Lajme

Forumi i IX-të Ndërkombëtar për Drejtësinë Tranzicionale – raport

13.06.2013

Pajtimi në vendet post-jugosllave

 

Në Bosnjë e Hercegovinë, në bjeshkën e Jahorinës, në datën 17 dhe 18 maj të vitit 2013 është mbajtur Forumi i IX-të Ndërkombëtar për drejtësinë tranzicionale me titullin “Pajtimi në vendet post-jugosllave”. Forumi, në organizim të Koalicionit për KOMRA-n, ka tubuar 220 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, viktimave, artistë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe të bashkësisë shkencore, në mënyrë që nga perspektiva të ndryshme të bisedojnë mbi përparimin në realizimin e pajtimit të pasluftës.

Forumin e ka hapur anëtari i Kryesisë së B dhe H, Zheljko Komshiq, i cili është zotuar për pajtimin në rajon dhe ka thënë se ai është një nga parakushtet për jetë normale të qytetarëve. “Njerëzit dëshirojnë jetë të zakonshme, normale, punë prej së cilës mund të jetohet dhe shpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Pa pajtimin, barazinë, zhvillimin ekonomik, do të jetë e vështirë për ta mbajtur atë shpresë”, ka thënë Komshiqi në hapjen e Forumit për drejtësinë tranzicionale. Ai ka vlerësuar se popujt në hapësirën e ish Jugosllavisë kanë qenë aq të lidhur saqë lufta i ka këputur jo vetëm lidhjet, por i “thyer edhe zemrat”e njerëzve të rajonit. »Pas 18 vitesh nga lufta kjo temë ende është edhe më aktuale dhe, së këndejmi, shtrohet pyetja se përse na duhet aq shumë kohë për pajtimin dhe a është kjo një periudhë e shkurtër ose tepër e gjatë për procesin e pajtimit. Besoj se në vazhdim të Forumit do të arrihet tek përgjigjet në këtë pyetje«, ka thënë Komshiqi.

Nismëtarja e Nismës, Natasha Kandiqi ka theksuar se »emërtimi i viktimave është kuadër për pranimin e tyre publik«. »Kjo duhet të përcillet me dëshmitë publike mbi pësimet e tyre, duhet të dëgjohet zëri shqiptar në Beograd dhe zëri i serbëve në Prishtinë. Nisma për KOMRA-n ndikon në zvogëlimin e tensioneve në rajon dhe ka potencial në njerëzit, të cilët i tubon.«

Regjisori i teatrit Dino Mustafiq[1] ka vlerësuar se politikat mbizotëruese në rajon ende manipulojnë me faktet dhe i lëvdojnë kriminelët e luftës, në vend se t’i përkushtohen kërkimit të drejtësisë për viktimat. »Bëhen përpjekje që të gjitha mossukseset e së tashmes të arsyetohen me problemet e së kaluarës«, ka tërhequr vërejtjen Mustafiqi dhe ka shtuar se në B dhe H, të gjithë ata të cilët tërheqin vërejtjen lidhur me këtë fakt, menjëherë bëhen “shënjestër e nacionalizmit dhe fashizmit vulgar «.

Profesori Zharko Puhovski[2] e ka vështruar në mënyrë kritike faktin se historia e luftërave të fundit nuk po shkruhet mbi bazën e fakteve, sepse ato po rishkruhen për shkak të »shkrimit të historisë patriotike«, arsye kjo për të cilën, nëse kjo nuk ndryshon, »luftërat do të përsëriten«. Për këtë arsye, detyrë e intelektualëve nuk është ndjekja e kryerësve, por “ajo që t’i turpërojmë ata”, ka theksuar Puhovski.

Eric Gordy[3] ka tërhequr vërejtjen se kultura shpesh shfrytëzohet për përsëritjen e narrativave, të cilët janë në interes të politikave të caktuara dhe për këtë arsye politikanët i ndihmojnë projektet dhe punonjësit e caktuar kulturor. Ai ka vënë në pah edhe disa nga faktet brengosëse në proceset e drejtësisë tranzicionale, para së gjithash vendimin e Panelit Ankimor të TNPJ, që në disa procese (Gotovina, Haradinaj, Perishiq) ka sjellë aktgjykime, të cilat me gjasë vetëm sa do të thellojnë kontroversën ekzistuese (e cila po e përcjell punën e Tribunalit), duke pasur parasysh se janë bazuar në argumentimin, të cilin shteti i supozuar i së drejtës e vendos para interesit të viktimave.

Profesori Zoran Pajiqi[4] ka tërhequr vërejtjen se në rajon së parë është filluar të flitet pajtimin e vetëm pastaj mbi mekanizmat e drejtësisë tranzicionale, pra, për pajtimin »është folur para se të kenë qenë të përgatitura kushtet për pajtim«. Në këtë kontekst, Pajiqi ka folur edhe mbi kërkimfaljet e liderëve në rajon, për të cilat mendon se kanë ardhur »së tepërmi shpejt«. Ai ka përkujtuar se në momentin kur kancelari i Gjermanisë Willy Brandt ka rënë në gjunjë dhe i është afruar përmendores së Aushvicit, në Gjermani aso kohe ishte kryer denacifikimi, se e pakta disa dëme ishin kompensuar dhe se, që është më e rëndësishmja – deri te e gjithë kjo kishte rezultuar para shqiptimit të kërkimfaljes për viktimat. Kurse »sot kemi udhëheqës narcisoid, arrogant dhe, për këtë arsye, ka mbetur që arsyetimet të pezullojnë në ajër; viktimat mendojnë se kërkimfaljet nuk janë të sinqerta nga politikanët dhe ata, kur kthehen në atdhe, i interpretojnë ndryshe…« ai është i rezervuar edhe në pikëpamje të ngritjes së përmendores për viktimat, sepse të gjitha përmendoret në B dhe H, të cilat i ka parë, pos njërës në Sarajevë, janë  »njëkombëshe, me porosi të tmerrshme të urrejtjes ndaj popujve të tjerë«. Profesori Pajiq në fund të fjalës së tij ka bërë thirrje për krijimin e mekanizmit të kompensimit për viktimat dhe e ka tërhequr vërejtjen drejt një hulumtimi të kohëve të fundit, sipas të cilit 80 për qind e banorëve të B dhe H ende jetojnë në të kaluarën. Përkundër kësaj, inkurajon e dhëna se 50 e të anketuarve janë gatshëm për biseda midis grupeve të ndryshme etnike.

Edhe Denis Kostovicova[5] është pajtuar me vlerësimin se kërkimfaljet kanë arhur ‘tepër herët”, arsye kjo për të cilën mund të sjellin deri te fakti që të refuzohen. Ka hetuar se të gjitha shtetet-trashëgimtare të Jugosllavisë »e kanë zvogëluar refuzimin e krimit, por, përkundër kësaj, shtetet ende nuk dëshirojnë të merren as me të kaluarën e as me krimet«.

Përfaqësuesit e bashkësive fetare në B dhe H në këtë Forum kanë vënë në pah rëndësinë e pajtimit edhe nga këndi i bashkësive fetare. Dr at Ivan Sharçeviq[6] ka theksuar se bashkësitë fetare dhe besimtarët para së gjithash e kanë përgjegjësinë nga vet të dhënat e fesë – jo vetëm nga përgjegjësia politike ose morale, por edhe nga përgjegjësia metafizike – për të punuar për pajtimin.

Myftiu sarajevas Husein ef. Smajiqi[7] ka thënë se pajtimi në B dhe H po zhvillohet në linjën e ngjitjes, duke e theksuar se njerëzit e zakonshëm, besimtarët kanë shumë mirëkuptim kur është fjala për pajtimin: “Në Bashkësinë Islame e kuptojmë se pa pajtim, kurse paraprakisht pa dialog me të gjithë ata të cilët e pranojnë B dhe H si atdhe të tyre, nuk ka të ardhme. Për këtë arsye do të jemi këmbëngulës në gjithë atë që në të ardhmen do të jetë pengesë për dialogun dhe pajtimin.”

Vanja Jovanoviqi[8], rektori sarajevas, ka theksuar se në thelb asnjë fe nuk e avokon jotolerancën dhe mospranimin e tjetrit. Megjithëkëtë, ai konsideron se pajtimi do të jetë proces, i cili do të zgjas, sepse njeriu »nuk është makinë, as projekt, të cilit dikush do të mund t’i urdhëronte që të pajtohet«.

Kryetari i bashkësisë hebraike në B dhe H, Jakob Finci ka shprehur bindjen se »së pari duhet të flitet mbi besimin, e vetëm pastaj mbi pajtimin«. E ka treguar një anekdotë mbi dy hebraik, të cilët pas shumë viteve të grindjeve kanë vendosur të pajtohen. Kurse pastaj, i pari i ka thënë tjetrit: »Unë e dëshiroj për ty gjithë atë që ti e dëshiron për mua.« Tjetri ia ka kthyer menjëherë: »Çka, prapë po fillon me grindjet?« Finci ka shtuar se josinqeriteti i përshkruar mund të bëhet »situatë e jona«, dhe ka bërë thirrje për tolerancën ndaj kulturave të tjera dhe për pranimin e së vërtetës.

Profesori Zdravko Grebo[9] ka vlerësuar se ka ardhur koha që politikanët të marrin përgjegjësinë për procesin e pajtimit. “E kemi arritur kulmin tonë. Shoqëria civile s’ka më ku të shkojë prej këtu. Na ka mbetur vetëm të lobojmë tek shefat e shteteve tona që ata ta pranojnë këtë Nismë. Nëse  e pranojnë, ka shpresë për fëmijët tanë se do të pajtohemi rreth fakteve më themelore të luftës, gjë që do t’ua lehtësojë jetën e përbashkët”, ka deklaruar Grebo, avokues publik i KOMRA-s nga B dhe H.

Publicistja Spomenka Hribar[10] e ka përkujtuar faktin se edhe në të kaluarën e edhe sot disa viktima janë glorifikuar, kurse disa të tjera kanë qenë heshtur. “Derisa nuk i varrosim edhe njërën palë e edhe palën tjetër të viktimave, përkatësisht derisa nuk ndalemi së diskriminuari viktimat, nuk do të ketë paqe… me qëllim që të arrihet deri te marrëdhënia e tillë ndaj tjetrit, është e domosdoshme që brenda nesh të zgjojmë bashkë-ndjesinë. Jo mëshirën, por bashkë-ndjesinë, empatinë, sepse edhe njeriu tjetër është vetëm njeri, qenie e cila gabon. Nëse gabimet e këtilla shndërrohen në dhunë ndaj tjetrit, atëherë, natyrisht, duhet të sanksionohet, sepse bashkë-ndjesia është “investim” – nëse guxojë ta përdor këtë fjalë profane – për më tutje … Bashkëpjesëmarrja në dhembje e tërheq vijën kufitare midis kohës së luftës dhe kohës së paqes. Keqardhja është distancë ndaj të kaluarës, kritikë dhe investim në bashkëjetesën e ardhme”, ka thënë Spomenka Hribar.

I dërguari personal i kryetarit të Kroacisë, ambasadori Tonçi Stançiq[11] ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën dhe ndriçimi i rolit të të gjithëve në këto hapësira është parakusht për bashkëpunim dhe për qëndrueshmëri rajonale. “Me barrën e së kaluarës është e vështirë të shkohet përpara, e pakta është vështirë të shkohet shpejt përpara”, ka thënë Stançiqi. Sipas fjalëve të tij, gjykimet për krime të luftës nuk mund të jenë i vetmi instrument i pajtimit dhe i stabilizimit dhe as që janë të mjaftueshme që të mund të dëgjohet zëri i viktimave dhe që të kënaqet drejtësia për to. “Viktimat nuk guxojnë për të mbetur vetëm numra, ato duhet ta kenë emrin dhe mbiemrin e tyre, duhet të vërtetohet identiteti i tyre”, ka thënë Stançiqi dhe ka shtuar se në Kroaci ende bëhen kërkime për 1.705 persona të zhdukur.

Bojan Glavasheviq[12], i cili i ka përshëndetur pjesëmarrësit në emër të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, ka thënë se kur para një viti e gjysmë ka ardhur në Ministrinë e Mbrojtjes, kjo Ministri ka qenë duke i kërkuar 1.756 persona, kurse »në ditën e sotme Republika e Kroacisë i kërkon 1.703 qytetarë dhe qytetare të vet«. Ai posaçërisht e ka theksuar edhe atë »se është interesante, përkatësisht me shumë rëndësi gjëja të cilën kjo qeveri e ka bërë në këtë fushë që nuk ka diskriminim mbi bazë kombëtare ose mbi çfarëdo baze tjetër«, sepse »në kohën e vet ata qytetarë i kanë ndarë në ata të cilët i kërkojmë nga periudha prej vitit 1991 e deri në vitin 1994, le të themi, dhe në ata të cilët i kërkojmë në këtë periudhën e mëvonshme«, kurse sot »ky dallim është plotësisht i parëndësishëm, dhe është me rëndësi se i kërkojmë qytetarët kroat«. Bojan Glavasheviqi ka thënë edhe se Kroacia, sipas të gjitha gjasave, në tremujorin e parë të vitit 2014 do të miratojë edhe ligjin mbi viktimat e dhunës seksuale në luftën çlirimtare dhe në dobi të viktimave do të ndryshojë Ligjin mbi viktimat civile të luftës.

I dërguari personal i presidentes së Kosovës Selim Selimi[13] ka vlerësuar se rajoni kërkon punë të përbashkët në paqen dhe në kërkimin e drejtësisë. “Nevoja për drejtësi është, madje, edhe më e rëndësishme se sa nevoja për gjykatë. Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur  për të ditur për fatin e personave të zhdukur”, ka kërkuar Selimi.

Adriatik Kelmendi[14],redaktor i televizionit kombëtar të Kosovës Koha Vision, ka shtuar gjatë debatit mbi drejtësinë tranzicionale se përvojat e shteteve të ish Jugosllavisë na kanë mësuar se arritja e pajtimit midis popujve është gjest i domosdoshëm politik midis shteteve – marrja e përgjegjësisë dhe njohja reciproke e pësimeve. »Në të njëjtën kohë, shtetet e dala nga lufta e të cilat e kanë pranuar njëra-tjetrën, e vërtetojnë se vetëm vendosja politike e marrëdhënieve shtetërore është e pamjaftueshme pa konsensusin mbi të vërtetën mbi viktimat e luftës. Së këndejmi, rruga drejt pajtimit mund të arrihet vetëm nëse ecim me të dyja këmbët – sepse çalimi në njërën këmbë nuk është ecje, të cilën e dëshirojmë për të ardhmen tonë«, ka përfunduar Kelmendi.

Eugen Jakovçiq nga Documente i ka përshëndetur pjesëmarrësit e Forumit në emër të Drago Pilselit, teologut të krishterë dhe gazetarit nga Kroacia, i cili personalisht është larguar nga qëndrimet ustashe në familjen e tij vetjake dhe në ambientin në të cilin është rritur në Argjentinë. Në letrën e tij dërguar pjesëmarrësve të Forumit, të cilën e ka lexuar Jakovçiqi, Pilsel ka përkujtuar në apelin, të cilin peshkopët kroat e kanë drejtuar në vitin 1995 me rastin e 50-të vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në datën 1 maj të vitit 1995. Në kumtesën e cekur për publik (të cilën e ka nënshkruar kardinali Franjo Kuhariq) shkruhet, midis të tjerash, se „nuk është pesha kryesore e çështjes në atë se si të ndjejmë keqardhjen për viktimat e bashkësisë sonë vetjake dhe si të njihet faji i bashkësisë tjetër. Kroatët dhe serbët, katolikët dhe ortodoksët dhe myslimanët si dhe të tjerët, ndodhen para çështjeve më të rënda morale. Me fjalë të tjera, si të shprehim keqardhjen për viktimat e bashkësisë tjetër, si të  pranohet faji në bashkësinë vetjake e pastaj si të pendohemi për fajësinë, si ta fitojmë faljen e zotit dhe të njeriut, paqen e ndërgjegjes dhe pajtimin midis njerëzve dhe popujve, si të fillohet një epokë e re e themeluar në drejtësinë dhe të vërtetën?“

Pjesëmarrësve të Forumit iu janë drejtuar edhe anëtarët e shumë shoqatave të viktimave. Kada Hotiqi nga Shoqata Lëvizja e nënave të enklavave të Srebrenicës dhe të Zhepës, ka thënë: »Lidhur me temën e artit e të kulturës nuk do të flas, por ndoshta do të flas për temën e jokulturës.« Ajo ka theksuar se i janë »vrarë djali, burri, dy vëllezër, kushërinj të shumtë«, por se »në këtë luftë nuk ka pasur fitimtarë« dhe se »krahas të vrarëve dhunshëm, kjo tokë e cila quhet serbe – është e lyer me gjak«. »Dhe kur unë dhe shumë si unë themi se është e krijuar me gjakun e fëmijëve tanë dhe në gjenocid, thonë se kjo është e pakulturuar, se kjo është shumë keq, se kjo shpie në theqafje, urrejtje dhe zgjerim të së keqes. Megjithëkëtë, unë, edhe sot e kësaj dite dhe kurrë nuk do të pajtohem të më thonë se jam e lindur në Republika Srpska – unë jam e lindur në Zvornik në Bosnjë e Hercegovinë«, ka shtuar Kada Hotiq.

Sudbin Musiqi ua ka përkujtuar pjesëmarrësve se »çka, në të vërtetë, është KOMRA«: »Ky është një koalicion i një numri të madh të organizatave të veçanta dhe i individëve dhe ajo fuqi, të cilën e ka KOMRA, buron nga ai numër i madh i anëtarëve dhe, natyrisht, nga ai proces konsultativ, i cili është duke u zhvilluar një kohë të gjatë me shumë grupe të ndryshme.« Si posaçërisht të rëndësishme e konsideron faktin se »ka kontakte të rregullta midis avokuesve publik dhe anëtarëve të vendeve të caktuara, në të cilat punojnë avokuesit publik«.

Tronditës ka qenë edhe rrëfimi i Mirko Kovaçiqit nga Vukovari, të burgosurit të kampit nga Stajiqeva në Serbi. Ai ka rrëfyer se si ai, i cili aso kohe i ka pasur 61 vjet, ka qenë në kamp i mbyllur së bashku me djalin e tij dhe se si janë përkujdesur për një të burgosur, i cili ka vdekur nga sëmundja e sheqerit. Krahas barërave, ai ka pasur nevojë edhe për masazh dhe për këtë, me dijeninë e komandantit të kampit Mirosllav Zhivanoviqit, janë përkujdesur Mirko Kovaçiq dhe djali i tij. Kur në kamp kanë nisur të hyjnë pjesëtarët e njësive paramilitare, të sëmurin e cekur dhe edhe pesë të sëmurë të tjerë i ka vendosur komandanti në një vend të sigurt, në një dhomë tjetër »në pjesën tjetër të kampit, kështu që i ka shpëtuar këta të burgosur«, ka thënë Kovaçiqi dhe ka theksuar se koloneli Miroslav Zhivanoviqi, në listën për lëshim në liri, për shkak të përkujdesjes për të sëmurët, personalisht e ka shkruar edhe emrin   e djalit të tij Darkos. Mbi faktin se Zhivanoviqi ka qenë » korrekt, i vërtet, ushtar i njëmendët, kurse assesi torturues«, tashmë tri herë ka dëshmuar edhe në Gjykatën e Qarkut në Osijek.

Dragan Pjevaç, të cilit ushtria kroate ia ka vrarë nënën në vitin 1993, ka tërhequr vërejtjen se trashëgimia e Tribunalit të Hagës dhe i gjithë dokumentacioni janë tepër të rëndësishëm dhe të çmueshëm, por edhe në faktin se për krimet e tmerrshme mbi serbët në Kroaci ende askush nuk është dënuar në mënyrë të plotfuqishme. »Aktgjykimi i Hagës i shkallës së parë për gjeneralët ka qenë i shkruar në 1.300 faqe, tre gjyqtarë kanë qenë të njëzëshëm, kurse kanë qenë mbi 200.000 të dëbuar, mbi 1.800 të vrarë, prej tyre 1.212 civilë, sipas evidencave tona. Për këtë pjesë, askush në mënyrë absolute nuk është përgjigjur me aktgjykime të plotfuqishme, as edhe një. Kurse ai Tribunali i Hagës ka qenë për serbët në Kroaci shpresa e fundit për drejtësi, për të vërtetën, besimin e kështu me radhë. Çka tash dhe si më tutje të ballafaqohemi me të vërtetën në këto hapësira pas gjithë kësaj?«, e ka shtruar pyetjen Dragan Pjevaç dhe ka shtuar se »pikërisht për shkak të kësaj fuqishëm, fuqishëm e mbështet themelimin e KOMRA-s« dhe se i vjen mirë për »diskutimet e këtilla serioze dhe që në mënyrë të këtillë serioze i bëhet qasje kësaj teme«.

Pjesëmarrësit e Forumit në fund kanë vlerësuar se pjesëmarrja e një numri të madh të profesorëve dhe e hulumtuesve nga universitetet evropiane inkurajon dhe mund të shërbejë si shtytje për bashkësitë akademike vendore që të përfshihen në debat mbi drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin, në mënyrë që t’i kontribuojnë ndërtimit të modelit, i cili në mënyrën më të mirë i përgjigjet nevojave të shoqërive nga territoret e ish-Jugosllavisë.

 

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kanë vlerësuar se gjykimet për krimet e luftës para gjykatave vendore janë instrumenti më i rëndësishëm për arritjen e drejtësisë dhe se shtetet kryesisht ia kanë dalë për të përmbushur obligimet e tyre në procesimin e krimeve të luftës. Fitohet përshtypja se çështja e fatit të personave të zhdukur është duke u bërë prioritet në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kroacisë, kurse pritet që kjo çështje të fitoj rëndësinë e njëjtë edhe në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

 

Me gjithë lëvizjet pozitive të cekura në të gjitha diskutimet, kanë qenë të pranishme edhe tonet kritike të pjesëmarrësve në diskutim. Në lidhje me shtetet në rajon kanë mbizotëruar kritikat për shkak të ballafaqimit të ngadalshëm me të kaluarën, kurse në lidhje me mekanizmat e drejtësisë tranzicionale janë vënë në pah kufizimet gjithnjë e më evidente të gjyqësorit në pikëpamje të arritjes së drejtësisë për viktimat, posaçërisht pas shumë aktgjykimeve të kohëve të fundit, me të cilat të akuzuarit lirohen nga përgjegjësia në kuadër të GJPNJ-së. Në bazë të kritikave të tilla, pjesëmarrësit në diskutim kanë vënë në pah nevojën gjithnjë e më të qartë për një qase rajonale, me qëllim të vërtetimit të fakteve të pakundërshtueshme mbi krimet e luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe me qëllim që të tejkalohen kufizimet e të gjitha mekanizmave të deritashëm të drejtësisë tranzicionale.



[1]Dino Mustafiq, regjisor, Ekipi Rajonal i Avokuesve Publik tëNismës për KOMRA-n, B dhe H

[2]Prof. dr. Zharko Puhovski, Ekipi rajonal i avokuesve publik tëNismës për KOMRA-n, Kroaci

[3]Dr. Eric Gordy, Univerzitet College London, Britani e Madhe

[4]Prof. dr. Zoran Pajiq,Qendra për studime postdiplomike universitare, Sarajevë, B dhe H

[5]Dr. Denisa Kostovicova, Shkolla londineze për ekonomi dhe shkenca politike, Britani e Madhe

[6]Prof. dr. at Ivan Sharçeviq, Teologjia Françeskane, Sarajevë, B dhe H

[7]Husein ef. Smajiqi, Myftiu sarajevas, Bashkësia Islame e Bosnjës dhe Hercegovinës

[8]AtVanja Jovanoviq, Rektori sarajevas, Kisha ortodokdse serbe, B dhe H

[9]Prof. dr. Zdravko Grebo, Ekipi rajonal i avokuesve publik tëNismës për KOMRA-n, B dhe H

[10]Dr. Spomenka Hribar, publiciste, Lubjanë, Slloveni

[11]Tonçi Staniçiq, Ambasador i Republikës së Kroacisë në  B dhe H

[12]Bojan Glavasheviq, Zëvendësministër i mbrojtjes, Kroaci

[13]Selim Selimi, I dërguar personal i Presidentes së Kosovës për KOMRA-n

[14]Adriatik Kelmendi, Ekipi Rajonal i avokuesve publik tëNismës për KOMRA-n