KOMRA rrjeti i pajtimit

Fotografi të anëtarëve të familjes Miloseviç që u vranë nëSijekovac në mars 1992. Foto: Vladimir Susak/BIRN
Sijekovac_Naslovna_Zejko-Milosevic_Dragan-Milosevic_Zeljko-Milosevic_BIRN_BI_e1597136543562_20200812

12.08.2020.

BIRN – Viktima të harruara: Serbët e vrarë në fshatin kufitar midis Bosnjës dhe Kroacisë

Ante Prkačin, Balkan Insight, BIRN, Bosnja 1992, Fshati Sijekovac, Jovo Zečević, Krimet e luftës, Milan Zečević, Milja Zečević, Nijaz Čaušević, War Crimes, Zečević Petar Zečević, Zemir Kovačević

Vetëm një person është dënuar deri më tani për vrasjen e civilëve serbë në fshatin Sijekovac në mars 1992 – një nga krimet e para në luftën e Bosnjës – dhe një i dyshuar i mundshëm është zgjedhur deputet në Kroacinë fqinje.

Në të njëjtën ditë, në rrugën Traktorska në Sijekovac, një fshat afër qytetit verior të Bosanski Brodit në Bosnjë, ku ende jeton Miloseviçi, ushtarë dhe anëtarë të grupeve paraushtarake, disa prej të cilëve përbëheshin nga kroatë dhe boshnjakë vendas, vranë babanë e tij Luka dhe dy vëllezër, Zeljkon dhe Draganin, i cili ishte 17 vjeç. Trupi i Zeljkos nuk është gjetur kurrë.

“Anëtarët e një grupi kroat-mysliman, me pjesëmarrjen e formacioneve ushtarake nga Kroacia, një prej të cilëve dëshmitarë të shumtë e kanë identifikuar si HOS (Forcat Kroate të Mbrojtjes)” u përpoqën të merrnin kontrollin mbi fshatin etnikisht të përzier, sipas një vendimi të dhënë nga gjykata shtetërore boshnjake që dënoi një luftëtar të quajtur Zemir Kovaceviç.

Kovaceviç, anëtar i një grupi të armatosur i cili më vonë u bë Skuadra e Ndërhyrjeve të Brigadës 101 Bosanski Brod të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, u dënua me dhjetë vjet për pjesëmarrje në vrasjet, keqtrajtimet dhe plaçkitjet e civilëve serbë në Sijekovac.

Sipas pretendimeve të bëra nga Qendra për Hetimin e Krimeve të Luftës në Republikën Srpska, sulmi ndaj Sijekovacit u krye nga forcat e rregullta të Ushtrisë Kroate, anëtarët e Gardës Kombëtare dhe paraushtarakët e Forcave Kroate të Mbrojtjes.

Qendra për Hetimin e Krimeve të Luftës pretendon se, pas sulmit të parë në Sijekovac, në të cilin vdiqën nëntë civilë, të paktën 11 banorë të tjerë serb u vranë në një sulm pasues.

Gjykata shtetërore boshnjake zbuloi se sulmi fillestar në Sijekovac u parapri nga një takim i komitetit lokal të krizës, autoriteti i luftës në fshat, në të cilin serbët u urdhëruan të dorëzonin armët e tyre.

Pas kësaj, grupe të mëdha njerëzish me uniformë filluan të mblidheshin dhe serbët u nxitën përmes megafonave të dorëzoheshin. Sulmi në zonat me popullsi serbe filloi pas orës 16:00.

Sasa Miloseviç i mban ende qartë detajet. “Papritmas, filluan të shtënat. Unë shkova në bodrumin e fqinjit tim së bashku me nënën dhe vëllanë e vogël. Vëllai im i madh dhe babai qëndruan në oborrin tonë. Të shtënat zgjatën gjysmë ore. Ngado binin gëzhoja”, kujton Miloseviçi.

Gjykata zbuloi se 19 civilë, përfshirë pesë fëmijë, u fshehën nga të shtënat në bodrumin e shtëpisë së familjes Zeceviç.

Fqinjët që ishin ushtarë të Ushtrisë Kroate më pas erdhën për t’i nxjerrë ata nga vendi ku po fshiheshin, tha Miloseviçi. “Ata na mallkuan, na thanë nga të gjitha. Na shtynë dhe na qëlluan me shkelma. Na shtynë përtokë. Mamaja ime më mbajti në krahët e saj.”

 

Tre djem dhe një bashkëshort i vrarë

Milja Zečević lost
Tre djemtë dhe burrat e Milja Zečević u vranë. Foto: Vladimir Susak/BIRN

Përveç rrahjeve dhe kanosjes, djali dhjetëvjeçar pa gjithashtu Zemir Kovaceviçin të vriste një njeri me aftësi të kufizuara, Petar Zeceviçin, dhe një pensionist, Jovo Zeceviç. “Burri ishte mbi 70 vjeç. Kovaceviçi iu afrua dhe e mallkoi. Pastaj i vuri një pistoletë në kokë dhe e vrau Jovo Zeceviçin”, tha Miloseviçi.

Jovo Zeceviç ishte burri i Milja Zeceviçit. Tre nga katër djemtë e saj u vranë gjithashtu atë ditë – Petari, Milani dhe Vaso.

“Milani po bërtiste: “Mos e lëndoni gruan dhe fëmijët e mi.’ Ata e ndoqën gruan e tij Jelicën si të ishte qen”, kujton Zeceviçi, i cili tani është 90 vjeç.

“Ata e vranë Vason në pragun e derës me një breshëri plumbash. Petarin e vranë atje ku është gardhi. Jovon e vranë në krahët e mi.”

Të njëjtën ditë, disa shtëpi të serbëve lokalë u dogjën dhe rreth 30 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, u ndaluan dhe u abuzuan fizikisht dhe psikologjikisht, gjeti gjykata shtetërore në gjyqin e Zemir Kovaceviçit.

Vrasjet e kryera në mars 1992 nga Kovaceviçi dhe anëtarë të tjerë të paidentifikuar të grupit të armatosur u dëshmuan edhe 81-vjeçarja Ljubica Sedliç, e cila ishte fshehur me burrin e saj Novak rreth 50 metra më larg në kopshtin e saj.

Më pas, muajin tjetër, luftëtarët u kthyen në Sijekovac. Sedliç iku, por burri i saj qëndroi.

“Shtëpia ishte e mbyllur, por ata shkelmuan derën dhe hynë brenda. I hodhën benzinë sipër dhe i vunë flakën në vaskë”, kujton ajo.

“Unë vrapo dhe u përpoqa ta ndihmoja, por ata më qëlluan me shkelma dhe më thanë: ‘Do të përfundosh njësoj si yt shoq.’”

 

I dyshuari i mundshëm zgjidhet në parlamentin kroat

Monument kushtuar viktimave në Sijekovaç. Foto: Vladimir Susak/BIRN
Monument kushtuar viktimave në Sijekovaç. Foto: Vladimir Susak/BIRN

Sedliç tha që ajo njohu një nga luftëtarët që erdhën në shtëpinë e saj – një njeri i quajtur Nijaz Causevicviç, anëtar i Skuadrës së Ndërhyrjes të Brigadës së 101-të të Këshillit Kroat të Mbrojtjes.

Në gjyqin e Kovaceviçit, emri i Causeviçit u përmend disa herë. Ai u tha se ishte personi që kishte përdorur megafonin për t’i nxitur serbët të dorëzoheshin. Disa dëshmitarë gjithashtu panë Causeviçin me Zemir Kovaceviçin gjatë grabitjes së familjeve serbe në Sijekovac dhe në fshatrat e tjerë. Një nga dëshmitarët që ishte dëbuar nga shtëpia e tij së bashku me familjen e tij gjatë sulmit të parë në Sijekovac më 26 mars tha se Causeviçi ishte në vendin e ngjarjes në atë kohë.

Vendimi në gjykimin e Kovaceviçit thoshte se grupi i drejtuar nga Causeviçi, me pjesëmarrjen e Kovaceviçit dhe të tjerëve, së bashku me anëtarët e Këshillit Kroat të Mbrojtjes të udhëhequr nga një luftëtar i quajtur Ante Prkacin nga Slavonski Brod, morën pjesë në keqtrajtimin dhe vrasjen e njerëzve dhe shkatërrimin e pronave të serbëve.

Në vitin 2011, Prokuroria Publike e Qarkut në qytetin e Dobojit ngriti një aktakuzë duke akuzuar Causeviçin për kryerjen e një krimi lufte kundër popullatës civile në Sijekovac.

Aktakuza e akuzoi Causeviçin për “pjesëmarrje në kontrollin e paligjshëm të shtëpive, konfiskimin e pasurisë, arrestime të paligjshme dhe ndalimin e civilëve, si dhe shoqërimin e tyre në një burg/kamp ndalimi, gjë që solli vuajtje të rënda fizike, ankth mendor dhe lëndime trupore të të ndaluarve”.

Ai gjithashtu e akuzoi atë për pjesëmarrje në vrasjen e të paktën një civili.

Causeviçi ka mohuar të ketë pasur ndonjë rol në krimet në Sijekovac. Siç kanë raportuar disa media kroate, ai tani jeton në Kroaci. Ai nuk mund të kontaktohej për një koment për këtë artikull.

Prokuroria Publike e Qarkut në Doboj tha që ia ka vënë provat në dispozicion Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Megjithatë, Zyra e Avokatit të Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për një koment nëse po ndërmerr ndonjë veprim në këtë rast.

Marko Grabovaç kreu i Shoqatës për Kërkimin e Ushtarëve të Kapur dhe Civilëve të Zhdukur nga Brodi, tha se ai beson se Ante Prkacin, ish-shefi i shtabit kryesor të Forcave Kroate të Mbrojtjes dhe më vonë Këshillit Kroat të Mbrojtjes, ishte përgjegjës për krimet në Sijekovac, ashtu si edhe Kovaceviçi dhe Causeviçi.

“Ne kemi disa deklarata dëshmitarësh për Ante Prkacin”, tha Grabovaç. “Megjithatë, ai si përfundim tha:: ‘Unë nuk isha atje në atë kohë.’”

Në gjyqin e Kovaceviçit, gjykata arriti në përfundimin se anëtarët e Forcave Kroate të Mbrojtjes të udhëhequra nga Prkacin ishin në oborrin e familjes Zeceviç në rrugën Traktorska më 26 mars 1992. Një nga dëshmitarët tha që Prkacin ishte gjithashtu i pranishëm në bodrumin e familjes Zeceviç.

I kontaktuar nga BIRN me telefon, Prkacin mohoi çdo keqbërje. “Unë nuk kreva asnjë krim”, tha ai.

Prkacin kandidoi për Lëvizjen populiste të krahut të djathtë Atdhetare të këngëtarit të kthyer në politikan Miroslav Skoro në zgjedhjet parlamentare në Kroaci muajin e kaluar.

Lëvizja Atdhetare fitoi 16 vende në parlament dhe Prkacin tani është deputet kroat.

 

Trupi i të vëllait transmetohet në televizion

Sasa Miloseviç, i cili i mbijetoi vrasjeve në vitin 1992. Foto: Vladimir Susak/BIRN
Sasa Miloseviç, i cili i mbijetoi vrasjeve në vitin 1992. Foto: Vladimir Susak/BIRN

Shumë prej atyre që janë përgjegjës për krimet e luftës kundër serbëve në zonën rreth Bosanski Brodit dhe Slavonski Brodit janë nën mbrojtjen e Kroacisë, beson Marko Grabovaç.

Shoqata e tij është ende në kërkim të 35 personave të zhdukur, ndërsa eshtrat e pothuajse 200 njerëzve janë zhvarrosur nga varret masive në zonë.

Prokuroria Publike e Qarkut në Doboj tha se dy raste në lidhje me Sijekovacin, me të dyshuarit e identifikuar vetëm me inicialet D.I. dhe K.J., i janë referuar prokurorisë shtetërore të Bosnjës për veprime të mëtejshme.

Prokuroria shtetërore konfirmoi se po punohet me këto çështje, por nuk dha informacione të mëtejshme.

Sasa Milosevic nga Sijekovaci tani pret që eshtrat e vëllait të tij Zeljko të gjenden pas 28 vjetësh.

Miloseviçi e pa për herë të fundit vëllanë e tij të shtrirë para shtëpisë së tyre në videot e transmetuara nga RTV Bosnje dhe Hercegovina, të regjistruara gjatë një vizite në Sijekovac nga anëtarët e presidencës boshnjake dy ditë pas masakrës.

Miloseviçoi tani ka probleme të rënda shëndetësore dhe është i stresuar se deri më tani, vetëm një person është mbajtur përgjegjës për një krim autorët e të cilit dihen nga autoritetet.

“Kam frikë se çështja e Sijekovacit është mbyllur përgjithmonë me vetëm një vendim”, tha ai.

 

Projekti i BIRN “Viktimat e harruara të Bosnjës dhe Hercegovinës” mbështetet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe po vihet në zbatim nga Programi për Zhvillim i ombeve të Bashkuara, UNDP, si pjesë e Projektit të tij Rajonal për Krime Lufte.


Teksti “Viktimat e harruara: Serbët të synuar në vrasjet e fshatit kufitar Bosnje-Kroaci” u botua fillimisht në faqet e Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan Insight

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.