Lajme

Kërkohet përpjekje më e madhe në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur në Kosovë

 

Komunikatë për medie e Koalicionit për KOMRA me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur

27.04.2012.

“Kërkohet përpjekje më e madhe në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur në Kosovë”

Me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, koalicioni për KOMRA në Kosovë kërkon nga Institucionet e shtetit të Kosovës që të bëjnë më shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Vlerësojmë se procesi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë nuk është në dinamikën çfarë do të duhej të ishte, me gjithë rezultatet e arritura deri më tani numri i personave të pagjetur, 13 vite pas luftës, rezulton të jetë 1781. Duke pasur parasysh se çështja e mbetjeve mortore të paidentifikuara, rreth 400,  është pengesë për një progres më të shpejtë në procesin e identifikimit, koalicioni për KOMRA kërkon nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, në bashkëpunim me EULEX-in, të rrisin përkushtimin ndaj kësaj çështjeje. Koalicioni për KOMRA fton institucionet përkatëse vendore për trajtim më të dinjitetshëm  institucional ndaj familjeve të personave të zhdukur.

Koalicioni për KOMRA kërkon nga institucionet përkatëse që të shtojnë përpjekjet e tyre në identifikimin e personave që kanë urdhëruar, ekzekutuar apo fshehur të dhëna për  fatin e qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie, e që sot rezultojnë në listat e personave të zhdukur,  dhe ndaj tyre të iniciojnë procedurat hetimore dhe gjyqësore, në mënyrë që familjet e personave të zhdukur të realizojnë të drejtën e tyre në drejtësi.

Koalicioni për KOMRA fuqishëm insiston që të gjithë akterët relevant, vendorë dhe ndërkombëtarë, që e trajtojnë çështjen e personave të zhdukur të njëjtën ta trajtojnë ekskluzivisht si çështje humanitare.