KOMRA rrjeti i pajtimit

1517673_980881958625675_3747239122867338709_n

22.03.2016.

Debat në Podgoricë: Si e shohin politikanët procesin e pajtimit në rajon? [Raport]

Qendra për Edukim Qytetar (QEQ) dhe Koalicioni për KOMRA-n, kanë organizuar në datën 17 mars të vitit 2015 në Press Qendër debatin e dytë me radhë mbi pajtimin, në temën “Si e shohin politikanët procesin e pajtimit në rajon?”

Daliborka Uljareviq, drejtoreshë ekzekutive e QEQ, në hapje të debatit e ka vënë në pah se: “Është shumë me rëndësi të insistohet në përgjegjësinë më të madhe të politikanëve kur është fjala për ballafaqimin me të kaluarën. Pikërisht kalkulimi politik me tragjeditë njerëzore në mënyrë plotësuese i ka viktimizuar shumë viktima, por ka krijuar edhe të reja. Nuk është mjaft që në mënyrë deklarative si dhe në “raste të përshtatshme” ta thuash ndonjë slogan politik. Edhe në debatin e kaluar e kemi vënë në pah se në shumë vende të rajonit, strukturat politike, të formësuara gjatë viteve të luftës dhe duke jetuar edhe sot e gjithë ditën, mbesin frenuesit kyç për vendosjen e përgjegjësisë për krimet dhe për ndjekjen penale të kriminelëve”. Ajo ka shtuar se “politikanët duhet të dalin nga kornizat e taktikës dhe dialektikës ditore-politike, se ata duhet të jenë të aftë për të krijuar kontekstin shoqëror, i cili do të kërkojë drejtësinë për viktimat, të vërtetën për krimet, si dhe ndëshkimin e drejtë për kryerësit e krimeve dhe për urdhërdhënësit e tyre. Kjo është parakusht që shoqëritë në Ballkan ta ndërtojnë vetveten në pajtim me vlerat, të drejtat dhe liritë qytetare të secilit individ”.
IMG_3655

Posaçërisht është problematizuar çështja e harrimit: „ndoshta për politikanët harrimi do të ishte më i përshtatshmi. Por, kushdo qoftë që edhe vetëm sipërfaqësisht e njeh historinë e këtyre hapësirave, kurse në te plasohen dhe në piedestal vendosen konfliktet dhe jo shembujt pozitiv të bashkëjetesës, e din se përpjekja për harrim është hapi i parë drejt tragjedisë së ardhshme. Me fjalë të tjera, politika flirton me ksenofobinë, duke i kontribuuar mbajtjes së shikimit të mjegulluar”. Ajo i ka vënë në spikamë edhe kufizimet e gjyqësorit: “E vërteta mbi krimet mund të shfaqet vetëm para organeve gjyqësore njëmend të pavarura. Kurse, a kanë shoqëritë tona postkonfliktuale gjyqësor të pavarur të aftë që në kapacitet të plotë të akuzojnë dhe të gjykojnë për krime të luftës? E a kënaq dhe deri në çfarë mase e kënaq elita politike një punë të tillë të gjyqësorit dhe a thua vetëm gjyqësori ka profesionalizëm dhe integritet që punën e tij ta kryejë në përputhje me zbatimin e ligjit, pavarësisht nëse kjo do të jetë sipas vullnetit të qendrave politike të pushtetit? “. Uljareviqi e ka vënë në spikamë se “politikanët nuk e shohin interesin e tyre në trajtimin adekuat të çështjeve të ballafaqimit me të kaluarën, sepse kjo nuk është vlerësuar si temë, nga e cila fitohen poena popullor në publik”, duke e vënë theksin në rëndësinë e shoqërisë civile e posaçërisht të Nismës për KOMRA-n.

Prof. dr Zharko Puhovski, avokues publik i Nismës për KOMRA-n, i ka vënë në spikamë qasjet e ndryshme “të normalizimit të jetës së pasluftës me llogaridhënien lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në luftë” duke e cekur se Italia është i vetmi shtet në Evropë, në të cilin asnjë qytetarë kurrë nuk është dënuar për krimet e luftës. „Madje edhe në Zvicër dhe në Suedi ka pasur njerëz, të cilët janë dënuar për shkak të krimeve të luftës, kurse në Itali jo. Italia i ka dënuar vetëm ushtarët gjerman. Ky ka qenë konsensusi, me të cilin shoqëria italiane e pasluftës relativisht ka pasur sukses“, ka thënë Puhovski.

Përkundër kësaj, siç ka shtuar më tutje, Gjermania Perëndimore e ka zbatuar ballafaqimin më radikal me të kaluarën, „duke iu falënderuar gjeneratës së të gjashtëdhjetave dhe faktit se është krijuar atmosfera, në të cilën kjo është bërë një lloj i mirësjelljes“.

„Midis kësaj funksionon synimi që të themelohet Bashkimi Evropian  (BE). Në themel,  BE-ja ndërtohet në përpjekjen që të harrohet e kaluara dhe nga Be-ja nuk duhet pritur ndihmë serioze në këtë drejtim. Kjo nuk është pjesë e rendit të saj të ditës.“, ka thënë Puhovski.

Ai ka përkujtuar se krimet e luftës kanë lënë plagë të tilla, të cilat nuk mund të shërohen lehtë. “Në rajon kemi situatën paradoksale që nga dy shtetet udhëheqëse, në njërën në krye gjenden ata të cilët do të hiqnin dorë nga vetja e tyre e tashme e para njëzet vitesh, kurse në tjetrin kemi në pushtet ata të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e viteve nëntëdhjetë, por përpiqen për të krijuar një atmosferë të tillë“, ka qartësuar Puhovski. Ai vlerëson se politikanët e vëzhgojnë procesin e pajtimit, por nuk marrin pjesë në te. E ka theksuar se në bazën e krimeve të luftës dhe të të gjitha proceseve në këto hapësira është „etnoetika – pikëpamje e cila konsideron se, me faktin se i takojmë një mjedisi, i garantojmë disa veçori të caktuara“.

Puhovski e ka vënë në spikamë edhe termin “idiotizëm moral”, i cili ka të bëjë me gjendjen e ndërgjegjes në të cilën individët nuk i dëgjojnë rekomandimet morale, përkatësisht kritikat. „Procesi i pajtimit ta kujton hapjen e Kutisë së Pandorës, sepse deri vonë njerëzit as që e kanë pasur në ndërgjegje se në të vërtet lufta ka ndodhur në këto hapësira“, ka shtuar ai. Duke biseduar për rrugët e realizimit të pajtimit në rajon, ai ka vlerësuar si më poshtë: “Kjo mund të zgjidhet në dy mënyra, njëra është ajo në të cilën tashmë e një kohë të gjatë insistohet e kjo është  trysnia nga jashtë, nga shoqëria civile, por kjo i ka kufijtë e vet. Kurse tjetra është ajo që ende nuk ka filluar, ajo nga brenda, nga klasa politike. Për këtë pritet nga njerëzit, të cilët kanë funksione politike, që nga brenda të bëjnë diçka lidhur me këtë çështje”.

Ai, po ashtu, ka tërhequr vërejtjen se krahas rezultateve gjyqësore për krimet e luftës duhet të merret parasysh edhe fakti lidhur me ata të cilët ndikojnë më ndërrimin e ndërgjegjes. «Për mua sot fjala kyçe është «turpërimi». Mua si qytetar më intereson që të turpërohen ata të cilët kanë qenë në ritmin komanduesi dhe që të turpërohen politikat, të cilat e kanë mundësuar këtë».

Rifat Rastoder, kryetar i Komisionit për sistem politik, gjyqësor dhe administratë në Kuvendin e  Malit të Zi dhe nënkryetar i PSD-së, ka thënë se roli i Malit të Zi në këto ngjarje ka qenë specifik, sepse ka pasur shumë role duke filluar nga ai që «ka qenë një ndër shënjestrat e dhe viktimat e para», por edhe lidhur me atë se «në Mal të Zi nuk ka pasur konflikte ndërnacionale, duke përjashtuar një periudhë të tronditjes politike dhe civilizuese kur është deportuar një numër i refugjatëve nga B dhe H», si edhe se «aktakuza e parë për krim të luftës kundër popullatës civile është ngritur në Mal të Zi». Ai e ka theksuar se politikanët malazez janë ndër të parët në rajon që janë falur para viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

„Nga ana tjetër, – edhe në Malin e Zi si dhe në emër të Malit të Zi në hapësira të tjera të ish atdheut tonë të përbashkët, është kryer edhe një numër i krimeve, që jo vetëm se nuk janë absolvuar deri në fund, por, për këtë, thjesht, me gjithë këmbënguljen, nuk ka pasur as vullnet politik e as institucional“, e ka vënë në spikamë Rastoderi duke u përqendruar në nëntë (9) raste të krimeve të luftës, të cilët janë trajtuar në kuptimin formal juridik dhe duke i cekur shumë të tjera që të cilat nuk janë përpunuar në mënyrë adekuate as edhe në atë nivel formal. „Të keqen, me aq sa di unë, e kanë filluar dhe e kanë kryer oligarkitë politike të asaj kohe dhe, sipas rendit natyror të gjërave,  ushtritë dhe paraushtritë e tyre të instrumentalizuara – ato të armatosura dhe propagandistike. Dhe prapë, – po ato të njëjtat oligarki politike janë pajtuar më së pari në mes vete. As atëherë e as tash, qytetarët dhe popullin, askush dhe për asgjë nuk i ka pyetur“, ka nënvizuar Rastoderi. Ai, po ashtu, ka përkujtuar se me vite e avokon formimin e Qendrës Hulumtuese Dokumentuese për mbledhjen e dokumentacionit relevant mbi të gjitha ndodhitë  si dhe për hulumtimin e shkaqeve dhe të mënyrave të vrasjeve masive të njerëzve në lidhje me këtë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, religjioze, politike ose çfarëdo përkatësie tjetër individuale ose politike, gjë që është, sipas tij, parakusht i ruajtjes së kujtesës kolektive dhe që është „jo vetëm parakusht i çfarëdo pajtimi, por edhe element edhe më i rëndësishëm i masave preventive, të cilat do të parandalojnë përsëritjen e vrasjeve të tilla“. Ai e ka akuzuar Qeverinë se po e pengon formimin e kësaj Qendre me maksimën se «të kaluarën duhet harruar».

Marija Maja Çatoviq, nënkryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Malit të Zi dhe anëtare e Kryesisë së PSD-së, është përqendruar në diversitetin dhe karakterin specifik të Ballkanit, si dhe në atë se vendet e Ballkanit Perëndimor në tranzicion i karakterizon një varg i proceseve reformuese, në mesin e të cilave, sipas fjalëve të saj, më i rëndësishmi është procesi i integrimeve evropiane. „Bashkëpunimi rajonal është një nga elementet kyçe të proceseve integruese, kurse vet shpejtësia e proceseve të integrimeve evropiane varet edhe nga bashkëpunimi reciprok i shteteve të Ballkanit dhe gatishmëria e tyre që t’i përkasin Evropës së Bashkuar. Bashkimi rreth një qëllimi të përbashkët  – për t’u bërë anëtare e BE-së, në të cilën në të njëjtën tryezë do të negociojnë dhe do të vendosin me të gjitha shtetet anëtare, por edhe do të synojnë për pozicione sa më të rëndësishme, është një nga emëruesit e përbashkët të pajtimit të shteteve në rajon“, ka qartësuar Çatoviqi. Duke folur mbi rastet konkrete të krimeve të luftës penalisht të ndjekura, në Mal të Zi, ajo ka porositur: «Mbi punën në këtë fushë gjithsesi se do të duhej të flisnin njerëzit kompetent, por unë si deputete njëmend pres rezultate të Prokurorisë me qëllim të sigurimit të drejtësisë  dhe të kompensimit për krimet e luftës».

Momo Koprivica, nënkryetar i Mali të Zi Demokratik, është i mendimit se pajtimi është më shumë „obligim moral dhe njerëzor se sa politik. Por, nuk kemi të drejtë në indiferencë si politikan kur janë në pyetje vuajtjet njerëzore si dhe varret e pazbuluara dhe të pashenjuara. Nuk kemi të drejtë në shpirtvogëlsinë kur është fjala për nevojat e rrënimit të kështjellave kobzeza njerëzore dhe nevoja për ndërtimin e besimit dhe të imperativit të pajtimit“, ka shtuar Koprivica. Ai ka qartësuar se «Pajtimi nuk guxon të fillojë me kërkimin e fajeve jashtë vetvetes sonë. Pajtimi duhet të fillojë me synimin për drejtësinë, dhe jo në kërkimin e arsyetimit. Pajtimi mund të fillojë me fjalët, por nuk guxon dhe nuk duhet të ndalet në to. Ai kërkon vepra dhe madje vepra nga të gjithë dhe në vazhdimësi, duke filluar nga ndriçimi i të gjitha papërshtatshmërive, nëpër ndjekjen penale të të gjithë kriminelëve sipas kutit të njëjtë, e deri te realizimi i formave konkrete ekonomike dhe politike të bashkëpunimit midis popujve dhe njerëzve në rajon».

Koprivica, në fund e ka theksuar se „nuk ka ballafaqim me të kaluarën derisa pjesëmarrësit politik të luftës të mos ballafaqohen me drejtësinë. Ndërmarrësia etno-politike është pengesa themelore e pajtimit në rajon. Ato elita politike, të cilat e nxjerrin profitin nga ngritja e tensioneve, i pengojnë mekanizmat shtetëror dhe ato të tjerat për të vërtetuar dhe për të transmetuar të vërtetën.“

Rade Bojoviq, nënkryetar i Lëvizjes Qytetare URA, ka theksuar se „Shtetet post-jugosllave – bashkësi të rrënuara, të dehumanizuara dhe jofunksionale politike – duhet të synojnë drejt normalizimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve reciproke, derisa shoqëritë post-jugosllave duhet t’i ekspozohen ballafaqimit të këtillë a të atillë me të kaluarën, krahas trysnisë së përhershme të Bashkimit Evropian (BE).“ Bojoviqi ka shtuar se „nuk ka pajtim derisa interpretimet politike, historike dhe arsimore të ngjarjeve post-jugosllave janë të kundërvëna, të konfrontuara ose diametralisht të ndryshme. Rinia e lindur pas të nëntëdhjetave në masë të madhe sot në mënyrë tragjike i ngjet njerëzve të mitingjeve dhe punëtorëve shovinist të terrenit që kanë qenë uvertura e rrugës në tragjedinë që ka rezultuar”. Ai posaçërisht e ka vënë theksin në atë se «nuk ka pajtim me padrejtësinë– pa ndjekjen penale gjyqësore të krimeve, pa satisfaksionin për viktimat dhe pa përgjigje në pyetjen ende të hapur si dhe në atë pyetjen e kot të lustracionit». Ai, përmes gërshetimit të fakteve kyçe, në masë të madhe edhe të fakteve të harruara ose të shtypura, është përqendruar në atë se si sot duket rajoni dhe në atë se cilat janë pasojat e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të luftërave post-jugosllave, duke e tërhequr vërejtjen në atë se «gjendja ekzistuese politike në të gjitha republikat ish-jugosllave e margjinalizon procesin e ballafaqimit me të kaluarën».

Bojoviqi fokusin e ka vënë edhe në atë se ku gjendet Mali i Zi duke e shtruar pyetjen: “Kush dëshiron sot të ballafaqohet me pasojat e sulmit të turpshëm në Dubrovnikun? A thua, ndoshta, dikush i mëson fëmijët mbi faktet nga ajo periudhë?”, duke i theksuar “heronjtë e hershëm” dhe pothuajse të harruar – kontraadmiralin Vlladimir Baroviqin dhe admiralin Kërsta Gjiroviqin, të cilët qëndrimin  e tyre të ndershëm në ato kohë e kanë paguar me jetë, kurse sot “asnjë rrugë ose shesh në Mal të Zi nuk e mban emrin e tyre si dhe as që i ka bustet apo përmendoret e tyre në Mal të Zi”. Ai ka përfunduar se sot pakkush e kujton lëvizjen malazeze antiluftë si edhe se “Mali i Zi bashkëkohor thellësisht nuk dëshiron të ballafaqohet me të kaluarën e afërt të tij, me rolin real në shpërbërjen e RSFJ-së, si dhe me bashkëpjesëmarrjen vullnetare në politikën kriminale Millosheviqiane dhe serbomadhe … Pajtimi ose rruga drejt normalizimit të shoqërisë sot është viktimë e kalkulimeve partiake dhe i qërimit ndërpartiak të hesapeve. Sulmi demagogjik në kolltukët dhe ruajtja e paskrupulla e kolltukëve nuk e durojnë kurrfarë ballafaqimi me të kaluarën, sepse atëherë edhe kolltukët do të shkriheshin në një përplasje me faktet dhe me të vërtetat shqetësuese“, ka vlerësuar ai.

Tamara Milash, bashkëpunëtore në programet e QEQ-së dhe zëdhënëse e Koalicionit për KOMRA-n në Mal të Zi e ka përkujtuar atë qëllimin që „të hapet një hapësirë e gjerë për dialogun mbi pajtimin dhe për mënyrën në të cilën kuptohet pajtimi, por edhe të përqendrohemi në Nismën për KOMRA-n.“. Ajo ka theksuar se Mali i Zi duhet të fuqizojë përpjekjet e veta në luftën kundër mosndëshkimit të krimeve të luftës dhe që në mënyrë efikase të hetojë, të ndjek penalisht dhe të dënojë krimet e luftës  në përputhje me standardet ndërkombëtare, me qëllim që të shkohet deri te pajtimi thelbësor dhe vendosja e paqes afatgjatë, kurse QEQ si organizatë referente e Koalicionit për KOMRA-n, me përpjekjet e saj synon t’i kontribuojë efikasitetit të këtij procesi.

Shuçko Bakoviqi, Mbrojtës i të drejtave dhe i lirive të njeriut në Mal të Zi ka thënë se ky proces nuk mund të kryhet pa pjesëmarrjen e politikanëve. „Mua më vjen mirë që po dëgjoj tone të këtilla nga politikanët, por unë jam thellësisht i bindur që politikanët nuk mund t’i zgjidhin këto probleme, por i takon institucioneve të sistemit që ta bëjë këtë. I takon institucioneve të sistemit që kriminelët t’i sjellë para drejtësisë. Pa vërtetimin e fakteve, pa ballafaqimin me të kaluarën, pa vërtetimin e së vërtetës, nuk mund të bëhet fjalë për pajtimin. Dhe a ka diçka të këtillë në masë të mjaftueshme në Mal të Zi? Mendoj se ka vullnet, e pakta deklarativ, dhe edhe kjo është pozitive, por institucionet e sistemit duhet më tutje të bëjnë  punën e tyre. duhet të vërtetohet drejtësia. Duhet në mënyrë të thellë të qartësohen të gjitha këto raste dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë“, ka thënë në fjalën e tij Mbrojtësi. Ai ka vlerësuar se «nuk ekziston efekti serioz në ndjekjen penale të krimeve të luftës», por se « është bërë përparim në proceset e kompensimit të dëmit të viktimave,me çka krimet janë pranuar përmes kompensimit».

Si pengesë kryesore e ka shënjuar harrimin dhe faktin që për konfliktet heshtin edhe viktimat  e edhe kryerësit e krimeve. «Harrimi është një armik i rrezikshëm i drejtësisë, kurse duket se nuk kemi mësuar mjaftueshëm nga historia», ka thënë Bakoviqi, duke e theksuar se nuk ka nevojë që në këto çështje t’i referohemi legjislacionin ndërkombëtar, por se është mjaft që të nisemi nga Kushtetuta dhe institucionet e sistemit dhe ta ndryshojmë kornizën ekzistuese. «Ne duhet të ballafaqohemi me këto çështje për hir të vetvetes e vetëm pastaj për hir të pajtimit në rajon», ka përfunduar ai.

Stojanka Radoviq, prokurore nga Prokuroria Shtetërore Speciale, që është kompetente edhe për ndjekjen penale të krimeve të luftës, ka thënë se krimet e luftës nuk vjetrohen, duke e cekur se në praktikën e re të saj ky institucion ka ndjekur penalisht katër raste.

„Rezultati i atyre veprimeve në publik është komentuar në mënyra të ndryshme. Kështu që, në shërbim të obligimit që të hetohen të gjitha krimet e luftës, përkatësisht të hulumtohen edhe rastet e vjetra, që të shihet nëse rezultati i atyre rasteve i përgjigjet të vërtetës ose jo, Prokuroria Shtetërore Supreme i është qasur gjetjes së metodave që lëndët e ndjekura penalisht të rishqyrtohen dhe që të hulumtohen të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në hapësirën e ish Jugosllavisë gjatë luftës së fundit“, ka thënë ajo, por edhe e ka vënë në spikamë rëndësinë e punës së tashme të prokurorisë si dhe faktin që rasti «Morinj» prapë duhet të shqyrtohet.

Nisma për KOMRA-n tubon një numër të madh të organizatave të shoqërisë civile si dhe individ  nga rajoni në avokimin e krijimit të Komisionit Rajonal për konstatimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në territorin e ish RSFJ-së nga viti 1991 deri në vitin 2001. QEQ si organizatë referente e Koalicionit për KOMRA-n, me përpjekjet e saja synon të kontribuojë në efikasitetin e këtij procesi.

Ngjarja i ka tubuar rreth 50 përfaqësues të partive politike, të organizatave joqeveritare, të Qeverisë, të gjyqësorit, të mediave dhe të korit diplomatik.

Ky debat ka qenë pjesë e projektit të Përforcimit të procesit të krijimit të KOMRA-s (faza e II-të), të cilin e financon Komisioni Evropian, CCFD (Komiteti katolik francez kundër urisë dhe për zhvillim) dhe Fondacioni Rockefeller Brothers.

 

Galeria e fotografive

 

Raport i Svetllana Peshiqit, bashkëpunëtore në programet e Qendrës për Edukim Qytetar në Podgoricë

 

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.