KOMRA rrjeti i pajtimit

Shkolla në qytetin kroat të Dvorit ku ndodhi masakra (1995). Burimi: Prokurori danez i Shtetit.
BIRN_Dvor_Oluja_Skola_1995_Denmark-Prosectutor_20200808

17.08.2020.

BIRN – Misteri i masakrës në shkollën kroate ende i pazgjidhur edhe pas 25 vitesh

ABiH, BIRN, Christian Jansen, DORH, Dvor 1995, Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, HV, HVO, Jerko Bakotin, Kombeve të Bashkuara, Lufta në Kroaci, Masakra në shkollë, Nils Mulvad, PortalNovosti.com, Republika e Krajinës Serbe, Saša Kosanović, Saša Simić, Ushtria Boshnjaka, Ushtria Kroate, Viktimat e Luftës, Vinko Štefanek, War Crimes, War victims, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi, Zyra e Prokurorit të Shtetit e Kroacisë

Njëzetë e pesë vjet pas vrasjes së nëntë civilëve të moshuar dhe me aftësi të kufizuara që ishin strehuar në një shkollë në qytetin kroat të Dvorit, zyratët serbë dhe kroatë vazhdojnë të fajësojnë trupat e njëri-tjetrit dhe askush nuk është paditur kurrë për këtë krim.

 

“Pashë një grup prej rreth 12 ushtarësh që po vinin në këmbë përgjatë rrugës. Nuk e dalloja dot se cilës parti i përkisnin. Disa kishin kapele. Ata u shtrinë pas një muri përgjatë rrugës dhe në lëndinë. Dy ose tre ushtarë iu afruan shkollës. U zhdukën pas ndërtesës.”

“Njëri nga ushtarët nga pozicioni i tij në lëndinë iu afrua shkollës dhe pa nëpër dritare. Ai sinjalizoi ushtarët pas murit. Ata filluan të qëllonin. Menjëherë pas kësaj, nga brenda shkollës mund të dëgjoheshin të shtëna.”

Më 8 gusht, do të bëhen fiks 25 vjet që kur Christian Jensen ishte dëshmitar i këtij incidenti, të cilin ai ia përshkroi disa ditë pasi ndodhi hetuesve danezë që i dërguan gjetjet e tyre në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.

Në atë kohë, Jensen ishte një rreshter 54-vjeçar me batalionin danez të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kroaci. Batalioni e kishte ngritur bazën në një fushë 35 metra larg ndërtesës së shkollës në qytetin e Dvorit, i cili kishte qenë pjesë e territorit të mbajtur nga Republika secesioniste e Krajinës Serbe, një shtet i vogël i panjohur i krijuar nga serbët rebelë të Kroacisë brenda Kroacisë në vitin 1991 pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Christian Jensen, ish-rreshter me batalionin danez të Kombeve të Bashkuara në Kroaci. Foto: Arkive private.
Christian Jensen, ish-rreshter me batalionin danez të Kombeve të Bashkuara në Kroaci. Foto: Arkive private.

Në fillim të gushtit 1995, Republika e Krajinës Serbe u shpërbë gjatë Operacionit Stuhia, një ofensivë ushtarake nga forcat kroate e ndërmarrë për të rimarrë territorin e mbajtur nga rebelët, të ndihmuar nga një sulm i pasme nga Korpusi i Pestë i Ushtrisë Boshnjake të udhëhequr nga boshnjakët.

Rreth 200,000 serbë u larguan nga Kroacia si rezultat i saj, shumë prej tyre në një kolonë të gjatë makinash, autobusësh dhe automjetesh të tjera që kaluan në rrugën që kalonte përmes Dvorit dhe më pas përtej kufirit për në territorin e kontrolluar nga serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në mesin e serbëve që largoheshin ishin rreth 50 banorë të një spitali psikiatrik dhe një azili në qytetin e Petrinjës. Ata u evakuuan në Dvor dhe u  strehuan në shkollën fillore të qytetit, tre kilometra larg një ure mbi lumin Una, e cila të çonte në një vend të sigurt matanë kufirit në qytetin boshnjak të Bosanski Novit (që atëherë emri i ndryshuar në Novi Grad).

Më 7 gusht, shumica e njerëzve që ishin në shkollë kishin arritur të largoheshin. Por nëntë prej tyre qëndruan – të cilët nuk mund të lëviznin pa ndihmën e dikujt. Shumica ishin serbë, por të paktën një grua kroate ishin midis tyre. Disa kishin probleme mendore serioze ose probleme fizike.

Ushtarët kroatë vazhduan drejt Dvorit në pasditen e vonë të 7 gushtit dhe panë kolonën e automjeteve të refugjatëve në rrethrrotullimin pranë stacionit të autobusëve. Pati një shkëmbim zjarri me ushtarët serbë nga kolona dhe të dy palët pësuan humbje.

Për serbët, ishte e rëndësishme të mbanin udhëkryqet për të siguruar rrugën nga qyteti kroat i Glinës drejt Bosanski Novit, që ishte rruga e arratisjes për dhjetëra mijëra serbë të Kroacisë. Të nesërmen në mëngjes, ata që kishin mbetur nga Ushtria e Republikës së Krajinës Serbe kundërsulmuan nga perëndimi dhe jugu me qëllim që të lejonin vazhdimin e kolonës së refugjatëve dhe trupat kroate u tërhoqën në pozicione jashtë qytetit.

Versionet kroate dhe serbe të këtyre ngjarjeve kryesisht përkojnë deri në këtë pikë. Por ka mosmarrëveshje në lidhje me kush e kontrolloi zonën përreth shkollës në orët e para të pasdites së 8 gushtit dhe se në cilën anë ishin ushtarët që iu afruan shkollës rreth orës 14:50 atë ditë.

Pasi hynë në shkollë, ushtarët rreshtuan refugjatët në hollin e hyrjes, përfshirë Zorka Mariçin i cili ishte në karrige me rrota dhe 80-vjeçaren Desanka Teodoroviç, e cila ishte në paterica.

“Papritmas një ushtar qëlloi tre deri në katër raunde plumbash drejt gruas së moshuar. E pashë të binte në karrige. I njëjti ushtar qëlloi kundër civilëve të tjerë. Ata ranë në dysheme. Ishte e qartë se kishin vdekur”, u tha hetuesve të GJPNJ-së Jan Ëellendorff, një rreshter i lartë në batalionin danez të misionit të Kombeve të Bashkuara i cili kishte një pamje të drejtpërdrejtë të hollit të shkollës.

Masakra në shkollë u raportua nga New York Times më 10 gusht. Në javët që pasuan, hetuesit danez që punonin për GJPNJ-në morën në pyetje një numër dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve BIRN tani i ka siguruar nga Komanda Ushtarake Daneze.

Megjithatë, 25 vjet më vonë, autorët e sulmit në shkollën në Dvor mbeten të paidentifikuar dhe të pandëshkuar, dhe Serbia dhe Kroacia vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për vrasjet.

 

Fillimisht dyshohen trupat e  Ushtrisë Boshnjake

Baza daneze në Dvor. Burimi: Prokurori danez i Shtetit.
Baza daneze në Dvor. Burimi: Prokurori danez i Shtetit.

Raportet e para nga trupat daneze të Kombeve të Bashkuara fajësojnë për sulmin Korpusin e Pestë të Ushtrisë Boshnjake, për disa arsye. Së pari, së bashku me Ushtrinë Kroate, Korpusi i Pestë sulmoi një kolonë refugjatësh serbë në fshatin Donji Zirovac, rreth 25 kilometra larg Dvorit. Të paktën 16 civilë u vranë. Kishte gjithashtu raporte për një sulm të Ushtrisë Boshnjake ndaj refugjatëve serbë në Trgovi, nëntë kilometra në perëndim të Dvorit.

Më pak se dy orë pas masakrës në shkollë, batalioni danez dërgoi një njoftim duke shprehur dyshimin se Korpusi i Pestë ishte përgjegjës, megjithëse as Jensen, Wellendorff dhe as dëshmitarët e tjerë nuk mund të tregonin nëse autorët i përkisnin Ushtrisë Boshnjake, Republikës së Krajinës Serbe apo Ushtrisë Kroate.

“Një person kishte një stemë në krahun e sipërm, të kuq me dy shenja në formë V-je në skajin e sipërm”, tha Jensen, duke përshkruar të vetmin nga vrasësit që kishin ndonjë shenjë. Kryekomandanti danez e interpretoi këtë si numrin romak “V” (5), u shfaq gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve nga prokurorët serbë dhe kroatë në 2012 në Kopenhagen, përmbajtja e të cilit po raportohet tani për herë të parë nga BIRN.

Megjithatë, stema e Korpusit të Pestë nuk përfshin numrin romak “V”. Për më tepër, ndërsa merrej në pyetje, Jensenit iu treguan stema të ndryshme boshnjake, serbe dhe kroate dhe ai nuk njohu asnjë prej tyre. Pretendimi se Ushtria Boshnjake ishte përgjegjëse prapëseprapë hyri në raporte të shumta ushtarake daneze, të OKB-së dhe nëpër  media.

Megjithatë, disa komandantë ushtarakë – si kroatë dhe serbë – si dhe civilë të pranishëm në Dvor në atë kohë kanë konfirmuar se nuk kishte ushtarë boshnjakë atje përpara 10 gushtit, kështu që trupat e Korpusit të Pestë nuk mund të kishin kryer vrasjet në shkollë.

Burime nga Zyra e Prokurorit të Shtetit e Kroacisë dhe Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës e Serbisë gjithashtu i thanë BIRN se ata kanë përjashtuar një prani të ushtrisë boshnjake në Dvor në kohën e vrasjeve.

 

Beretat e Kuqe serbe nën shqyrtim

Holli kryesor në ndërtesën e shkollës ku u krye masakra. Foto: Prokurori danez i Shtetit.
Holli kryesor në ndërtesën e shkollës ku u krye masakra. Foto: Prokurori danez i Shtetit.

Në një dokumentar danez të vitit 2015 për masakrën, gjenerali i ushtrisë së Republikës së Krajinës Serbe Mile Novakoviç pretendoi se “shkolla nuk u interesonte forcave serbe”. Megjithatë, BIRN përcaktoi se më 8 gusht, afër ndërtesës ishin si njësitë serbe ashtu edhe ato kroate.

“Rreth orës 06:00 të mëngjesit ne arritëm të organizonim 150 deri në 200 ushtarë. Morali ishte copëtuar, të gjithë ishin të shqetësuar për familjet e tyre në kolonën e refugjatëve. Ne përparuam ngadalë. Rreth mesditës, grupi im u fut në qendër të Dvorit”, tha shefi i shtabit të Brigadës së 13-të të Ushtrisë së Krajinës Serbe, koloneli Lazo Pekeç, për BIRN.

Koloneli Pekeç hyri në Dvor nga perëndimi dhe u përfshi në garantimin e kalimit të sigurt të kolonës së refugjatëve deri në orën 22:00 të natës.

Një oficer tjetër i Ushtrisë së Krajinës Serbe konfirmoi se në mëngjesin e 8 gushtit, ata “nxorën kroatët nga Dvori” dhe u përballën me forcat e Novakoviçit, të cilët sulmuan nga jugu. Vetë Novakoviç shkroi i se pas rihyrjes në Dvor, ai vendosi një detashment të Policisë Speciale të Banja Lukës në qendër të qytetit, që do të thotë se mund të argumentohet se zona përreth shkollës ishte nën kontrollin e serbëve rreth kohës së masakrës.

PërveçUshtrisë së Krajinës Serbe dhe detashmentit të Policisë Speciale të Banja Lukës, në zonë ishte dhe Njësia për Operacione Antiterroriste e Shërbimit të Sigurisë së Shtetit të Serbisë. Anëtarët e saj njiheshin si “Beretat e Kuqe” dhe nganjëherë përshkruheshin si “Burrat e Arkanit” nga civilë që i ngatërronin ata me Gardën Vullnetare Serbe, një njësi paraushtarake e udhëhequr nga luftëtari serb Zeljko “Arkan” Raznatoviç. Burimet nga Zyra e Prokurorit të Shtetit e Kroacisë gjithashtu i përshkruajnë ndonjëherë luftëtarët e Bereve të Kuqe si Burrat e Arkanit.

Një burim i lartë në Zyrën e Prokurorit të Shtetit të Kroacisë tha se zyrtarët e saj besojnë se një grup i përbërë nga ushtarë të Beretave të Kuqe dhe ushtarë të Republikës së Krajinës Serbe ishin përgjegjës për masakrën.

Burimi tha se mëngjesin e 8 gushtit, Burrat e Arkan ishin duke patrulluar në Dvor dhe po detyronin serbët lokalë të bashkoheshin në kolonën e refugjatëve dhe të largoheshin nga qyteti. Duke qenë se Dvori ishte një qytet me shumicë serbe, ata që zgjidhnin të qëndronin konsideroheshin tradhtarë.

Një banor i Dvorit u tha hetuesve të GJPNJ-së se më 8 gusht rreth orës 09:00 të mëngjesit, ai me gruan e tij panë dy ushtarë, njëri prej të cilëve e urdhëroi atë të ulej në gjunjë dhe e pyeti se përse nuk i ishte bashkuar kolonës së refugjatëve.

“I thashë se isha i sëmurë dhe se nuk mund të largohesha. Ai mori thikën dhe ma vuri në fyt, por pasi më pyeti, e hoqi përsëri”, tha dëshmitari, që BIRN arrit ta identifikonte si Zvonimir Baburak.

Ushtarët u ulën dhe pranuan rakinë dhe kafenë që u ofruan Baburak dhe gruaja e tij. Baburak tha se nuk e dinte “se cilës forcë i përkisnin ushtarët, ata nuk kishin asnjë stemë”.

Ushtarët pyetën nëse në shkollë kishte myslimanë dhe pastaj u nisën drejt saj, me tre ose katër ushtarë të tjerë që iu bashkuan atyre. “Më vonë dëgjuam britma “Dilni”, “Dorëzohuni”, dhe të shtëna në shkollë”, tha Baburak.

Më pas ai u vizitua nga vëllai i tij, i shoqëruar nga një ushtar nga Leskovaci në Serbi. Ushtari i kërkoi të identifikonte një kufomë të shtrirë në rrugën aty pranë. “Ishte berberi ynë lokal. Një pjesë e kokës i mungonte”, tha Baburak. Berberi ishte një kroat vendas i quajtur Nedjeljko Iveliç. Gruaja e tij ishte vrarë gjithashtu në shtëpinë e tyre.

Më vonë Baburak gjeti edhe kufomën e një të riu të shtrirë afër shkollës. I kishin prerë fytin. Në mbrëmje ai shkoi në shtëpinë e vëllait të tij, ku tha se ushtarët serb krenoheshin se në zonë kishte “10,000 burra të Arkanit”. Një ushtar i tregoi Baburakut se ata kishin stema kroate, boshnjake dhe serbe dhe se i ndryshonin ato sipas dëshirës.

Burimi i Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Kroacisë tha se kishte shumë raporte që thoshin se burrat e Arkanit që ishin aktivë në Dvor atë ditë. “Ne kemi një dëshmitare që u hodh nga shtëpia e saj nga burrat e Arkanit në mesditë. Një dëshmitar tjetër pa burrat e Arkanit të rrihnin një prift ortodoks që nuk donte të bashkohej me kolonën e refugjatëve”, tha burimi.

Zyra e Prokurorit të Shtetit e Kroacisë gjithashtu beson se luftëtarët serbë vranë pesë ushtarë kroatë nga Regjimenti i 17-të i Mbrojtjes së Sunjes, të cilët nuk u tërhoqën kur Ushtria Kroate u tërhoq atë mëngjes, por u strehuan në një nga shtëpitë përballë shkollës. Midis orës 10:00 dhe mesditës, ata u kapën dhe u ekzekutuan në një fushë misri afër stacionit të autobusëve. Një ushtar i gjashtë që u nda nga grupi mbijetoi duke kërkuar strehim në bazën daneze.

“Ta zëmë se çifti Iveliç, personat me aftësi të kufizuara në shkollë dhe pesë ushtarët kroatë u vranë nga anëtarët e të njëjtave njësi, përfshirë Beretat e Kuqe. Më shumë se 100 dëshmitarë janë marrë në pyetje. Të gjithë dëshmitarët e pyetur në fillim të hetimit thanë se vrasësit ishin burrat e Arkanit”, tha burimi i Zyrës së Prokurorit të Shtetit në Kroaci.

Një shënim në një ditar ushtarak danez i datës 8 gusht gjithashtu thotë se “civilët në Dvor kanë treguar se eliminimet janë kryer” nga burrat e Arkanit.

Edhe pse burimi i Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Kroacisë po ende përpiqet të identifikojë autorët e drejtpërdrejtë, ai beson se ekziston një shans më i madh për të identifikuar njësitë të cilave ata i përkisnin. “Atëherë do të ishte e mundur të paditeshin komandantët sipas parimit të përgjegjësisë komanduese”, tha burimi.

Pretendimi se masakrën në shkollë e kryen ushtarët serbë ka disa pika të dobëta. Ushtarët që kërcënuan Baburakun erdhën në shtëpinë e tij rreth orës 09:00 të mëngjesit. Edhe sikur të ishin serbë – kroatët nuk do të kishin gjasa të uleshin dhe të pinin kafe dhe raki në mes të Dvorit të kontrolluar nga serbët – masakra ndodhi disa orë më vonë.

BIRN gjeti gjithashtu një civil kroat që pretendoi se në ditët para 8 gushtit, Ushtria e Republikës se Krajinës Serbe urdhëroi dy ushtarë të rinj të ruanin personat me aftësi të kufizuara në shkollë.

Mund të ngrihen pyetje të mëtejshme sepse gjatë të gjithë Operacionit Stuhia, nuk ka as edhe një rast të vetëm të konfirmuar që tregon se ushtarë serbë masakrojnë civilë serbë, dhe sepse të gjithë ushtarët danezë pajtohen që vrasësit po silleshin sikur po sulmonin një pozicion armiku teksa i afroheshin shkollës.

Jensen përshkroi ushtarët që shtriheshin përtokë për t’u mbrojtur nga zjarri i mundshëm, ndërsa Wellendorff dhe të tjerët pretenduan se shkolla u godit nga një predhë dhe një granatë dore. Një skuadër serbe që operonte në Dvorin e kontrolluar nga serbët nuk do të kishte gjasa të sillej sikur po infiltrohej në territorin e armikut ose sikur po sulmonte një një ndërtesë të kontrolluar nga armiku.

 

Akuzohen gjithashtu edhe ushtarët e Ushtrisë Kroate

Hyrja kryesore në ndërtesën e shkollës në Dvord. Foto: Jerko Bakotin.
Hyrja kryesore në ndërtesën e shkollës në Dvord. Foto: Jerko Bakotin.

“Më 8 gusht nuk kishte asnjë ushtar ose njësi nën komandën e Ushtrisë Kroate në Dvor”, pohoi kolonel Bruno Caviç i Brigadës së 145-të të Ushtrisë Kroate në dokumentarin danez të vitit 2015 mbi masakrën.

Dokumentari shkaktoi zemërim publik në Kroaci se tregoi që atë ditë pranë shkollës kishte pasur ushtarë që dyshoheshin se ishin kroatë.

Si Caviç ashtu edhe komandantë të tjerë kroatë pohuan se pas tërheqjes nga Dvori në mëngjesin e 8 gushtit, ata nuk hynë përsëri në qytet para 9 gushtit – shumë orë pas kryerjes së masakrës. Megjithatë, Caviç ishte përgjegjës vetëm për brigadën e tij dhe aty ishin të pranishme disa njësi të tjera kroate.

BIRN qe në gjendje të përcaktojë se Ushtria Kroate në të vërtetë hyri në Dvor jo dy herë, por tre herë. Hera e dytë ishte mëngjesin e 8 gushtit, pasi kundërsulmi serb i dëboi trupat kroate nga qyteti.

Në vitin 2011, gazeta e përditshme në Zagreb Novosti përktheu fragmente nga ditari ushtarak danez, i cili vuri re luftime të rënda dhe një ushtar kroat të plagosur pranë shkollës atë ditë. BIRN gjeti regjistrime të tjera shtesë për luftimet intensive në qendër të Dvorit pasditen e 8 gushtit; luftime të cilat vazhdonin ende në mbrëmje.

Komandanti kryesor kroat në zonën e Dvorit ishte shefi i shtabit i Qarkut Ushtarak të Zagrebit, brigadieri Vinko Stefanek. Ai konfirmoi se Ushtria Kroate për pak ohë hyri përsëri në Dvor mëngjesin e 8 gushtit.

“Pas luftimeve natën e kaluar, unë urdhërova tërheqjen në udhëkryqin në skajin verior të qytetit. Në mëngjes, pati disa përpjekje provuese, jo të organizuara dhe shumë të kufizuara”, tha Stefanek për BIRN. Një oficer tjetër konfirmoi se pas rreth 100 metrash, Stefanek i urdhëroi forcat e tij të ndalonin.

Megjithatë, pavarësisht këtyre urdhrave, një batalion i Regjimentit të 17-të vazhdoi përpara, madje kaloi fushën e shkollës, ku batalioni danez kishte bazën e tij. Disa ushtarë kroatë u kapën nga kamerat e danezëve, të cilat gjithashtu filmuan ushtarin e plagosur të përmendur në ditarin ushtarak. BIRN ishte në gjendje ta identifikonte atë person si Sasa Simiç.

Saša Simić, Ushtari që u plagos jashtë Shtabit danez të Batalionit në Dvor në 1995
Saša Simić, Ushtari që u plagos jashtë Shtabit danez të Batalionit në Dvor në 1995. Foto: Jerko Bakotin.

“Po shëtisja në anën tjetër të argjinaturës që ndodhej pranë rrugës. Pasi kalova bazën e Kombeve të Bashkuara, papritmas pashë një grup ushtarësh serbë. Ata u përpoqën të na rrethonin. Unë hodha një granatë dhe hapa zjarr”, tha Simiç, i cili po fliste për mediat për herë të parë.

“Atëherë ndjeva që isha plagosur. Kur erdha përsëri në vete, i kërkova djemve të mi të më çonin te baza e Kombeve të Bashkuara. Danezët më dhanë morfinë”, shtoi ai.

Shënimet në ditarin ushtarak danez tregojnë se kjo ndodhi pak para orës 09:30 të mëngjesit – disa orë para orës 14:00, kur ndodhi masakra. Megjithatë, sipas drejtimit nga erdhën vrasësit, është e mundur që ata të kenë ardhur nga zona që kishin arritur forcat kroate atë mëngjes. Dhe Jensen, i cili ishte i pozicionuar më së miri për të vëzhguar rrugën, tha se pas të shtënave, vrasësit u larguan drejt veriperëndimit. Ai drejtim të çonte  në vendin ku në atë kohë ishin pozicionet e trupave kroate.

“Sulmi në shkollë ishte një operacion spastrimi, i kryer shumë profesionalisht, por pa ndonjë qëllim ushtarak. Qëllimi i vetëm ishte terror i pastër”, tha Jensen për BIRN. Ky përshkrim i përshtatet modelit të krimeve të tjera të kryera nga forcat kroate gjatë dhe pas Operacionit Stuhia.

Megjithatë, ushtarët kroatë zakonisht mbanin shirita me ngjyra në shpatullat e tyre, në mënyrë që të njihnin njëri-tjetrin. Autorët e masakrës nuk mbanin shirita, edhe pse mund t’i kishin hequr ato.

Është gjithashtu e paqartë pse një njësi kroate do të rrezikonte veten duke masakruar civilë dhe duke tërhequr vëmendjen ndërsa zona ishte ende nën kontrollin e serbëve.

“Do të ishte joreale nëse kroatët do të fillonin të spastronin shtëpitë përreth shkollës para se të kontrollonin atë pjesë të qytetit”, tha për BIRN kapiteni Erik Sørensen, një dëshmitar tjetër okular danez.

 

Kroatët fajësojnë serbët, serbët fajësojnë kroatët

Një tabelë në shkollën në Dvord (1995). Foto: Prokurori danez i Shtetit.
Një tabelë në shkollën në Dvord (1995). Foto: Prokurori danez i Shtetit.

Njëzet e pesë vjet pas vrasjes në shkollën në Dvor, familjet e viktimave ende nuk kanë parë drejtësi. Me kalimin e kohës, dëshmitarë të rëndësishëm kanë vdekur dhe nuk priten aktakuza në të ardhmen e parashikueshme.

Burimi nga Zyra e Prokurorit të Shtetit të Kroacisë t tha se autorët mbeten të panjohur.

“Pavarësisht të gjitha veprimeve që janë ndërmarrë, nuk janë mbledhur ende prova të mjaftueshme për të krijuar dyshime të arsyeshme kundër një autori specifik”, tha burimi.

Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës e Serbisë dha një përmbledhje edhe më të shkurtër të progresit të saj. “Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi nuk mund të vlerësojë se sa afër është ngritja e një aktakuze kundër atyre që janë përgjegjës për këtë krim”, tha një burim nga prokuroria me qendër në Beograd.

Në mënyrë aspak të çuditshme, Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kroaci dyshon se autorët ishin serbë, ndërsa Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi mendon të kundërtën.

BIRN ka identifikuar lëshime të çuditshme në hetime. Komandantë të rëndësishëm në Serbi nuk janë marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi.

Hetuesit danez që ishin në vendin e masakrës së shkollës vetëm disa ditë më pas, duke mbledhur prova për GJPNJ-në, gjithashtu nuk u morën në pyetje nga prokurorët serbë ose kroatë.

Duke qenë se krimi u krye në Kroaci, autoritetet atje duhet të ishin kryesisht përgjegjëse për sigurimin e drejtësisë. Por qëndrimi i tyre ndaj viktimave theksohet nga fakti se sipas informacioneve të publikuara nga mediat, vetëm dy nga nëntë viktimat – Zorka Mariç dhe Jovan Macut – janë identifikuar nga analiza e ADN-së deri më tani, kështu që ata mund të varroseshin si duhet nga familjet e tyre .

Identiteti i viktimave të tjera ende nuk është konfirmuar nga analiza e ADN-së. Të gjithë janë ende të varrosur në varre të pashënuara në Petrinja, tha drejtori i varrezave për BIRN.

Të afërmit e Mariç kanë marrë një avokat, Sladana Cankoviç, dhe thanë se ajo planifikon të ngrejë një padi në Gjykatën Kushtetuese Kroate në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut të shkaktuara nga hetimi joefektiv i çështjes.

“Nëse refuzohet, ne do të paraqesim të njëjtën padi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Njëzet e pesë vjet pas kryerjes së krimit, asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e ndjekjeve penale të autorëve”, tha Cankoviç.

“Ashtu si në shumë raste të tjera krimesh lufte, sidomos ato të kryera kundër serbëve, pa vullnetin politik, çështja nuk arrin dot kurrë deri në gjykatë.”

 

Dokumentet

Danish Diary – August 8th

Danish diary – August 8th – part two

Danish dispatch – ArBiH murderers

Danish dispatch – August 8th heavy fights afternoon evening

ICTY Testimony – Jan Wellendorff

ICTY Testimony – Christian Jensen

ICTY Testimony – Zvonimir Baburak

Interrogation Copenhagen 2012 – Origin of 5th Corps mistake Roman numeral (Danish)

 

Jerko Bakotin dhe Saša Kosanović janë gazetarë për të përjavshmen kroate Novosti dhe Nils Mulvad është një gazetar investigative dhe redaktor në Investigative Reporting Denmark.Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian, dhe Reporterë në Terren, një program nga Fondacioni Robert Bosch i organizuar së bashku me Media NGO n-ost.


Teksti “Misteri i masakrës në shkollën kroate ende i pazgjidhur edhe pas 25 vitesh” u botua fillimisht më Balkan Insight.

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.