vazhduar me mjete të tjera. Është fjala për “Kërkesën e 555 personaliteteve të shquara kroate drejtuar Qeverisë së RK “, me të cilën është kërkuar që Qeveria e Kroacisë ta refuzojë dorëzimin e gjeneral Gotovinës në Tribunalin e Hagës, si dhe që nga prokuroria e Hagës të kërkojë ndërprerjen e ndjekjes penale në bazë të aktakuzës së ngritur. Kërkesën e kanë nënshkruar artistët e mposhtëm teatror: Nada Abrus, Jasna Ançiq, Inge Appelt, Ivica Barishiq, Sllavko Brankov, Mirela Brekalo, Lukrecija Breshkoviq, Ivan Brkiq, Miljenko Brleçiq, Senka Buliq, Helena Buljan, Boris Buzançiq, Zlatko Crnkoviq, Branka Cvitkoviq, Velimir Çokljat, Dragan Despot, Boris Dvornik, Nina Erak, Mato Ergoviq, Lidija Florijan, Emil Glad, Ivo Gregureviq, Goran Grgiq, Nives Ivankoviq, Darko Janesh, Vjekoslav Jankoviq, Zdenko Jelçiq, Ivan Jonçiq, Jasna Jukiq, Trpimir Jurkiq, Ljubo Kapor, Marija Kohn, Adam Konçiq, Bozhidar Koshçak, Niko Kovaç, Franjo Kuhar, Drazhen Kuhn, Niksha Kushelj, Danko Ljushtina, Mirjana Majurec, Slavica Maras-Mikulandra, Tomislav Martiq, Ante-Çedo Martiniq, Misha Martinoviq, Maro Martinoviq, Perica Marinoviq, Damir Mejovshek, Igor Meshin, Boris Miholjeviq, Darko Milas, Helena Miniq, Vedran Mlikota, Suzana Nikoliq, Mia Oremoviq, Frane Pershin, Sinisha Popoviq, Zharko Potoçnjak, Ksenija Prohaska, Ivica Pucar, Nada Rocco, Sinisha Ruzhiq, Davor Svedruzhiq, Boris Svrtan, Alen Shalinoviq, Krunoslav Shariq, Joshko Shevo, Glorija Sholetiq, Milan Shtrljiq, Zvonko Torjanac, Romina Vitasoviq, Zlatko Vitez, Edo Vujiq, Mladen Vuliq, Ivica Zadro, Mirta Zeçeviq, Zvonimir Zoriçiq, Jozo Zovko, Vladimir Geriq, Branko Ivanda, Joshko Juvançiq, Lawrence Kiiru, Vlatko Perkoviq dhe Zheljko Seneçiq.

Nomina sunt odiosa, por asnjëri prej këtyre emrave nuk ka qëndruar në asnjë kërkesë me të cilën do të kërkohej procesimi i atyre që kanë marrë pjesë “në projektin e bashkuar kriminal, qëllimi i përbashkët i të cilit ka qenë largimi i përdhunshëm dhe i përhershëm i popullatës serbe nga rajoni i Krajinës, midis të tjerash, me anë të plaçkitjes, dëmtimit ose me anë të shkatërrimit të plotë të pronës së popullatës serbe, me qëllim që pjesëtarët e asaj popullate të dekurajohen ose të parandalohen që të kthehen dhe prapë të banojnë në shtëpitë e tyre.” Sepse, ka qenë fjala për gjeneral Gotovinën ose për dikë tjetër – krimi është krim dhe teatri kroat do të duhej më në fund ta kuptonte se etniciteti i viktimës ose i agresorit nuk mund të jetë kriter i përkujtimit ose i harrimit.

E, deri sa të ndodh kjo, mbetet shfaqja “Aktorët kroat”, të cilën me forcë të njëjtë e urrejnë edhe teatërxhinjtë dhe edhe mbrojtësit e edhe Kisha Katolike dhe shumica e publikut kroat. Tashmë, një koalicion i tillë i urrejtësve tregon forcën e teatrit, që, nëse dëshiron të mbajë minimumin e respektit moral ndaj vetes dhe shoqërisë të cilën e përfaqëson, do të duhej të bëhej një vend i privilegjuar i kujtimit, të cilin e fshijnë të gjitha institucionet tjera.

 

Oliver Frljiq

Autori është regjisor teatror nga Kroacia

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.