KOMRA rrjeti i pajtimit

apel

16.03.2017.

Iniciativa për KOMRA: Apel liderëve të shteteve nga rajoni të bëjnë listën e viktimave të luftës

Iniciativa për KOMRA

apel

Avokuesit publikë të Iniciativës për Formimin e Komisionit Rajonal për Fakte rreth Viktimave të Luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë (KOMRA) u bënë apel liderëve të shteteve post-jugosllave që mos të lëshojnë ‘rastin historik’ për të përpiluar listën e viktimave të luftërave nga vitet ‘90-a.

“Publikimi i emrave të viktimave të luftës është garanci e pjesshme që krimet të mos përsëriten dhe bazë për krijimin e paqes dhe pajtimit” shkruan në tekstin e apelit i cili u është drejtuar pjesëmarrësve të samitit të liderëve të shteteve të rajonit që po mbahet në Sarajevë, raporton KTV.

Avokuesit publikë të iniciativës për KOMRA vlerësuan që kohëve të fundit po ndodh largimi alarmant i liderëve të Ballkanit perëndimor nga obligimet për ballafaqim me të shkuarën. Ata përkujtuan që peticionin për themelimin e KOMRA-s e kanë nënshkruar 80 mijë qytetarëve nga të gjitha shtetet post-jugosllave, dhe se vet ideja për themelimin e kësaj iniciative u ndërtua përgjatë procesit këshillues mes shoqërisë civile dhe në dialog me qeveritë dhe presidentët e shteteve në rajon.

“Ishte e pritshme që të arrihet marrëveshje politike për themelimin e KOMRA-s. Megjithatë në praktikë dëshmohet që në shtetet e krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë procesi i vendosjes së drejtësisë transicionale është në krizë serioze. Nuk ka më vullnet politik që të procedohen kryesit e krimeve të luftës, e institucionet shtetërore nuk janë bërë efektive dhe të pavarura, derisa dialogu për të shkuarën nuk është bërë prioritet në bashkëpunimin rajonal” shkruan në apel.

Po ashtu shtohet se Koalicioni për KOMRA, konfirmoi identitetin dhe rrethanat e vdekjes së rreth 23 mijë njerëzve të cilët humbën jetën në luftërat në Kroaci e Kosovë dhe këtë në bazë të 56 mijë dokumenteve mes të cilëve edhe rreth 17 mijë deklarata të dëshmitarëve dhe anëtarëve të familjeve.

Po ashtu janë dokumentuar edhe 630 kampe dhe vende për burgosje në Bosnje e Hercegovinë, në të cilat u mbyllën më shumë se 170 mijë njerëz, më së shumti civilë, përmendet në tekstin e apelit. Qendra hulumtuese dhe dokumentuese nga Sarajeva dhe Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi kanë publikuar ‘Librin boshnjak të të vdekurve’ me emrat e 96 mijë viktimave në luftë në Bosnje e Hercegovinë, derisa Tribunali i Hagës konfirmoi identitetin e së paku 12 mijë viktimave të krimeve të luftës, përmendet tutje në apel.

‘Të gjitha këto të dhëna padyshim se tregojnë që në ndërkohë është kryer një pjesë e rëndësishme e punës, e lista e viktimave të mbetura dhe detyrat tjera të KOMRA-s duhet të marrin shtetet trashëgimtare të Jugosllavisë së dikurshme, dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në pranimin publik të viktimave”.

Avokuesit publikë të Iniciativës për KOMRA janë Dzenana Karup Drusko, Dino Mustafic dhe Zdravko Grebo nga Bosnja e Hercegovina, Zarko Puhovski nga Kroacia, Adriatik Kelmendi nga Kosova, Natasa Kandic dhe Dinko Gruhonjic nga Serbia, Zidas Daskalovski nga Meqedonia dhe Dusko Vukoviz nga Mali i Zi.

(Publikuar në Koha.net, 16. 03. 2017. )

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.